Arnaud Gouillon gjatë dhënies së pasaportave dhe shtetësisë së Republikës së Serbisë në vitin 2015. Foto: CC-BY-SA-3.0-RS

E djathta ekstreme 'humanitare' e pretendon Kosovën si shembull paralajmërues

E djathta ekstreme ‘humanitare’ e pretendon Kosovën si shembull paralajmërues

Individë në të djathtën ekstreme franceze dhe grupe si ‘Solidarité Kosova’ po e avokojnë një version revizionist të asaj që ndodhi në Kosovë për ta shtyrë më tej një agjendë kundër imigracionit, dhe kjo është bërë pjesë e zgjedhjeve presidenciale të Francës.

Në mesin e qershorit të vitit të kaluar, tre furgonë futen në fshatin Ponesh në Kosovën lindore, të ngarkuar me mjete shkollore, rroba dhe këpucë për fëmijët serbë vendas.

Konvoji humanitar ishte një nga dhjetëra të tilla të organizuara nga OJQ-ja franceze ‘Solidarité Kosovo’ përgjatë 15 viteve të fundit, duke sjellë ndihma të grumbulluara në Francë për pakicën etnike serbe në Kosovë, ish-provincën e Serbisë me shumicë shqiptare e pavarur që nga viti 2008.

Synimi duket fisnik. Mirëpo humanitarizmi i Solidarité ndalon me kaq.

Zanafilla e saj, në fakt, qëndron në të djathtën ekstreme franceze, një lëvizje që e ka shfrytëzuar rastin e Kosovës – ku shumë shqiptarë identifikohen si myslimanë – si një mjet propagande për ta mobilizuar opinionin kundër multikulturalizmit dhe imigrimit mysliman.

Sot, Solidarité numëron lidhjet që shtrihen nga lëvizja globale rinore e ekstremit të djathtë, Generation Identity, deri te partia kundër imigracionit National Rally e kandidates franceze për president, Marine Le Pen, dhe më tutje deri në korridoret e ministrisë së jashtme serbe.

Në të vërtetë, themeluesi i saj, një shtetas serb i natyralizuar dhe i konvertuar në krishterimin ortodoks, i quajtur Arnaud Gouillon, tani e udhëheqë drejtorinë e ministrisë së jashtme për bashkëpunimin me serbët jashtë Serbisë, një organ që ka paguar afërsisht 40,000 euro për shoqatat serbe në Francë gjatë tri viteve të fundit. Pagesat për dy grupe të tilla – ‘Union of Serbs of France’ dhe ‘All Serbs in Paris’ (“Unioni i Serbëve të Francës” dhe “Të gjithë serbët në Paris”) – janë rritur qyshkur Gouillon mori udhëheqjen e drejtorisë së lartcekur në fund të vitit 2020, nga 1.5 milionë dinarë [12,700 euro] në vitin 2019 dhe vitin 2020 në 2.4 milionë dinarë [20,400 euro] në vitin 2021.

Ekspertët shohin në Solidarité dhe organizata të ngjashme si kjo, një përpjekje për ta riemërtuar të djathtën ekstreme dhe për ta krijuar një narrativë që e portretizon krishterimin në Evropë si të kërcënuar nga Islami.

“Aktet e bamirësisë janë një instrument i shkëlqyer për implementimin e kësaj, sepse perceptimi i publikut të gjerë për dikë që i ndihmon të tjerët nuk i vendos ata në kategorinë e fashizmit,” thotë sociologu Milosh Peroviq nga Universiteti i Novi Sadit në Serbinë veriore.

“Sigurisht, humanitarizmi i krahut të djathtë është dukshëm diskriminues, sepse ai gjithmonë i referohet një grupi të caktuar racor, etnik ose kombëtar.”

Dhe, duke i shtrembëruar të dhënat historike të asaj që ndodhi në Kosovë në vitet 1990, e djathta ekstreme ka hartuar një rast studimi.

“Konflikti në Kosovë nuk perceptohet si një konflikt etnik apo shkelje masive e të drejtave të pakicave kombëtare, apo pakicës, por këto ngjarje shihen si një luftë mes krishterimit dhe islamit,” thotë Predrag Petroviq, drejtor programi i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Beograd, BCSP.

