Enver Sekiraqa Gjykohet në Dubravë

Enver Sekiraqa nuk do të ketë më nevojë të udhëtojë nga burgu i Dubravës në Prishtinë, për të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor kundër tij, ku figuron si i dyshuar për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Ai nuk do të ketë arsye as ta ndërrojë këmishën e papastër, siç bëri përpara se të dalë para trupit gjykues në seancën e së mërkurës së 24 prillit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj vendosi që shqyrtimi gjyqësor për lëndën penale sulm ndaj personit zyrtar, me numër P 2923/05, të zhvillohet në ambientet e burgut të Dubravës.

Këtë vendim të 28 majit trupi gjykues e bazoi në nenin 286 dhe paragrafin 2 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Sipas këtij neni kur lokalet e gjykatës nuk janë të përshtatshme për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, atëherë kryetari i gjykatës mund të caktojë që seanca të mbahet në ndonjë ndërtesë tjetër.

Përcaktimi i një lokacioni tjetër përpos objektit të gjykatës mund të bëhet për mungesë hapësire ose për arsye të rrezikshmërisë së lartë.

Seanca gjyqësore në burgun e Dubravës, e drejtuar nga gjykatësi Vesel Ismaili, kundër Enver Sekiraqës dhe katër të pandehurve tjerë pritet të zhvillohet më 28 qershor.

Bashkë me Enver Sekiraqën, të pandehur janë edhe Ilir Abdullahu, Naim Sekiraqa, Salih Sekiraqa dhe Rahim Avdullahu.

Në vitin 2005 në Swiss Casino kishte ndodhur një përleshje mes Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës, policit që më pas u vra.

Në vitin 2007 Sekiraqa u përfshi edhe në një incident me policinë speciale në Ferizaj.  Ai dyshohet se në gusht të vitit 2007 ka organizuar vrasjen e policit Triumf Riza, ndërsa më pas u largua në drejtim të panjohur, duke u arratisur edhe jashtë shtetit.

UNMIK-u e kërkoi Sekiraqën në vitin 2007 me fletarrest ndërkombëtar, ndërsa i shumëkërkuari u vetëdorëzua te EULEX-i në tetor të vitit të kaluar.

Ai aktualisht ndodhet në burgun e Dubravës, ku po vuan një dënim për sulm ndaj personave zyrtarë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar edhe më parë për Enver Sekiraqën.