Ushqimi i zyrtarëve policor, Foto: KALLXO.com

Katër muaj pas shpalljes së tenderit nënshkruhet kontrata milionëshe për ushqim të zyrtarëve policorë

Pas më shumë se katër muaj nga shpallja e tenderit, Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratën për të cilin ishin parashikuar 5.5 milionë euro për furnizim, përgatitje dhe servim të ushqimit për nevojat e policisë.

Kontrata është nënshkruar më 23 nëntor me kompaninë “Beni Dona” me një kohëzgjatje prej 36 muajve apo tre vjetëve. “Beni Dona” ishte një nga dy kompanitë që kishte aplikuar në këtë tender. Kompania tjetër ishte grupi i OE-ve “Global Parajza” & “Edukimi Muhamet Rashica”, e cila kishte dorëzuar ofertën mbi 11 euro më shtrenjtë sipas vlerës së çmimit të peshuar apo 47.91 euro. Ndërsa oferta e kompanisë “Beni Dona” sipas çmimit të peshuar ishte 36.26 euro.

Njoftimi për kontratë i këtij tenderi milionësh ishte shpallur më 10 korrik 2023. Tenderi është pezulluar dy herë për shkak të kërkesave për rishqyrtim në Policinë e Kosovës.

Fillimisht, më 24 korrik 2023 ishte pezulluar për shkak të kërkesës për rishqyrtim nga ana e kompanisë “Buquku SHPK”. Policia e Kosovës i kishte refuzuar kërkesën “Bukuqut” nën arsyetim se qëndrimet e kompanisë për ankesat nuk qëndrojnë.

Më 31 korrik sërish Policia e Kosovës kishte pezulluar aktivitetin e tenderit për ushqim, kësaj radhe pas kërkesës së kompanisë “Doni Fruits shpk”. Kjo kompani ka pretenduar në ankesën e saj se nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë dhe se Policia e Kosovës kanë shkelur mjetet për promovim të transparencës, specifikimet teknike. Policia e Kosovës e ka refuzuar edhe ankesën e dytë dhe ka vendosur që të vazhdojë me procedurat e tjera.

Më 12 shtator 2023, Policia e Kosovës e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Beni Dona”. Ndaj këtij vendimi është ankuar kompania “Global Parajsa”. Edhe kjo kërkesë u refuzuar nga Policia e Kosovës 

Më 28 shtator, kompania “Global Parajsa” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për tenderin për ushqim për Policinë e Kosovës, vlera e së cilës ishte parashikuar 5 milionë e 500 mijë euro. Në ankesën e kompanisë përmenden disa prej çështjeve të cilat pretendojnë se janë bërë shkelje nga ana e Policisë së Kosovës.

Kompania pretendon se më 3 korrik ishte bërë njoftimi për kontratë, një muaj më vonë ishte bërë hapja e ofertave ndërsa më 14 shtator ishte rekomanduar që kontrata t’i jepet kompanisë “Beni Dona shpk”.

Kompania po pretendon në ankesën e saj se “Beni Dona shpk” është e papërgjegjshme duke nisur nga ofertimi i çmimeve jo normalisht të ulëta.

Sipas ankesës së “Global Parajsa”, kompania “Beni Dona” ka ofertuar çmime për shembull nga një pako që ishte ofertuar me 4 euro e 20 centë, policia ka parashikuar çmim 6 euro e 94 centë, një tjetër pako ishte ofertuar me 4.75 centë ndërsa ishte parashikuar çmimi 6.81 centë.

Madje për pakon 19 sipas ankuesit, “Beni Dona” ka ofertuar çmimin 1.70 centë ndërsa policia kishte parashikuar 3.70 centë.

Ankuesi pretendon se “Beni Dona” në dy pako ka ofertuar çmime në të kaluarën nga 2.89 centë për pako e tani pas ngritjes së çmimeve ka ofertuar çmime të ulëta prej 1.70 centë.

