Telashet e Ministrisë së FSK-së me zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Në katër vite, Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK) ka marrë gjithsej 24 rekomandime, shumë më pak rekomandime krahasuar me ministritë tjera. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë 10 rekomandime MFSK-së në vitin 2014, 5 rekomandime në vitin 2015, 4 në vitin 2016 dhe 5 rekomandime në vitin 2017.

Nga 24 rekomandimet sa i ka marrë në katër vite MFSK-ja, 12 prej tyre i ka adresuar, 4 kanë qenë në proces të adresimit dhe 3 nuk janë adresuar. Këtu nuk përfshihen 5 rekomandimet e vitit 2017 të cilat evidentohen nga Auditori në raportin e vitit 2018.

Në katër vite, MFSK ka marrë opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit.

“Sipas opinionit tonë pasqyrat financiare prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e Auditimit në vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017.

Numri i rekomandimeve për MFSK-në nga viti 2014 deri në vitin 2017

Vonesat në procedurat e prokurimit

Që nga viti 2014 deri në vitin 2017, në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK), Auditori ka gjetur vonesa në disa faza të aktivitetit të prokurimit. Kishte vonesa në procedurat për vlerësimin e tenderëve, në publikimin e ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ dhe vonesat në hapje të ofertave. Këto vonesa në procedurat për vlerësimin e tenderëve janë përsëritur në 2014 dhe 2016.

Në vitin 2014, Auditori ka gjetur që në disa lëndë ka pasur vonesa në procedurat e vlerësimit të tenderëve. Sipas Udhëzuesit operativ për prokurimin publik thuhet se procedura për vlerësimin e tenderëve duhet të kryhet nga Autoriteti Kontraktues brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave.

“Procesi i vlerësimit të tenderit do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve dhe jo më vonë se 96 orë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve”, thuhet në raport.

Vonesat në vlerësimin e tenderëve janë vërejtur te lënda “Ndërtimi i Servisit të automjeteve nëpër kazermat e FSK-së e ndarë ne katër llote”. Procesi i hapjes së tenderëve ishte bërë më 12.06.2014, ndërsa procesi i vlerësimit të tenderëve ishte bërë më datë 01.08.2014, pra 19 ditë vonesë.

Vonesa kishte pasur edhe te lënda “Ndërtimi i palestrës sportive në kazermën e FSK-së në Istog e ndarë në dy faza 2014 dhe 2015”. Këtu procesi i hapjes së tenderëve ishte bërë më datë 22.04.2014, ndërsa procesi i vlerësimit të tenderëve ishte bërë me 25 ditë vonesë, pra më datë 16.06.2014.

25 ditë ishte vonuar vlerësimi edhe te lënda “Ndërtimi i palestrës Sportive dhe Fitnesit në Kazermën e FSK-së në Prishtinë “. Procesi i hapjes së tenderëve ishte bërë më datë 06.06.2014, ndërsa procesi i vlerësimit të tenderëve ishte bërë me datë 01.08.2014.

Sipas Auditorit, vonesat në realizimin e procesit për vlerësimin e tenderëve rrjedhin si pasojë e mungesës së stafit në departamentin e prokurimit.

“Ministri duhet të siguroj kontrolle shtesë për të mundësuar që të gjitha proceset rreth vlerësimit të tenderëve të realizohen brenda afateve të përcaktuara ligjore. Ky do të jetë një faktor shtesë i cili do të ndihmon që realizimi i buxhetit të bëhet sipas planit të rrjedhjes së parasë”, thuhet në rekomandim.

Përveç vonesa në vlerësimin e tenderëve, në vitin 2014 kishte pasur edhe vonesa në njoftimin për dhënie të kontratës nga MFSK.

Sipas Udhëzuesit operativ për prokurimin publik, te njoftimi për dhënie të kontratës thuhet që nëse Autoriteti Kontraktues ka bërë dhënie të një kontrate Zyrtari i Prokurimit, brenda 2 ditëve pas dhënies së kontratës duhet të përgatisë njoftimin për dhënie të kontratës.