“Kjo i shpërfaqë pasojat që në dukje do të ndodhin nëse nuk përballen me flukset gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive të refugjatëve dhe emigrantëve.”

Paratë

Sipas raporteve financiare të ‘Solidarité Kosovo’, kjo organizatë ka marrë më shumë se 650 milionë dinarë, ose afërsisht 5.5 milionë euro, në donacione ndërmjet viteve 2011 dhe 2018. Megjithatë më pak se gjysma e kësaj shume janë destinuar për njerëzit dhe organizatat në terren.

Në vitin 2015, për shembull, më shumë para u shpenzuan për mbledhjen e donacioneve sesa u alokuan në të vërtetë për misionin kryesor të organizatës, një model i parë gjatë gjithë viteve 2011-2015 – më shumë se 1.5 milionë euro u shpenzuan për paga dhe grumbullim donacionesh, ose tri herë më shumë se në organizimin dhe dërgimin e ndihmës për komunitetet e targetuara.

Pas vitit 2016, deri në raportin e fundit financiar të qasshëm dy vjet më vonë, dukshëm më shumë fonde u ndanë për operacione jashtë vendit.

Raporti i fundit, nga viti 2018, u përpilua nga firma pariziane Keycost, e udhëhequr nga Ivan Conic. Conic është i regjistruar edhe si arkëtar i Union of Serbs of France (Unionit të Serbëve të Francës). Keycost është listuar në faqen e internetit të të gjithë serbëve në Paris si ‘partner’ Zhvillues i faqes së internetit, është përkrahur nga Drejtoria për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Rajon, e udhëhequr që nga fundi i vitit 2020 nga Arnaud Gouillon, themelues i ‘Solidarité Kosovo’. Buxheti i Drejtorisë në fjalë për vitin 2022 është më shumë se 150 milionë dinarë [1.3 milionë euro].

Kosova në Ukrainë

Shtetasi i dyfishtë francezo-serb, Nikola Mirkovic ishte gjithashtu pjesë e një grupi vëzhguesish zgjedhor francez të përbërë kryesisht nga figura politike të krahut të djathtë që vëzhguan zgjedhjet në Ukrainën lindore, të cilat u hodhën poshtë si të paligjshme nga Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë. Foto: EPDE

“Solidarité Kosovo” nuk e fsheh interesimin e saj vetëm për një besim të caktuar, duke deklaruar në faqen e saj të internetit se punon “Në shërbim të të krishterëve të shtypur”.

Kjo organizatë u themelua në kohën e trazirave të turmave shqiptare kundër fshatrave dhe objekteve fetare të pakicës serbe në mars të vitit 2004, pesë vjet pasi sulmet ajrore të NATO-s i dëbuan forcat serbe nga Kosova. NATO ndërhyri në vitin 1999 për ta ndalur një luftë brutale kundër kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës, në të cilën Perëndimi i akuzoi forcat serbe nën Slobodan Millosheviqin për krime të luftës.

Në atë kohë, Gouillon ishte një pjestar i vjetër në lëvizjen Generation Identity, ‘Identitaires’.

Vëllai i tij, Bertrandi, gjithashtu ndihmoi në themelimin e organizatës, si dhe shtetasi i dyfishtë francezo-serb, Nikola Mirkoviq. Ata janë inkorporuar me Philippe Vardon, një ish ndihmës i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, e cila do ta sfidojë presidentin aktual Emmanuel Macron për ppozitën e Presidentit të Francës në zgjedhjet e prillit 2022.

Ky grup  financohet nga donacionet dhe shitja e mallrave të specializuara, punimeve artizanale dhe byzylykëve tetëeuroshe të cilat janë veshur nga figura të tjera të ekstremit të djathtë në Francë, mes tyre politikanë të National Rally, Bryan Masson dhe Julien Rochedy, të cilët u larguan nga National Rally në vitin 2014, të dy janë të ndërlidhur me lëvizjen ‘Identitarian’.

Solidarité e ka mbështetur krijimin e dokumentarit Kosova: Krishterimi në Rrezik (Kosovo: Christianity in Peril), me regji të Eddy Vicken dhe Yvon Bertorello, i cili u shfaq premierë në Paris në prill të vitit 2017 në kinemanë ikonike Grand Rex.

