Express: U Kërcënuam me Bombë

Artikulli me titull “Pompa Uji?” informonte se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka dënuar për cilësi të dobët të karburanteve kompanitë Petrol Company, Baci Kompani, Delta Group, Rek Oil, Agro Kabashi, Usa Sh.p.k, kompaninë Kastrati dhe NP Pajtimi.  

Kryeredaktori i Gazetës Express, Leonard Kerquki, tha se “në telefonin e redaksisë por edhe të gazetarëve të Gazetës Express, kanë ardhur kërcënime dhe fyerje nga persona të lidhur me kompanitë e naftës”. 

“Ne e kemi  paraqitur rastin në polici dhe sot në zyrën tonë kanë qenë dy policë hetues që do të merren me këtë rast”, i tha ai, Gazetës Jeta  në Kosovë. 

Pas kërcënimeve kanë reaguar dhe dy shoqatat e gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Kosovës (AGPK) e ka dënuar fuqishëm këtë kërcënim dhe iu ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve tjera të drejtësisë që të zbardhin këto kërcënime. 

Edhe Unioni i Gazetareve të Kosovës (UGK) e ka dënuar ashpër një akt të tillë të kërcënimit, duke konsideruar se shkrimi i gazetës ka qenë në nivel të lartë profesional.

Jeta Xharra është shprehur e shqetësuar me kërcënimet që i bëhen gazetarisë hulumtuese në Kosovë. “Nafta është njëra ndër bizneset më fitimprurëse në Kosovë dhe nuk ka dyshim që konsumatorët kosovarë shërbehen më naftë jo kualitative. Storjet që ekspozojnë këtë janë në të mirë të publikut dhe duhet të konsiderohen si material për prokuroritë që të ndjekin kompanitë që mashtrojnë konsumatorët ashtu siç duhet të ndjekin autorët e kërcënimeve të bëra ndaj Gazetës Express” u shpreh ajo. 

Kërquki është shprehur se Gazeta Express qëndron prapa shkrimit të botuar në numrin e sotëm, dhe se edhe nesër, dhe gjatë ditëve në vijim, me fakte konkrete, do të shkruajnë për cilësinë e dobët të naftës që shitet në tregun e Kosovës.

“Kërcënimet me bomba, e as sharjet apo paditë në gjykata, nuk do të arrijnë të na zmbrapsin nga misioni ynë për t’i qitur në shesh manipulimet që po bëjnë bosët e naftës në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.