“Menjëherë pas përgatitjes së një njoftimi të tillë ZP do të dorëzojë atë në KRPP. Brenda 2 ditëve pas pranimit, KRPP-ja do të publikoj atë në faqen e tyre të internetit”, thuhet në raport.

Në lëndën “Ndërtimi i mureve mbrojtëse në Kazermën e FSK-së në Ferizaj” në vlerë 68,890 euro, procedurat e vlerësimit kanë përfunduar më 19 maj 2014, ndërsa njoftimi për dhënie të kontratës nuk është bërë deri më 27 qershor 2014, përkatësisht me mbi një muaj vonesë. Sipas Auditorit, vonesa ishte shkaktuar nga procedurat për zotimin e mjeteve shtesë.

“Ministri në bashkëpunim më zyrtarët përgjegjës duhet të përforcoj proceset dhe kontrollet që ndërlidhen më menaxhimin e projekteve. Në këtë mënyrë do të krijohen parakushtet për të respektuar të gjitha kërkesat e Legjislacionit në fuqi”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

50% e automjeteve motorike të MFSK-së kishin mbetur jashtë funksionalitetit për afro dy muaj si pasojë e skadimit të policës së sigurimit në vitin 2014. Kjo pasi kontratës për “Shërbimet e sigurimit të automjeteve të MFSK-së dhe FSK-së” i kishte skaduar afati me 14 gusht 2014, ndërsa kontrata e re kornizë nuk ishte nënshkruar deri më 11 dhjetor 2014.

Në raporti thuhet se shkaku i vonesave ishte kryesisht dështimi për të analizuar sa duhet pengesat të cilat mund të shfaqen gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit. Më tutje, vonesat i kishte shkaktuar edhe kthimi i lëndës në rishqyrtim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pas ankesave nga dy Operator Ekonomik.

“Ministri duhet të shtojë kontrollet mbi proceset e prokurimit, e në veçanti në inicimin e procedurave të prokurimit nga njësitë kërkuese, të cilat duhet të bëhen në periudha më të hershme. Vlerësimi i drejtë i mundësive dhe pengesave që mund të dalin gjatë realizimit të procedurave të prokurimit do të mund të risin efikasitetin dhe përmbushjen e planifikimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu në vitin 2014, Auditori ka vërejtur që 11 avanca në vlerë 5,135 euro ishin mbyllur deri në 60 ditë me vonesë. Por sipas Udhëzimit Administrativ për udhëtimet zyrtare, kërkohet që mbyllja e avancave të bëhet 15 ditë pas kthimit nga udhëtimi zyrtar.

Në raportin e auditimit thuhet se shkaku kryesor i këtyre vonesave ishte neglizhenca e zyrtarëve për sjelljen e dëshmive lidhur me shpenzimet e realizuara. Por në raport është theksuar se gjatë tre mujorit të fundit, MFSK ka shtuar kontrollet dhe të gjitha avancat janë mbyllur me kohë në përputhje më legjislacionin.

“Ministri duhet të siguroj se kontrollet lidhur me menaxhimin e avancave janë duke u monitoruar në vazhdimësi. Të gjithë personat që shfrytëzojnë avanca, të bëjnë barazimet e duhura brenda periudhës së kërkuar ligjore”, theksohet në raport.

Në vitin 2015, Auditori ka gjetur se në dy raste MFSK nuk ka arritur t’i arsyetoj vonesat e operatorëve ekonomik dhe përkundër kësaj nuk ka aplikuar ndëshkimet e parapara me kontratë për këta operatorë.

Në kontratat e nënshkruara në MFSK, saktësohet se për çdo ditë vonese të liferimit të mallit, Autoriteti Kontraktues do të aplikojë ndëshkimet prej 0,25% në ditë (max.10% e vlerës totale të porosisë).