 “Ky është jo seriozitet dhe manipulim nga ana e Operatorit Ekonomik të rekomanduar për kontratë vetëm për të fituar kontratën, prandaj është e pamundur të realizohen këto pako me këto çmime”- ka pretenduar kompania “Global Parajsa”.

Kjo kompani ka kërkuar sqarime se pse Policia e Kosovës nuk ka kërkuar detaje dhe nuk janë analizuar çmimet e pakove.

“Në mënyrë të njëanshme autoriteti kontraktues ka favorizuar operatorin ekonomik e rekomanduar me kontratë”- ka pretenduar ankuesi.

Kompania ka kërkuar që tenderi të kthehet në rivlerësim, ekzaminim dhe vlerësim të krahasimit të ofertave në harmoni me kërkesat e dosjes së tenderit.

Ankesa është deponuar më 29 shtator 2023. Më 4 dhjetor është autorizuar edhe eksperti për të trajtuar lëndën. Blerina Huruglica e ka dorëzuar rekomandimin për ankesën më 17 tetor 2023. Ekspertja shqyrtuese ka rekomanduar që të aprovohet si e bazuar ankesa e ankesën e “Global Parajsa”.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”- thuhet në rekomandimin e publikuar në faqen zyrtare të OSHP-së.

Ndryshe nga rekomandimi i ekspertes shqyrtuese, paneli shqyrtues i OSHP-së ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kompanisë “Global Parajsa” dhe e ka vërtetuar vendimin e Policisë së Kosovës.

“Është gjetur se Autoriteti Kontraktues ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurimin publik dhe kërkesat e Dosjes së tenderit” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli është përgjigjur edhe në lidhje me pretendimin e kompanisë “Global Parajsa” në lidhje me çmimet jonormalisht të ulëta të ofertuara nga kompania e rekomanduar për kontratë.

“OE ankues nuk ka ofruar dëshmi argumente dhe të dhëna konkrete që dërgojnë të vërtetimi i pretendimit apo klasifikimin e tij si i bazuar, ndërsa mbetet në diskrecion e AK-së (sipas dispozitave të LPP-së) që në këtë rast, duke pasur parasysh instrumentet ligjore që mund ti përdorë para dhe përgjatë implementimit të kontratës, siç janë rritja e sigurimit të ekzekutimit, menaxhimi i saj sipas kritereve standardeve dhe sasive të përcaktuara paraprakisht, e po ashtu bazuar në çmimet e ofertuara të krijojë bindjen se oferta e OE të rekomanduar nuk ka hapësirë manipulimesh si dhe krijim të vështirësive në implementim të kontratës” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së i ka hapur rrugë Policisë së Kosovës që të nënshkruar kontratën milionëshe me kompaninë “Beni Dona”.

Derisa është nënshkruar kjo kontratë, Policia e Kosovës ndërkohë ka nënshkruar dy kontrata me procedura të negociuara për ushqim për zyrtarët policorë. Njëra është nënshkruar në shtator e tjetra në tetor.

Ushqimi për policët – Kontrata e nënshkruar në tetor përmes procedurës së negociuar 

Më 23 tetor 2023, Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratën për shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) në kampet “Vrella” dhe “Belvedere” dhe në terren brenda territorit të Kosovës përmes procedurës së negociuar.

Në tenderin të cilin Policia e Kosovës kishte parashikuar 124 mijë euro, është nënshkruar me kompaninë “Beni Dona” me një kohëzgjatje prej 2 muajve. 

Shërbimet me ushqim sipas dosjes së tenderit duhet të bëhen çdo ditë ndërsa Policia e Kosovës ka kërkuar 14 pako të ndryshme të ushqimit të cilat do t’u servohen policëve.

Çmimi i ofertuar më i ulëti nga kompania “Beni Dona” është 32.97 euro ndërsa nuk është e specifikuar nëse e njëjta vlen për të gjitha pakot siç është përshkruar.

Në një pako siç thotë edhe dosja e tenderit policia ka kërkuar që tu servohet ushqim i cili është i përbërë nga fasulja në tavë me mish të terur, bukë integrale, ujë natyral, lëng pemësh, ndonjë frut të caktuar, jogurt frutash, sallatë shope.

