‘Doktoresha’ e mistershme dhe pa diplomë që kreu praktikën në Mitrovicë

Edhe pse diplomimi në mjekësi është kriter për të bërë stazh si mjek, Valmire Sadriu ka arritur të bëjë stazh në dy Qendra të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë për 3 deri në 4 javë, pa u vërejtur fare.

Verën e vitit të kaluar, ajo kishte bërë stazh në QMF-të në Bare dhe në Iliridë të Mitrovicës, deri atëherë kur stafi zbuloi se ajo nuk ka pasur kualifikimet e duhura.

Për t’u bërë pjesë e një institucioni shtetëror aq të rëndësishëm, Sadriu nuk e pati të vështirë.

Ndonëse e padiplomuar, Valmire Sadriu ka bërë stazh në QMF-të në Bare dhe në Iliridë të Mitrovicës.

Krejt çka asaj i është dashur për të arrirë këtë ka qenë të thoshte se “e ka dërguar Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fevzi Sylejmani”.

Sylejmani në një intervistë për KALLXO.com përshkroi se si ka ndodhur kjo.

Sylejmani rrëfen se tek Valmire Sadriu ishte paraqitur te shefat e këtyre dy qendrave duke thënë se kinse e ka dërguar ai që ta kryejë stazhin. Kaq kishte majftuar që ajo të nis punën rreth 3-4 javë, gjatë muajve gusht ose shtator.

Për këtë, ajo nuk ka paraqitur asnjë dokument.

“Deklarativisht e ka kry praktikën, mirëpo nuk ka kurrfarë dokumenti që ka prezantu që ajo është me titull doktor i mjekësisë” – tha ai.

Në raste normale, ai tha se stazherët zakonisht kryejnë stazhin në qendrën kryesore, për t’i pasur më shumë nën kontroll. E kur ata ndodh të dërgohen në qendra të tjera, shefat e qendrave përkatëse lajmërohen nga drejtori që një stazhier do të shkojë.

Shefat e këtyre qendrave, ndonëse nuk pranuan një lajmërim të tillë, nuk kishin dyshuar në fjalën e Valmira Sadriut dhe e kishin lejuar të kryejë praktikën, pa prezentuar asnjë dokument.

“Nuk kanë dyshu, se nëse kishin dyshu me siguri s’kishin kalu as dy orë, ata kishin lajmëru menjëherë, patjetër kishin lajmëru. Se i njoh janë punëtorë të zellshëm të devotshëm edhe e kanë që me i çu senet përpara” – u shpreh Sylejmani.

KALLXO.com pyeti atë nëse mendon se ka dështuar komunikimi mes hallkave ose ka munguar një mekanizëm që ka dërguar te kjo ndodhi. Ai tha se kur është aktivizuar mekanizmi, atëherë është rregulluar puna. Ndërsa, tha se komunikimi i tyre i brendshëm ndodh në baza ditore.

Çfarë thonë shefat e qendrave ku ajo ka punuar?

Shefja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ilridë, Fehmije Mehmeti tha se ndoshta ka qenë dobësi e saj që nuk ka dyshuar dhe nuk ka kërkuar dokumente nga ajo.

Mehmeti tregoi se Sadriu ka qenë shumë e interesuar për punë. Një detaj tjetër, që tha se nuk e ka bërë të dyshojë, ka qenë publikimi i Sadriut në disa portale lokale, si doktoreshë e diplomuar në Universitetin e Tetovës që do të specializojë në Londër.

Shefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bare, Vllaznim Hoti thotë për KALLXO.com se pas interesimit të Valmires dhe deklarimit të saj se ka dërguar drejtori Fevzi Sylejmani, ai kishte ndërmarrë disa hapa.

Ai thotë se ka folur me kryeshefen e QKMF-së, Sanije Klinikaun.

“Ajo ka ardhë në emër të drejtorit. Kur ka ardhë atë ditë unë i kam thanë – “Kush të ka thanë me ardhë te na në stazh?”. “Unë kam folë me drejtorin”. Eh mirë, hajt ti tash unë e rregulloj. Tani e kam lajmëru shefen dhe i kam thanë, “Është lajmëru një person, po thotë që është mjeke, është lajmëru që e ka çu drejtori. Ju merrni vesh aty, këqyrni, kush është, çka është, se unë s’pe njoh, e fol me drejtorin këqyr çka po thotë ai, a e ka çu ai a jo” – tha Hoti.

Për këtë kërkesë, Vllaznim Hoti thotë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga kryeshefja Klinaku, por megjithatë nuk ia kishte pamundësuar Valmire Sadriut që të nis me punën.