Te kontrata për “Furnizim me Uniforma Standarde Kamuflazh për Nevoja të FSK-së”, në faturën në vlerë 404,000 euro, porosia është kërkuar të liferohet 90 ditë pas lëshimit të urdhër blerjes, e bërë me datë 18.02.2015, nga autoriteti kontraktues. Me përjashtim të një artikulli të faturës në vlerë 39,000 euro i cili ishte dorëzuar brenda afatit kohor, pjesa tjetër prej 365,000 euro ishte pranuar me vonesë prej 37 ditëve, me datë 26.06.2015. Vlera e ndëshkimeve sipas porosisë së vonuar do të duhej të ishte 33,763 euro.

“Ministri duhet të siguroj se janë forcuar kontrollet në menaxhimin e kontratave (respektimin e afateve kohore në realizimin e tyre) përfshirë edhe realizimin e pagesave. Në të kundërtën të aplikohen të gjitha ndëshkimet në pajtueshmëri të plotë me kushtet e kontratës”, thuhet në rekomandim.

MFSK po ashtu kishte shpërblyer me kontratë një operator ekonomik i cili nuk kishte plotësuar kriteret e përcaktuara.

Në dosjen e tenderit “Furnizim me çizme për nevojat e FSK-së” në vlerë 9,940 euro, te kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale, ishte kërkuar dorëzimi i garancionit për mallin e dorëzuar me vlefshmëri minimale prej 12 muaj. MFSK kishte shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik i cili nuk kishte sjellë dëshminë për plotësimin e këtij kriteri.

“Ministri duhet të përforcojë edhe më tej procedurat gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe nënshkrimit të kontratave, që të sigurohet se janë plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit”, theksohet në raport.

Njëjtë sikur në vitin 2014, edhe në vitin 2016 është përsëritur problemi me vonesën në procedurën për vlerësimin e tenderit. Në lëndën “Furnizim me material ndërtimor dhe pajisje për mirëmbajtje te objekteve të infrastrukturës përcjellëse të FSK-së”- Lot II, procesi i hapjes së tenderit është bërë me 15 prill 2016, ndërsa procesi i vlerësimit i filluar me 21 prill 2016 dhe ka përfunduar me 21 qershor 2016, apo me 30 ditë vonesë.

“Ministri duhet të përmirësoj nivelin e kontrolleve në mënyrë që vlerësimi dhe realizimi i projekteve të bëhet brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj”, theksohet në rekomandim.

Në vitin 2016, MFSK ka bërë planifikim jo të mirë të buxhetit për një aktivitet të prokurimit duke mos respektuar procedurat e Ligjit të buxhetit. Ligji i buxhetit për vitin 2016, përcakton lëvizjen e mjeteve të alokuara nga një projekt kapital në tjetrin brenda nën programit të njëjtë. Nëse kërkesa për alokime është mbi 25% të shumës së buxhetuar atëherë kërkohet aprovimi nga Kuvendi.

Në lëndën “Furnizim me pajisje për çminim për nevojat e FSK-së” Lot II, planifikimi për ketë kontratë ishte 50,000 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar me vlerë 98,856 euro, ose për afro 100% me e lartë.

“Ministri duhet të shtojë masat e kontrollit mbi njësitë e planifikimit, që gjatë hartimit të buxhetit për projekte kapitale të bëhet një llogaritje e arsyeshme dhe reale si dhe analizë më detaje e çmimeve të tregut. Bazuar në këtë planifikimi mund të jetë më i përafërt me realizimin e kontratave. Me tutje në rastet e tejkalimeve prej 25% të kërkohet aprovimi nga Kuvendi”, vazhdon rekomandimi.

Në vitin 2017, Auditori ka gjetur se në MFSK ka pasur vonesa deri në 26 ditë në vlerësimin e ofertave. Në raport thuhet se në katër raste procesi i vlerësimit kishte pasur vonesa nga 19 deri në 26 ditë.

Sipas Udhëzuesit Operativ për prokurimin publik, vlerësimi i tenderëve duhet të kryhet nga Autoriteti Kontraktues brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave.