Një pako tjetër është e përbërë nga dyneri në pjatë me oriz integral dhe patate të fërguara, bukë integrale, ujë natyral, lëng pemësh, ndonjë frut të caktuar, jogurt frutash, protein puding, një qese badem apo lajthi.

Pako 7 siç është në dosjen e tenderit tregon se përmbahet nga një skenderbeg me mish vici me oriz integral me perime, bukë integrale, ujë, lëng pemësh, përzierje me bajame e lajthi, supë shtëpie.

Pakoja tjetër përbën pjekje mish vici të freskët, bukë integrale, ujë, lang pemësh, sallatë e përzier, jogurt frutash, përzierje me bajame, lajthi dhe rrush i thatë.

Një pako tjetër flet për përzierje ushqimesh, gullash me mish vici të freskët dhe oriz integral, bukë integrale, krem supe brokoli ose kërpudha, sallatë me lakër të bardhë, një frut, lëng pemësh, ujë natyral.

Pakoja tjetër përfshin peshk të freskët të pjekur, bukë integrale, patate me brokoli të ziera, supë me perime, sallatë e gjelbër, lëng pemësh, ujë natyral.

Pakoja 11 përfshin copëza mishi të bardh të pulës, bukë integrale, makarona me brokoli, spinaq dhe kaçkavall, supë shpie me perime, sallatë e gjelbër me perime sezonale, një frut, ujë, lëng frutash. Pakoja 12 parasheh gjellë me mish vici dhe perime, bukë integrale, ujë natyral, lëng pemësh, përzierje bajame dhe lajthi, jogurt frutash. Pako 13 parasheh mish viçi me perime, bukë integrale, oriz integral, supë shtëpie me perime, sallatë me perime sezonale, lëng pemësh natyral, ujë natyral.

Pakoja 14 parasheh ushqim si llazanje në tavë, bukë integrale, supë perimesh, tarator, një frut, ëmbëlsirë me proteinë, lëng pemësh, ujë natyral.

Një pako tjetër është ë përbërë nga mishi i bardhë me oriz integral, bukë integrale, supë pule me perime, sallatë e gjelbër me perime, një frut, lëng fturash, ujë natyral.

Pako tjetër përfshinë mish të zier gjedhi, bukë integrale, krem supe, një frut, përzirje bajame dhe lajthi, lën frutash, ujë natyral.

Pako 17 e specifikuar nga policia duhet të përmbajë, pleskavicë me mish të bardhë, bukë integrale, ëmblësirë proteinike, një frut, lëng pemësh, ujë natyral.

Dhe pakoja e fundit është e përbërë nga speca të mbushur me mish gjedhi, ujë natyral, lëng frutash, një frut, jogurt frutash, ëmbëlsirë me proteina.

Ushqimi për policët – Kontrata e nënshkruar në shtator përmes procedurës së negociuar 

Në muajin shtator, Policia e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë tjetër përmes procedurës së negociuar për ushqim të thatë për nevojat e saj. Edhe për atë kontratë vlera e parashikuar ishte 124 mijë euro dhe ishte nënshkruar me kompaninë “Hajdini Comerc”. Me të parashiheshin katër pako ushqimore. Pako e parë ishte ushqim i thatë për policët e Kosovës, e cila përfshinte riskë gjedhi e paketuar në kanaçe, bukë integrale, ujë natyral, një frut, jogurt, krem djathi, çokolatë kalorike me proteina.

Pako tjetër përfshinte pashtetë pule në kanaçe, bukë integrale, sallatë e konservuar me tuna, çokolatë kalorike me proteinë.

Një tjetër pako përfshinë përshutë viçi i paketuar, kaçkavall, pije proteinike në shishe, bukë integrale, lajthi me badema dhe ujë natyral si dhe pakoja tjetër e fundit e me ushqim të thatë përmban, makarona me tuna dhe perime, jogurt me pemë, bukë thekre, ujë natyral e çokolatë me proteina.