“Ajo ka qenë e nxane ato kohë në komisione për punësimin  e mjekëve në komunë…. Ajo si duket ka shku tani nëpër komisione, çdo ditë kanë pas intervista. Nashta i ka dal prej mendjes, nashta ka harru, s’po di, normal se ajo i ka 100 obligime” – tha Hoti për KALLXO.com.

Kryeshefja, Sanije Klinaku mohoi këtë pretendim, duke thënë se nuk është njoftuar fare nga Vllaznim Hoti për këtë çështje.

“Jo nuk m’ka kontaktu Vallznimi. Unë të kallxova, e kam thirr unë për naj qëllim tjetër edhe ai ka thanë e këna qetu një çikë që ka ardhë me kry praktikë edhe unë i kam thanë na çikë s’kemi çu atje. S’është e vërtetë që m’ka kontaktu…E sakta, që kemi marrë informatë, ka qenë prej kësaj doktoreshës që na ka thirr direkt” – thotë Klinkau.

Si u zbulua që Valmire Sadriu nuk ka qenë doktoreshë?

Pjesëtarë të stafit të QKMF-së i treguan KALLXO.com se Valmire Sadriu kishte shkuar në këtë qendër, si e afërme e një pacienti dhe kishin kërkuar që atij t’i jepet një terapi.

Stafi mjekësor nuk kishte pranuar që ta japë atë terapi pa recetë të mjekut.

Sipas tyre, Valmire Sadriu kishte shkuar me një “recetë”, në një letër të bardhë, të paprotokoluar e të pavulosur nga mjeku.

Ajo fillimisht kishte pretenduar se atë e ka shkruar një mjek, por pasi që stafi mjekësor e ka udhëzuar që ta marrë një recetë të vulosur, ajo ka thënë se është vetë doktoreshë dhe punon në QMF.

Atëherë, stafi kishte ngritur dyshime dhe i kishte ndarë me drejtorin e QKMF-së, Fevzi Sylejmani.

Sylejmani tregoi se pas pranimit të kësaj informate, ka kërkuar nga ajo dokumentet e nevojshme. Siç tha ai, Sadriu ka thënë se do ia sjellë pas disa minutave, mirëpo më nuk është paraqitur asnjëherë më në institucion.

“E kemi thirrë normal si menaxhment, që t’i kërkojmë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili i mundëson edhe i lejohet me e kry stazhin profesional mjekësor, pas edukimit themelor domethënë, pas diplomik, i cili në ndërkohë me kurrikulë, në mjekësinë familjare i ka rreth 30 ditë. Meqenëse, personi në fjalë, nuk ka mujt me prezentu kurrfarë dokumenti, ajo në ndërkohë e ka lëshu institucionin. Ma nuk kemi asnjë informate për të” – tregoi kreu i QKMF-së për KALLXO.com.

Ai tha se nuk kanë iniciuar rast në organet e drejtësisë, pasi nuk mendon se është kryer ndonjë vepër penale.

“Nuk ka kryer kurrfarë vepre penale përveç asaj që është prezantuar si mjeke e faktikisht nuk ka qenë” – thotë Sylejmani për KALLXO.com.

Mister është edhe mosha e saj. Drejtori tha se kanë informata që është moshë e re, por nuk e dinë sigurt.

Pasojat e këtij “stazhi”

Sylejmani tha se “doktoresha” e vetëquajtur nuk ka mundur të dëmtojë në asnjë mënyrë shëndetin e pacientëve, sepse asnjë stazhier nuk mund të shkruajë terapi.

Sipas tij, ata që mbajnë stazh mund të vëzhgojnë vetëm punën e doktorëve, prej të cilëve mbikëqyren.

Terapitë e diagnostikimet bëhen vetëm nga mjekët e licencuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Nuk ka të drejtë absolutisht në qoftë se nuk e ka faksimilen me vulë dhe numrin e licencës që e merr në Odën e Mjekëve të Kosovës, asnjë dokument nuk mundet me shkru, jo në Mitrovicë por kurrkund në Kosovë” – thtoë drejtori i QKMF-së.

Sipas tij, e vetmi dëmtim që ajo ka shkaktuar, është shpenzimi i energjisë së tij dhe të stafit për t’u marrë me të.

Megjithatë, ajo ka pasur qasje në të dhënat e pacientëve, përderisa ka qenë prezentë në kontrollën dhe ekzaminimin e pacientëve.

Cilat kushte duhen plotësuar për të bërë stazh si doktor?

Për të kryer stazhin si doktor nëpër institucione shëndetësore në Kosovë, kriteri i parë është diplomimi. E më pas duhet bërë licencimi në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sylejmani tha se pas këtyre dy hapave, ata mund të drejtohen në QKMF që të kryejnë stazhin e cila është pa pagesë dhe e obligueshme. Për këtë, nuk nevojitet të hapet një konkurs.

