Daka Fiton Edhe Një Post

Kuvendi i Kosovës me 58 vota pro e 13 kundër, miratoi emërimin e anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Sipas, kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbështetur  në përfundimet e kryesisë së Kuvendit, ia ka propozuar legjislativit tre gjykatës për Organin Përzgjedhës të Pavarur: Valdete Dakën dhe Nebojsha Boriqin nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Asllan Krasniqin nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Për emërimin e këtyre anëtarëve, nuk munguan kritikat nga deputetët e grupeve parlamentare të opozitës.

Deputeti Arben Gashi nga grupi parlamentar i LDK-së, tha se nuk është mirë që të emërohen të njëjtit njerëz nëpër pozita të ndryshme.

Ai tha se znj. Daka edhe pse mund të jetë një gjyqtare e mirë , është edhe kryetare e KQZ-së dhe në të njëjtën kohë po emërohet në këtë organ.

“Unë mendoj që Gjykata Supreme dhe gjykatat e tjera kanë njerëz të tjerë për të emëruar në këtë post”, shtoi Gashi.

Zgjedhjen e Valdete Dakës në këtë organ e kritikoi edhe Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne konsiderojmë, veçanërisht zonja Daka,  nuk ka dëshmuar as si kryesuese e KQZ-së të jetë as person me integritet, e as profesionalisht e formume, prandaj emërimi i kësaj në këtë komision vetëm sa e zgjatë këtë problem që po e kemi në KQZ dhe për këtë Lëvizja Vetëvendosje është kundër”, shtoi Ymeri.

Ky organ ka funksionuar  me vetëm tre anëtarë deri me 31 korrik të vitit 2013, pasi që i skadoi mandati kryetarit Hysni Hoxha dhe anëtarit Tefik Sylejmani.

Kuvendi i Kosovës në këtë seancë po ashtu miratoi edhe Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2012, formoi Komisionin ad-hoc  për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, emërimin e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Kosovare të pronës dhe emërimin e dy anëtarëve të Bordit të RTK-së.