Çfarë thonë ekspertët për rezultatet e PISA 2018?

Pavarësisht pritjeve të mëdha, edhe këtë vit sistemi arsimor dhe nxënësit e Kosovës nuk kanë kaluar mjaft mirë në testin ndërkombëtar të njohur si PISA.

Në mesin e 79 vendeve, Kosova u rangua  e treta nga fundi dhe me një  rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

“PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë dhe këto aftësi maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Por, nxënësit kosovarë këtë vit performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

Nxënësit e Kosovës në vitin 2015 në shkencë kishin mesataren 378, kurse këtë vit ka shënuar rënie në 365, kështu duke shënuar ulje në -14 pikë të nivelit të mesatares, por kanë shënuar një rritje të vogël në lexim dhe matematikë.

Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare)

Testi PISA 2018 në Kosovë u mbajt nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA dhe ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Se nuk janë rezultatet që  i kanë pritur e ka pranuar edhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë prezantimit të këtyre rezultateve.

“Nga ajo çka kanë dalur rezultatet mund të them se nuk janë ato çfarë kemi pritur. Kur kam ardhur si ministër ishim vonë dhe menduam të bëjmë një organizim më të mirë dhe të bëjmë pilot teste, por s’janë ato që kishim dashur t’i kishim rezultatet”, ka thënë Bytyqi në një konferencë për media.

Ai shtoi se rënia e pikëve në shkencë është si pasojë për shkak të mbajtës së testit në mënyrë dixhitale.

“Pjesëmarrja për herë të parë në formë dixhitale ka ndikuar në test për shkencë por është një hap i mirë që jemi futur në test në këtë formë”, ka shtuar ministri në detyrë.

Kurse, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kërkoi kujdes në cilësinë e arsimit, pavarësisht, siç tha se është bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe pagat e mësimdhënësve.

Rezultatet e PISA-s, të pritshme dhe reale

Në anën tjetër, ekspertët e arsimit konsiderojnë se rezultatet e testit PISA 2018 kanë qenë të pritshme dhe reale, sepse sipas tyre nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje të veçantë për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Dukagjin Pupovci, njohës i fushës së arsimit nga organizata “Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se pavarësisht se ka pasur një përmirësim të rezultateve në lexim dhe matematikë rezultatet nuk janë për t’u dëshiruar.

“Tek ne nuk ka pasur ndonjë punë të organizuar drejt përmirësimit të rezultateve përveç disa përgatitje për test që janë bërë disa javë para testit, e të cilat mund të kenë qenë pozitive në ngritjen e vetëdijes por përmirësimi I gjendjes në arsim është ai I cili duhet të ndodhë para se të përmirësohen rezultatet”, ka thënë Pupovci.

Sa i përket deklarimeve të ministrit në detyrë, Shyqiri Bytyqi se bërja e testit në mënyrë dixhitale ka ndikuar në uljen e pikëve të fushës së shkencës, Pupovci nuk është pajtuar me këtë konstatim .

“Nëse është ashtu atëherë qysh është bë rritja e pikëve në lexim dhe matematikë, sepse edhe në ajo është në formë dixhitale edhe fëmijët tanë janë mirë të akomoduar në ambinetin dixhital, plus janë bërë përgatitje, nuk jemi një popullatëe që ska qasje në kompjuter që të jetë ky problem, mirëpo nuk është mirë të nxirren përfundime të tilla”, ka shtuar Pupovci për GJnK.

Sipas tij, çështja kyqe në të cilat Kosova duhet të fokusohet për përmirësimin e cilësisë së arsimit është leximi.

“Unë konsideroj që testi PISA qe dy herë është duke na treguar se në fushën e leximit duhet bërë përmirësime duke filluar nga klasa e parë dhe jo dy javë para mbajtjes së testit, sepse leximi ndërlidhet me të gjitha fushat. ME lexim po nënkuptojë aftësinë e të kuptuarit të leximit dhe të interpretimit të transkriptimit të informacionit tek pala tjetër”, ka thënë eksperti i arsimit.

Se rezultatet nga testi PISA 2018 paraqesin një përmbledhje valide dhe reale të arsimit në vend e thotë edhe eksperti i arsimit nga Instituti EdGuard, Rinor Qehaja.

“Ajo rritje qe është pritur dhe proklamuar nga MASHT nuk ka ndodhur. Një rezultat i tillë, nuk është befasues, dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe mos përgatitjes nga PISA 2015 më nuk qëndron, pra, dështimi është në cilësi te arsimit para universitar në vend, dhe për këtë përgjegjës është MAShT”, ka thënë Qehaja për Gazetën Jeta në Kosovë.

Qehaja ka shtuar se është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira, pasi që sipas tij MAShT nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore dhe aq më pak investime ne infrastrukture.

Eksperti ka thënë se rezultatet më të mira në teste të tilla nuk priten nga përgatitja një javëshe për nxënësit që do të testohen.

“Është e pa tolerueshme që rekomandimet nga PISA 2015 as qe janë shqyrtuar nga MASHT, dhe për këtë duhet te kërkohet përgjegjësi.  Rezultat i mirë ne PISA vie nga kurrikula, dhe jo nga përgatitja e nxënësve për test një jave me herët. Pikënisje e ndryshimit duhet te jete instalimi i llogaridhënies ne arsimin ne vend, përfshirë pikësëpari për të gjithë përgjegjës për këtë rezultat në testin PISA”, ka thënë Qehaja për gJnK.

Sektori i arsimit këtë vit është përballur me probleme të mëdha. Fillimisht, ishin kritikuar tekstet e reja shkollore të cilat janë hartuar nga MAShT dhe mungesa e tyre në shkolla, kurse Agjencisë se Kosovës për Akreditim (AKA), nuk iu ka vazhduar anëtarësimi në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!