Arsyet e vonesave të tilla sipas departamentit të prokurimit janë: mungesa e stafit në zyrën e prokurimit dhe zbatimi për herë të parë i platformës elektronike të prokurimit, me ç‘rast disa herë ka ndodhur që nuk ka funksionuar apo ka pas vështirësi në shkarkimin/ngarkimin e dokumenteve.

“Ministri duhet të kërkoj nga personat përgjegjës shtim të kontrolleve dhe të fokusit në ketë pjesë të procesit të prokurimit, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e rregullave të prokurimit dhe për të evituar vonesat eventuale në realizimin e projekteve të caktuara”, thuhet në raportin e auditimit.

Adresimi i rekomandimeve nga MFSK nga viti 2014 deri në 2017

MFSK me ushtrues detyre me mbi 3 vjet

Në vitin 2014 dhe 2015 në MFSK është përsëritur problemi me lidhjen e kontratave të përkohshme pa procedura të rekrutimit. Rekomandimet e Auditorit për mirëmbajtjen jo të mirë të dosjeve të personelit janë përsëritur në vitin 2015 dhe 2016 ndërsa në vitin 2017 është theksuar plotësimi i pozitave me ushtrues të detyrës deri në 3 vjet.

MFSK, për vitin 2014 kishte të planifikuar të ketë 3,024 punonjës, përfshirë këtu stafin civil dhe atë me uniformë, ndërsa të punësuar aktual për këtë periudhë ishin 2,960 punonjës (staf civil 227 punonjës, staf ushtarak 2,265, staf rezervë 417 si dhe 51 kadetë – kandidatë të përzgjedhur për shkollim në QSU/AUK).

Problem për vitin 2014 në MFSK është përmendur lidhja e katër kontratave të përkohshme pa procedura të rekrutimit. Prej tyre, një është kthyer i rregullt me procedura të rekrutimit, ndërsa tjerët vazhdojnë të jenë me kontrata të përkohshme.

“Ministri duhet të rishikoj arsyet për mos adresimin e rekomandimeve të AP-së dhe të përcaktoj masa shtesë për të ndërprerë praktikat e lidhjes së këtyre kontratave në këtë formë”, është thënë në raport.

Në vitin 2015, MFSK është evidentuar mirëmbajtje jo e mirë e dosjeve të personelit. Në pesë raste dosjet nuk kanë qenë të plotësuara me të gjitha dokumentet e kërkuara. Kanë munguar disa prej dokumenteve, si diploma, raportet e vlerësimit të performancës, evidencat e pushimeve, përshkrimi i detyrave të vendit të punës.

Në një rast tjetër, të pushimit të lehonisë, pagesat nuk ishin në përputhje me Ligjin për shërbyes civil, në të cilin 70% e pagës ishte paguar dy muaj më shumë se sa kërkesat ligjore. Po ashtu vendimi për pushimin e lartcekur ishte nxjerr me vonesë.

Rekomandimi nga viti 2014 për ndërprerjen e punësimit me kontrata të përkohshme, ende nuk është adresuar plotësisht edhe në vitin 2015. Sipas Auditorit, edhe më tutje janë tri raste të tё punësuarve me kontrata të përkohshme.

“Ministri duhet të sigurojë që dosjet e personelit janë azhurnuar me kohë, si dhe vlerësimet vjetore të performancës të kryhen dhe dokumentohen për të gjithë të punësuarit rregullisht. Në këtë mënyrë, krijohet baza për të shpërblyer të punësuarit sipas meritës dhe identifikohen fushat për përmirësim, e cila mundëson hartimin e një programi për zhvillimin e mëtutjeshëm të stafit. Më tutje të siguroj se rekomandimi i dhënë në vitet paraprake lidhur me ndërprerjen e punësimeve me kontrata të përkohshme të adresohet plotësisht”, vazhdon raporti.