Më shumë se një e treta e buxhetit të Solidarité për vitin 2017 u shpenzua për fushatën, mbledhjen e fondeve dhe prodhimin e dokumentarit.

Një vit më pas, Solidarité ndau mjete financiare për prodhimin e një libri të Mirkoviq të titulluar ‘Mirë se vini në Kosovë’ (Welcome to Kosovo) dhe i cili u prezantua në Qendrën Kulturore Serbe në Paris nën kujdesin e Unionit të Serbëve të Francës (Union of Serbs of France).

Identitarët (The Identitarians)

Lëvizja e ekstremit të djathtë, Generation Identity, u themelua në Francë, por u bë një rrjet pan-evropian me degë që u shfaqën në Austri, Gjermani, Britani dhe vende të tjera.

Kjo lëvizje bazohet në islamofobinë, etnocentrizmin, hegjemoninë kulturore dhe racore. Në mars të vitit 2021, Franca i ndaloi aktivitetet e lëvizjes mëmë ‘Génération Identitaire’.

Disa ekspertë e shohin ‘Solidarité Kosovo’ si një satelit serb të lëvizjes, kryesisht për shkak të përfshirjes së mëparshme të Gouillon si kreu i degës së Grenoble të ‘Juenesses Identitaires’, i riemërtuar më vonë ‘Identitaires’ dhe paraardhësi i ‘Génération Identitaire’. Ai ishte kandidat i partisë ‘Identitarian’ për zgjedhjet presidenciale franceze në vitin 2012, por u tërhoq para ditës së votimit.

Megjithatë, interesat e Mirkoviqit dalin përtej Kosovës. Ai është gjithashtu pjesë e shoqatës ‘Vostok France Solidarité Donbass’, e cila shpërndan ndihma në Ukrainën lindore, ku Rusia nxiti një rebelim të armatosur në vitin 2014.

Përtej vizitave ‘humanitare’, Mirkoviq është takuar më parë edhe me liderin rebel Alexander Zakharchenko, i cili u vra në vitin 2018, udhëheqësin aktual të Republikës Popullore separatiste të Donetskut, Denis Pushilin dhe Alexander Zaldostanovin, mik i presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i klubi të çiklizmit të Ujqërve të Natës (Night ëolves biker club).

Në vitin 2018, Mirkoviq ishte gjithashtu pjesë e një grupi vëzhguesish francezë të zgjedhjeve të përbërë kryesisht nga figura politike të krahut të djathtë që vëzhguan zgjedhjet në Ukrainën lindore, të cilat u hodhën poshtë si të paligjshme nga Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë. Dhe në vitin 2016, ai iu bashkua shtetasit franko-rus Xavier Moreau në një tryezë të rrumbullakët me udhëheqësit e Republikës Popullore të Donetsk.

Moreau dhe Mirkoviq ishin të dy pjesë e një nisme të nisur në vitin 2019 për ta detyruar Francën ta anulojë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Franca. I përfshirë ishte edhe Alexis Troude, një historian konservator dhe anëtar i lartë i Unionit të Serbëve të Francës. Në vitin 2014, Troude mori pjesë në shfaqjen në Paris të një filmi për Serbinë gjatë Luftës së Parë Botërore, i veshur me një bluzë me fytyrën e liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili po vuan dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë viteve 1992-1995. lufte ne Bosnje.

Vetëm vitin e kaluar, Unioni i Serbëve të Francës pranoi 1.5 milionë dinarë [12,700 euro] në financim të projektit nga ministria e jashtme serbe; shoqatës ‘Të gjithë serbët në Paris’ iu ndanë 900.000 dinarë [7.600 euro].

As Drejtoria e Ministrisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Rajon, as Gouillon apo shoqata ‘Të gjithë Serbët në Paris’ nuk iu përgjigjën kërkesave për të dhënë një koment.

Unioni i Serbëve të Francës tha: “Interesi ynë është ta forcojmë komunitetin tonë në shoqërinë franceze, dhe në këtë mënyrë ta forcojmë praninë tonë dhe të fitojmë një pozicion më të mirë për t’i arritur qëllimet tona. Ne nuk kemi dhe nuk duam të kemi asnjë lidhje me asnjë opsion politik. Secili prej nesh mund të jetë ose jo i përkushtuar ndaj një opsioni politik, por si Union, ne kemi vetëm interesin e komunitetit.”

