“Atentatori” Bëhet “Hajn”

Prokurori i EULEX’it, Pascal Persoon, në aktakuzën e re thotë se nuk ka gjetur asnjë provë për të akuzuar Fazli Sejdiun për vrasje të rëndë në tentativë të kryeministrit Hashim Thaçi, duke hequr këtë pikë të akuzës. 

Po ashtu, Sejdiut i hiqet edhe pika e akuzës për armbajtje pa leje, akuzë e cila ishte ngritur së pari nga ish prokurori Osman Mehmeti.

Më 6 qershor 2008, Fazli Sejdiu (1988) ishte plagosur nga policët të cilët ruanin shtëpinë e kryeministrit Hashim Thaçi në lagjen “Arbëria” ku ai kishte hyrë për të vjedhur.

Prokurori Persoon po ashtu nuk ishte bindur me faktet dhe as me aktakuzën e ish prokurorit Mehmeti sa i përket edhe të pandehurve të tjerër. 

Alban Geci, Kushtrim Geci dhe Orges Prelvukaj lirohen nga akuza për vepër penale moslajmërim dhe dhënie të ndihmës për Sejdiun.