Haradinaj: Duhet më shumë kujdes për cilësinë e arsimit

Pas publikimit të rezultateve të testit PISA 2018, kryeministri në largim Ramush Haradinaj tha se gjendja e arsimit në Kosovë është e vështirë.

Haradinaj kërkoi kujdes në cilësinë e arsimit, pavarësisht siç tha është bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe pagat e mësimdhënësve.

“Mendoj që personeli dhe gjithë të përfshirët duhet të jenë më të sinqertë me gjendjen në arsim. Nuk mundet të mohohet se kemi gjendje të vështirë. Është bërë përpjekje e vazhdueshme për t’u përmirësuar infrastruktura pagat me ecë përpara, por duhet bërë kujdes edhe në cilësi”, tha Haradinaj.

KALLXO.com ka publikuar sot raportin e rezultateve të testit PISA 2018. Ky test mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim, matematikë e shkencë.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse.

Ministri në largim i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në konferencën ku u publikuan rezultatet e PISA 2018, tha se kanë pritur një rezultat më të mirë./RTV21

Rrena e Bytyqit për përmirësimin në testin PISA 2018

www.kallxo.com