Nuk aplikoi asnjë grua, konkursi për drejtor të Antikorrupsionit do të rishpallet

Konkursi për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion pritet të rishpallet gjatë kësaj jave. Për rishpalljen e këtij konkursi vendosi Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës.

Pas kërkesës së deputetit Alban Hyseni, komisioni me gjashtë vota për vendosi që ta përsërisë konkursin për kreun e AKK-së.

Një nga arsyet kryesore për përsëritjen e këtij konkursi ishte mungesa e barazisë gjinore pasi asnjë grua nuk kishte aplikuar për të konkurruar në këtë pozitë.

Kundër këtij vendimi doli deputeti Driton Selmanaj, pasi sipas tij në listën e kandidatëve nuk ka aplikuar njeriu që VV-ja po dëshiron ta zgjedhë.

“Kam përshtypjen se nuk ka konkurruar njeriu që po doni me e zgjedhë, unë nuk i kam pa dosjet e kandidatëve”, tha Selmanaj.

Ndërsa deputetja Doarsa Kica kërkoi që me rastin e rishpalljes së konkursit, të kontaktohen të gjithë kandidatët dhe të sigurohet që të gjithë do të aplikojnë sërish.

Konkursi për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion ishte hapur më 20 maj të këtij viti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në të kishin aplikuar 21 kandidatë ndërsa ajo që bie më së shumti në sy, është fakti se asnjë grua nuk ka shprehur interesimin të konkurrojë për këtë pozitë.

E mungesën e kandidimit të grave për këtë pozitë e cilësoi turpëruese për Kuvendin, deputeti Hidajet Hyseni.

“Na turpëron fakti që i kemi 21 kandidatë burra dhe asnjë femër, unë pajtohem që ta ndryshojmë procesin pa i dëmtuar kandidatët që kanë aplikuar, jam për përseritje të konkursit dhe jo për anulim”, tha Hyseni.

Agjencia Kundër Korrupsionit është organ i pavarur për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe për parandalimin e korrupsionit në Kosovë.

Kjo agjenci ka për detyrë që të iniciojë dhe të përcjellë kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente.

AKK po ashtu mbikëqyrë dhe parandalon rastet e konfliktit të interesit si dhe mbikëqyrë pasuritë e zyrtarëve të lartë publik.