Dyshohet se Është Dëmtuar Një Pjesë e Arkivit

(E plotësuar)

RTK ka njoftuar nëpërmes një komunikate shtypi se zjarri ka shpërthyer rreth orës 2:30 të mëngjesit të sotëm, në deponë ndihmëse të Arkivit të Televizionit të Kosovës.

Për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në tërë objektin e Televizionit, deri në orën 10:30 nuk ka qenë e mundur të transmetohet programi.

“Përmes një forme alternative, në pritje të përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Televizioni ka filluar të transmetojë programin e vet. Njoftojmë audiencën se menjëherë pasi të krijohen kushtet elementare teknike, RTK – Televizioni do të vazhdojë normalisht transmetimin e programit”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Flora Ahmeti, zyrtare për media e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha se tash për tash nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri.

Ajo konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë filluar të bëhen ekzaminimet e nevojshme, kurse me ndihmën e zjarrfikësve, rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, flakët janë shuar.

“Me rëndësi është që të lënduar nuk ka. Përveç krim teknikës, aty është edhe zyrtari i komunës i cili në bashkëpunim me policinë do të hartojë raportin përkatës për vlerësimin e shkaqeve të zjarrit”, tha zëdhënësja Ahmeti.

Disa punonjës të RTK-së, të informuar me zhvillimet, i thanë Gazetës JnK se zjarri ka nisur në bodrumin që ka shërbyer si arkiv. “Dyshohet se zjarri ka nisur nga një kabllo elektrike”, tha një punëtor, i cili nuk dëshiron t’i publikohet emri.

Në këtë vend gjendet pjesa më e madhe e arkivit të RTK-së. Një pjesë e saj e vogël dyshohet se mund të jetë dëmtuar.

“Në vendin ku i doli flaka ka disa shirita të një teknike tjetër VPR dhe i gjithë materiali i xhiruar për këto 12 vjet të RTK-së”, tha një punëtor tjetër i RTK-së.

Zjarri Ndërpret Transmetimet e RTK-së

Zjarri që ka rënë në ndërtesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka bërë që të ndërpritet tërësisht transmetimi i programit televiziv. Incidenti ka ndodhur sot rreth orës 2:30, pas mesnate.

Të lënduar nuk ka, por për shkak të rrezikut nga ndonjë avari më e madhe, zjarrfikësit kanë kërkuar që të ndërpritet rryma në tërë ndërtesën.

Bekim Hasani, drejtor i Televizionit, gjatë një deklarate të tij dhënë Radio Kosovës në mëngjesin e sotëm, ka thënë se zjarri fillimisht ka rënë në njërën nga bodrumet e ndërtesës së televizionit.
“Aty është edhe një pjesë e arkivit. Dëmet nuk janë shumë të mëdha në arkiv, por për shkaqe sigurie, është dashur të ndërpritet energjia elektrike në tërë ndërtesën”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, shkaqet e rënies së këtij zjarri ende nuk dihen. “Në fillim punëtorët e ndërrimit të natës janë munduar ta fikin zjarrin, por meqë zjarri ka qenë më i madh, atëherë ata kanë lajmëruar zjarrfikësit”, tha drejtori i Televizionit.

Hasani ka sqaruar se për shkak të vështirësive të zjarrfikësve për të depërtuar më shpejt me pajisjet e tyre në bodrumin e ndërtesës ku ishte zjarri, atëherë edhe tymi ka përfshirë ndërtesën nga brenda.

“Me sugjerimin e policisë dhe të zjarrfikësve është dashur të ndërpritet energjia elektrike dhe rreth orës 6 të mëngjesit është ndërprerë tërë transmetimi televiziv”, tha Hasani.

“Sapo të qartësohet situata, stafi është i gatshëm menjëherë të rinisë transmetimin”.

Ndërkohë, sipas portalit të RTK-së, zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin dhe kanë konstatuar se flaka ka ardhur nga një zyrë e Arkivit Qendror në bodrumin e ndërtesës.