Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova në 14 vjet shtetësi

Kosova sot feston 14-vjetorin e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, mes ngecjeve, sfidave dhe arritjeve në më shumë se një dekadë shtetësi.

Ky përvjetor e gjen sërish Kosovën si të vetmin vend në rajon që nuk e gëzon liberalizimin e vizave.

Ndonëse Komisioni Evropian në vitin 2018 ka konfirmuar se Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të  vizave, si dhe një vit më vonë Parlamenti Evropian votoi në favor të këtij procesi, tashmë ka mbetur në vullnetin e vendeve anëtare, përkatësisht Këshillit të bllokut evropian, që të vendosë për këtë çështje.

Liberalizimi i vizave është njëra prej temave që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, por që ende mbetet i parealizuar.

Njohjet

Në 14 vjet shtetësi, Republika e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e vendit është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021.

Njohja nga ky vend erdhi nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.

Kjo marrëveshje bëri bujë, pasi ndonëse solli njohjen nga Izraeli, për një vit stopoi aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas moratoriumit të rënë dakord mes palëve.

Për Serbinë, thuhej se “do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kosova ende nuk njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

“Gratë me Krahë” të Kosovës

Obelisku i pavarësisë së Kosovës i vendosur në qendër të Prishtinës, “New Born” edhe këtë vit do të ketë pamje të re, me temën “Gratë me Krahë”.

Kësaj radhe, monumenti do t’i kushtohet vajzave dhe grave të Kosovës, për suksesin e tyre por edhe për dhunën dhe abuzimet që kanë përjetuar në familjet e tyre.

Autori i obelsikut “New Born”, Fisnik Ismaili kërkoi qytetarë vullnetarë për të realizuar idenë e tij për të martën dhe të mërkurën.

“Winged Women – Gratë me Krahë, është tema sivjet, ku monumenti NEWBORN, bashkë me krejt juve, kemi me i jepë grave krahë. Me i trajtue barabartë edhe me iu ndihmue me u ngritë çdo moment!”, ka shkruar ai në Facebook.

Monumenti “New Born” është zbuluar në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, dhe portretizon lindjen e re të shtetit të Kosovës.

Dialogu me Serbinë

11 nga 14 vjetët e shtetësisë, zhvillimet politike në Kosovë i ka karakterizuar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i nisur në vitin 2011.

Gjatë këtij procesi, shumë marrëveshje janë nënshkruar por pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Vitit 2022 ka nisur me kërkesat e faktorit ndërkombëtar kundrejt të dyja vendeve që t’u kthehen bisedime dhe të punohet drejt një marrëveshje përfundimtare, e cila duket të jetë vështirë e arritshme këtë kohë.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

Kosovës po i kërkohet të zbatojë këtë marrëveshje, ndërsa Qeveria e vendit thotë se e njëjta është e pazbatueshme.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Në aspektin politik, në 14 vjet pavarësi, janë ndërruar shumë qeveri dhe janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në këto vite, asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka mbajtur mandatin e plotë 4-vjeçar të qeverisjes.