Përgjegjësi i stazhierit nënshkruan librezën dhe e konfirmon që e ka kryer stazhin. Tutje, doktorët i nënshtrohen provimit profesional dhe licencohen nga Oda e Mjekëve.

Për t’u punësuar, ata duhet të aplikojnë në konkurse të hapura.

Ndërkaq, për praktikën që kryhet gjatë viteve të studimeve, tregoi Valon Krasniqi, Prodekan për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Ai tha se studentët që janë ende në studime në Universitetin e Prishtinës, i kryejnë praktikat nëpër Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

E vetmja praktikë që ai tha se mund të kryhet nëpër QKMF është nga një lëndë në vitin e tretë, të cilën tregoi se e quajnë praktikë ndërprofesionale.

Krasniqi tha se UP-ja nuk ua lejon studentëve praktikën në një shtet tjetër, ndërsa nëse Universiteti i Tetovës ua njeh studentëve të tij, atëherë është çështje tjetër.

Megjithatë, sipas pjesëtarëve të stafit të QKMF-së me të cilët ka biseduar KALLXO.com, Sadriu nuk është paraqitur si studente, por vetëm është shprehur me fjalë se është doktoreshë e mjekësisë.

Çfarë thotë Valmire Sadriu?

KALLXO.com ka provuar të takohet me Valmire Sadriun, por e njëjta nuk ka pranuar ta takohet. Ajo ka thënë se ka probleme shëndetësore dhe sapo të jetë më mirë do të pranojë të flasë.

Përmes telefonit, në kontaktin e parë, ajo ka thënë se ka studiuar 3 vite mjekësi në Universitetin e Tetovës.

“Unë e kam pas veç praktikë mujore. Kjo praktika që është, jo stazhin, po praktikën që e bojnë 10-15 ditë. Jo 6-mujorshin” – shtoi ajo.

Për këtë praktikë, ajo tha se ka shkuar te drejtori, por pasi që nuk e ka gjetur aty, është drejtuar te shefat e 2 qendrave të tjera. Ajo mohon të ketë thënë se e ka dërguar Fevzi Sylejmani, por u ka treguar që Sylejmani nuk ka qenë aty.

Pasi që ky i fundit i ka kërkuar dokumentet e nevojshme, Sadriu tha se ka pasur probleme shëndetësore dhe nuk ka mundur të shkojë më.

Pas një muaji pritje, KALLXO.com ka kontaktuar sërish me Sadriun përmes telefonit.

Kësaj radhe ajo ka thënë se pas Universitetit të Tetovës është regjistruar edhe në një kolegj privat në Kosovë.

E pyetur për moshën e saj, në dy raste, ao kishte dhënë përgjigje të ndryshme. Herën e parë kishte deklaruar se ka lindur në vitin 1999, e herën e dytë tha në vitin 2001.

Shefja e QMF-së në Iliridë, Fehmije Mehmeti tha se asaj Vlamire Sadriu iu ishte paraqitur si 26-vjeçare.

Në një dokument të siguruar nga KALLXO.com, figuron se ajo ka lindur më 2002, që do të thotë se në kohën e stazhit, ka qenë 20-vjeçare.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.

“Personi Valmira Sadriu është paraqitur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Bare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Iliridë si dhe në Sektorin e Mjekimit Urgjent në QKMF e në cilësinë e Doktorit (të sapodiplomuar) të Mjekësisë dhe ka kërkuar mbajtjen e praktikës profesionale (stazhin e obliguar pas përfundimit të diplomimit, i nevojshëm për licencim)” – tha ai.

Shabani shtoi se në Bare ka vazhduar nga 15 gusht deri më 9 shtator, ndërsa në Iliridë ka vazhduar edhe për dy javë të tjera, e pas Iliridës ka vazhduar në Sektorin e Mjekimit Urgjent në QKMF.

Siç tha ai, për shkak të moskompletimit të dokumentacionit të nevojshëm për praktikë profesionale (diploma, libreza e stazhit, etj.), por edhe për shkak të sjelljeve jo korrekte ndaj personelit dhe në raport me rregullat e praktikës profesionale, është urdhëruar nga menaxhmenti i QKMF-së që të largohet nga QKMF , të gjitha QMF-të dhe AMF-të e Kujdesit Parësor të Mitrovicës.

Në anën tjetër edhe Oda e Mjekëve të Kosovës konfirmon se Valmire Sadriu nuk është anëtare e kësaj ode, si mjeke e licencuar.