Sipas Peroviq nga Universiteti i Novi Sadit, nuk është për t’u habitur që serbët e diasporës duhet t’i mbështesin kauzat nacionaliste.

“Diaspora që u largua nga vendi ynë gjatë socializmit [epokës jugosllave] ishte praktikisht e vetmja pjesë e popullit serb që e propagandoi hapur nacionalizmin e madh serb në atë periudhë,” tha ai.

“Ajo pjesë synonte për vete rolin e zërit të diasporës serbe, duke u përpjekur ta transformojë ideologjikisht edhe atë pjesë të diasporës ekonomike e cila më pas shkoi për të punuar përkohësisht në vendet evropiane nga të cilat nuk u kthye më asnjëherë.

Shkaqe të tjera mund të gjenden në “nivel emocional”, tha Peroviq, dhe “në psikologjinë e emigrantëve që formojnë ide për atdheun e tyre duke jetuar jashtë tij”, të paprekur nga problemet politike brenda tij.

Petroviq i BCSP tha për aktivitetet e tyre humanitare: “Ka të bëjë më shumë me propagandë dhe shënim rezultatesh sesa ndryshimi i situatës në terren.”

Kosova dhe kauza kundër imigracionit

Shtetasi i dyfishtë francezo-serb Nikola Mirkoviq (i dyti nga e majta) me shtetasin francezo-rus Xavier Moreau. Foto: Facebook / Screenshot

E djathta ekstreme e pëlqen ta mbajë Kosovën si një rast studimi në teorinë e “zëvendësimit të madh”, kulminacionin e dukshëm të dekadave të kolonizimit të tokave historike serbe nga shqiptarët myslimanë dhe një këshillë për kontinentin evropian.

Është një pikëpamje e çoroditur për historinë, por megjithatë ka zënë rrënjë në mesin e ndjekësve të lëvizjeve të tilla si ‘Generation Identity’, të cilët paralajmërojnë që të krishterët e bardhë do të bëhen pakicë në Evropë. Në vitin 2021, kandidati presidencial i së djathtës ekstreme franceze, Eric Zemmour tha se kishte frikë nga “përsëritja e skenarit të Kosovës në Francë”.

Specialisti anti-emigrant u gjobit me 10,000 euro në janar pasi deklaroi përmes ekranit televiziv në vitin 2020 se fëmijët e pashoqëruar emigrantë ishin “hajdutë”, “përdhunues” dhe “vrasës”.

Franca është terren pjellor për ndjenjat kundër emigrantëve, tha Petroviq i BCSP.

“Disa parti rreth qendrës kanë filluar t’a rishikojnë politikën e tyre për migrantët që nga fillimi i pandemisë, gjë që tregon vetëm se kjo temë është shumë, shumë e rëndësishme,” tha ai.

“Natyrisht, e kemi tërheqjen amerikane nga Afganistani dhe sërish një valë tjetër. Ekziston frika se nëse nuk janë terroristë apo ekstremistë, atëherë do të punojnë për shumë për më pak para. Përveç kësaj, ata nuk bëjnë vetëm punë rasti, tradicionale, por në mesin e popullatës migrante kemi edhe nga ata që janë shumë të kualifikuar.”

Teoria e “Zëvendësimit të Madh”

Besimi në supremacinë e racës së bardhë e mbështet lëvizjen ‘Identitarian’, një pikëpamje etnocentrike e botës, e justifikuar nga dallimet e supozuara të patejkalueshme kulturore midis popullatës së bardhë dhe jo të bardhë.

Teoria e “Zëvendësimit të Madh” paralajmëron që të krishterët e bardhë po bëhen pakicë në Evropë, me adhuruesit që shfrytëzojnë krizën e migrantëve dhe refugjatëve si një shembull të qartë.

Në paraqitjet e tij publike në Serbi, Gouillon ka folur për nevojën e rritjes së natalitetit si “qëllimin numër një të të gjithë Evropës”. Ai po ashtu qëndron para Iniciativës për Rritjen e Natalitetit dhe që Rinia të mbetet në Serbi.

Ky artikull është publikuar në bashkëpunim me VOICE.