Financat e partive politike - Foto: REL/Shutterstock

'Deja Vu’ në tenderët e Kuvendit për auditimin ‘kuletës’ së partive politike

Pasqyrat vjetore financiare të subjekteve politike në Kosovë, bëhen më të besueshme nga publiku kur ato iu nënshtrohen procesit të auditimit.

Kuvendi i Kosovës i cili është përgjegjës të kryej procedurat tenderuese, tash e sa kohë po ballafaqohet me probleme në blerjen e këtyre shërbimeve.

KALLXO.com gjeti se nga viti 2017 e këndej, Kuvendi i Kosova ka hapur disa herë tender e më pas i ka anuluar në mungesë të ofertave.

Një gjë të tillë e konfirmon edhe sekretari i Kuvendi të Kosovës, Ismet Krasiqi. Ndryshe, në dhjetorin e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, ka miratuar projektligjin për financat e partive politike ku si risi e këtij projektligji është edhe përzgjedhja e auditorëve të cilët i auditojnë financat e partive politike.

Në shkurt të viti 2017, Kuvendi I Kosovës hapi tender t’i auditoj raportet vjetore financiare dhe ato të deklarimit financiarë të fushatës të subjekteve politike për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016.

Për të realizuar këtë auditim, Kuvendi kishte zotuar 120,000 euro. Ky tender u anulua pas dy muajve. Arsyeja e anulimit të këtij tenderi ishte se vetëm një tender u pranua dhe ai doli të jetë i papërgjegjshëm.

Në muajin maj të 2017-ës, Kuvendi sërish hap thirrje, kësaj here sipas njoftimit, u pranuan dy tender ku njëri nga ta u vlerësua i përgjegjshëm. Tenderi i kompanisë N.SH. “Audit & Conto ” Sh.p.k. me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 118,320 euro.

Me kompaninë e sipërpërmendur nënshkruhet kontratë.

Në muajin prill të viti 2018, tender të njëjtë Kuvendi i Kosovës hapi edhe për auditimin i raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitin 2017. Nuk u pranua asnjë tender dhe Kuvendit iu desh ta anuloj këtë aktivitet prokurimi.

Të njëjtin fat e pati, edhe thirrja tjetër për kontratë, e rishpallur një muaj më vonë.

Kontratën për të realizuar këtë auditimi, Kuvendi e arriti të nënshkruaj në muajin shkurt të 2019-ës, pasi procedurat kishin nisur në javën e fundit të muajit nëntor 2018.

Me kompaninë N.SH. ” Audit & Conto ” Sh.p.k, Kuvendi nënshkroi kontratë në vlerë 46,800 euro.

Për dallim nga tenderi paraprak, i cili qe anuluar, Kuvendi pati zotuar 30,000 euro, ndërsa për këtë tenderi vlera e parashikuar ishte rritur deri 46,800 euro.

Tri herë radhazi, dështoi edhe një tjetër nismë e prokurimit nga Kuvendi i Kosovës për të blerë shërbime audituese për auditimi raporteve vjetore financiare të vitit 2018, dështon. Mos pranimi i ofertave nga operatorët ekonomik të interesuar.

Një tjetër iniciativë e vitit 2020 e Kuvendit të Kosovës për të audituar “kuletën” e partive politike anulohet. Kuvendi planifikoj që të kryej auditim për dy vitet 2018 dhe 2019, duke parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 60,000 mijë euro, ndërsa nuk u pranua asnjë tender.

Një muaj më vonë, rihapet tenderi dhe sërish anulohet, pasi vetëm një operator ekonomik aplikoi dhe ai u vlerësua i pa përgjegjshëm nga Kuvendin i Kosovës.

Kuvendi sërish tenton me tender të ri, mirëpo nuk ja del për shkak të mungesës së ofertave për çështje.

Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës hap tender ku përveç auditimit të raporteve financiare të partive për vitet 2018 dhe 2019, për të cilat tenderët e mëparshëm u anuluan në mungesë të ofertave, në tenderin e viti 2021, Auditimi i raporteve vjetore financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike përfshinë edhe vitin 2020.

Madje vlera e parashikuar për kontratë ishte 109,200 euro. Me kompaninë e njëjtë e cila kishte audituar pasqyra financiare të kaluar N.SH. ” Audit & Conto ” Sh.p.k, u nënshkrua kontratë në vlerë 108,800 euro.

Situatë e njëjtë edhe sivjet

Raportet financiare dhe ato të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore, të partive politike të cilat morën pjesë në zgjedhjet e vitit të kaluar, pritej t’i nënshtrohen procesit të auditimit.

Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës hapi tender të kontraktoj operatorin ekonomik që do ta kryej këtë auditim. Buxheti i ndarë për të realizuar këtë proces kap shifrën e 30,000 euro.

Punët audituese, do të kryhen nëpër selitë e subjekteve politike. Ky tender anulohet për shkak të se asnjë tender nuk u pranua.

Ndërkohë ditën e djeshme, Kuvendi hapi tender të ri për blerjen e këtyre shërbimeve.

Sipas sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, cdo thirrje publike e ka një rezultat, dhe kur ka oferta ka sukses, kur nuk ka përsëritet.

Kraniqi për KALLXO.com thotë se kjo po ndodh në vazhdimësi ndërsa e lidhin edhe me fat përfundim me sukses të këtij lloj tenderi.

“Në vazhdimësi është kjo, na e zëjmë fat kur po mbaron. Krejt çka mundemi me ba mundemi me përsërit”, tha Krasniqi.

Kush është kompania e vetme që auditoi ‘kuletën’ e partive

Kompania N.Sh ” Audit & Conto ” ShPK, u regjistrua në shtator të vitit 2004 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), me kapital prej 2,500 euro. Bashkëpronar i këtij biznesi janë Ymer Shatri dhe Elmije Shatri.

Ky biznes si veprimtari primare ka përpunimin e të dhënave, hostimi i informacionit dhe aktivitetet e lidhura me to dhe si veprimtari tjera ka aktivitetet e kontabilitetit, libërmbajtjes dhe auditimit; këshillime tatimore.

Sipas të dhënave publike të prokurimit të hapur, kjo kompani nga viti 2018 deri në vitin 2021 mori 5 tenderë publik nga institucionet publike, shuma e përgjithshme 96,637 euro.

Kuvendi i Kosovës, “Trepça” Sh.A, “Trafiku Urban” Sh.A dhe Radio Televizioni i Kosovës janë institucionet lidhën kontrata me këtë kompani.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte publikuar pasqyrat e të hyrave dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2021.

Ndërsa, partitë politike u vlerësuan si jo transparente në financimin e fushatave sa i përket burimeve të financimit. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile ka mos përputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve pasi të gjitha partitë deklarojnë deficit të lartë  të shpenzimeve.

Qeveria me projektligj për financat e partive

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 29 dhjetor 2021, e ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Risitë që pritet të sjellë ky projektligj është përzgjedhja e auditorëve profesional për auditimin e raporteve të financave të subjekteve politike, dhe publikimi i raporteve financiare të partive politike.

Vendimi për inicimin e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji është marrë pas përfshirjes së kësaj çështje në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së.