Edhe Vushtrria me Kamera (TV)

Autoritetet komunale në Vushtrri kanë vendosur që të instalojnë kamera në rrugët kryesore të qytetit, në disa sheshe dhe ambiente tjera publike me qëllim që t’i bëhet kontroll më i mirë qytetit dhe të ndikohet në parandalimin e veprimeve të ndalueshme.

Bahri Bivolaku, zëdhënës i komunës, thotë se vendosja e kamerave do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e qytetarëve, sigurinë në komunikacion të fëmijëve nëpër shkolla, në mosdëmtimin e ambientit etj.

Sipas tij, iniciativa ka ardhur nga anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, organ i përbërë prej akterëve kryesorë të institucioneve lokale për siguri.

Ai shtoi se baza e atyre kamerave do të vendoset në stacionin e policisë në Vushtrri dhe do të jetë projekt i mbikëqyrur prej tyre.

Edhe komandanti i sapoemëruar i stacionit policor në Vushtrri, Bashkim Spahiu, mendon se vendosja e kamerave në qytet është një projekt i domosdoshëm.

“Vendosja e kamerave do të ketë një refleksion shumë pozitiv në kuptim të parandalimit të veprave penale, por edhe për kapjen e kryesve të tyre”, thotë Spahiu.

Vendosjen e kamerave kanë filluar ta aplikojnë edhe qytetet e tjera të Kosovës.

Një projekt të tillë, së fundmi e ka filluar edhe komuna e Mitrovicës, atje ku situata e sigurisë vlerësohet më e brishtë.

Ahmet Jashari, drejtori për informim i komunës së Mitrovicës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se edhe në këtë komunë me vendosjen e kamerave, synohet të rritet niveli i sigurisë.

 “Kamerat do të vendosen në jug të qytetit, përderisa ato mbi urën e Ibrit ka kohë që janë të vendosura”, tha Jashari.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar në fillim të këtij muaji për rolin e këtyre kamerave dhe implikimet ligjore nëpër të cilin vendosja e tyre duhet të kalojë, duke sjellur edhe përvojat me këto kamera nga shtetet tjera në botë.