Çika e drejtorit të Infrastrukturës në Gjakovë fituese e konkursit të Komunës për psikolog

Konkursin e Komunës së Gjakovës për psikolog në shkolla e ka fituar vajza e drejtorit të Infrastrukturës në këtë Komunë, Shkumbin Kastratit, Lediana Kastrati.

Ajo nga 23 kandidatë të cilët kanë marrë pjesë në procedurat testuese, ka përfunduar e para me total 75,5 pikë, po aq sa edhe kandidatja e dytë, të cilat janë përzgjedhur për t’u punësuar.

Edhe pse në testin me shkrim Lediana Kastrati ka përfunduar e gjashta me 67 pikë, në testin me gojë ajo ka arritur të fitojë edhe 84 pikë të tjera, duke përfunduar e para.

Drejtori Shkumbin Kastrati në një përgjigje për KALLXO.com e ka mohuar se ka pasur ndikim në përzgjedhjen e vajzës së tij në konkursin e Komunës së Gjakovës, duke thënë se nuk ka pasur as lidhje me konkursin.

“Normalisht që jo. Nuk është çështja ime, as nuk është drejtoria ime dhe as nuk kam pasë qasje” – ka thënë shkurtimisht përmes telefonit drejtori Kastrati.

Procedurat e dyshimta: Pesë anëtarët e komisionit e vlerësojnë me pikë fiks të njëjta vajzën e drejtorit

Konkursi për ‘Psikolog në shkolla’ ka qenë i hapur nga data 18 shkurt deri më 18 mars 2023, ndërsa pozita të lira kanë qenë pesë. Për këto pozita kanë aplikuar 23 kandidatë.

Anëtarë të komisionit vlerësues kanë qenë Bajram Salihi kryesues dhe Teuta Krasniqi, Zymber Berisha, Besarta Saraqini dhe Mërgim Delija – anëtarë.

Në testin me shkrim Lediana Kastrati është e renditur e gjashta me 67 pikë, ndërsa e para ka qenë kandidatja Elvira Pruthi që ka grumbulluar 80 pikë.

Por në testin me gojë janë ‘përmbysur’ pozitat. Pasi ka marrë 84 pikë nga komisioni vlerësues Lediana Kastrati është ripozicionuar e para me pikë totale prej 75,5 pikë. E dyta është renditur Adelina Rexhepi po ashtu me 75,5 pikë; e treta Njomza Morina me 75 pikë; e katërta Festina Mula me 74 pikë dhe e pesta Mirlinda Kusari me 72.5 pikë.

Por në poentimin që anëtarët e komisionit vlerësues i kanë bërë kandiatës Kastrati, e jo vetëm, KALLXO.com ka gjetur se pikët janë fiks të njëjta.

Anëtarët Bajram Salihi, Teuta Krasniqi, Zymber Berisha, Besarta Saraqini dhe Mërgim Delija, të pestët, në testimin me gojë e kanë vlerësuar kandidaten Lediana Kastrati me pikë të njëjta, secili me nga 84 pikë.

Vlerësimi i njejtë i anëtarëve për kandidatët është vërejtur në secilin prej 18 kandidatëve që i janë nënshtruar testimit me gojë.

Në lidhje me këtë, Teuta Krasniqi anëtare e komisionit dhe zyrtare nga Njësia e Burimeve Njerëzore që ka shpallur konkursin, për KALLXO.com ka thënë se vlerësimi ka qenë individual dhe sipas bindjeve të secilit anëtar.

Ajo nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen se si ka qenë e mundur që pikët të jenë të njëjta nga anëtarët e komisionit.

“Sa i përket vlerësimit nga ana e Komisionit ju informojmë se të njëjtit kanë bërë vlerësim individual profesional sipas bindjeve dhe njohurive të tyre, ndërsa kohëzgjatja e intervistës ka qenë e njëjtë për secilin nga kandidatet dhe secilit kandidat i është mundësuar koha e mjaftueshme që të jap përgjigje në secilën nga pyetjet e Komisionit” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Sipas saj, në intervistën me gojë kandidati vlerësohet për njohuritë, aftësitë apo cilësitë e kërkuara për profilin përkatës, që nuk mund të vlerësohet përmes testimit me shkrim.

Kandidatja Lediana Kastrati, sipas rezultateve të publikuara, do të punësohet në shkollën fillore ‘Mustafa Bakija’ në Gjakovë, ndërsa kandidatja e dytë e renditur në konkurs, Adelina Rexhepi, do të punësohet në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Fehmi Agani’. Tre kandidatet e tjera të renditura me radhë, do të punësohen në ndonjëren nga shkollat e Komunës, varësisht sipas nevojës.

Në anën tjetër, Shkumbin Kastrati në mandatin e parë dhe në fillim të mandatit të dytë të Ardian Gjinit në krye të Gjakovës, ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike. Më vonë, gjatë mandatit të dytë është emëruar drejtor i Infrastrukturës.