Mirëmbajtja jo e mirë e dosjeve të personelit është përsëritur edhe në vitin 2016. Si rezultat i ekzaminimit të dosjeve nga Auditori, tri prej këtyre dosjeve nuk ishin plotësuar me të gjitha dokumentet e kërkuara. Kryesisht mungonin disa prej dokumenteve siç janë: diploma, pushimet, vlerësimet e performancës si dhe përshkrimi i detyrave të punës.

“Ministri duhet të sigurojë që të gjitha dosjet e personelit janë të plotësuara në përputhje me legjislacionin dhe azhurnohen me qëllim të përforcimit të kontrolleve të brendshme. Me tutje të sigurojë përshkrim të qartë të detyrave dhe përgjegjësive për të gjithë punonjësit e organizatës me qëllim të ngritjes së performancës së tyre dhe organizatës në përgjithësi”, theksohet në raport.

Në vitin 2017, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur se MFSK ka dy drejtorë të departamenteve janë caktuar si ushtrues detyre që nga viti 2014. Sipas Ligjit të Shërbimit Civil, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj.

“Ministri duhet të kërkojë nga personat përgjegjës që të inicohen procedurat për rekrutim për plotësimin e këtyre pozitave me stafit të rregullt, brenda një afati të arsyeshëm kohor”, thuhet në raport.

Ish-ministri i FSK-së, Haki Demolli – Foto: Facebook

Mangësi në realizimin e buxhetit 

Një ndër problemet që është evidentuar ndër vite në MFSK është realizimi i buxhetit jo në përputhje me planin kohor të rrjedhjes së parasë. Në vazhdimësi buxheti është shpenzuar në pjesën e fundit të vitit.

Në 2014 MFSK nuk kishte arritur të shfrytëzoj buxhetin në pajtim me planin kohor të rrjedhës së parasë. Kjo vërehet kryesisht te kategoria e investimeve kapitale. Vetëm në tremujorin e fundit ishte shpenzuar 62% e buxhetit për këtë kategori. Sipas Auditorit, mos realizimi i buxhetit sipas planit kohor të rrjedhjes së parasë e kanë shkaktuar vonesat në realizimin e aktiviteteve të prokurimit, përkatësisht vonesat në inicimin e kërkesave nga njësitë kërkuese.

“Ministri duhet të monitorojë në mënyrë sistematike përformancën buxhetore në baza mujore dhe të identifikojë dhe adresojë barrierat për të arritur nivelet e planifikuara në ekzekutimin e buxhetit, me theks të veçantë për investimet kapitale”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në vitin 2014, njësitë e planifikimit në kuadër të MFSK-së nuk kanë arritur të bëjnë analiza të mjaftueshme gjatë planifikimit të projekteve kapitale. Për pasojë vlera e kontratave të realizuara në disa raste tejkalonte vlerën e planifikuar mbi 50%. Sipas Auditorit, tetë projekte kapitale kishin tejkaluar planifikimin.

Te lënda “Halla sportive dhe e fitnesit në kazermën e Prishtinës”, vlera e planifikuar ishte 300,000 euro, ndërsa vlera e kontratës ishte 736,131 euro apo 145% mbi vlerën e planifikuar. Edhe te lënda “Furnizim me pajisje të rrjetit të TI-së”, vlera e planifikuar ishte 100,000 euro, ndërsa vlera e kontratës ishte 191,415 euro apo 91% mbi vlerën e planifikuar.

“Ministri duhet të shtojë masat e kontrollit mbi njësitë e planifikimit, në mënyrë që gjatë hartimit të buxhetit për projekte kapitale të bëhet një analizë më detaje e çmimeve të tregut. Bazuar në këtë planifikimi mund të jetë më i përafërt me realizimin e kontratave”, thuhet në raport.

Në vitin 2016, MFSK nuk kishte arritur të shfrytëzoj buxhetin për investime kapitale në pajtim me planin kohor të rrjedhës së parasë. Buxheti final për investime kapitale ishte realizuar 100%.

“Megjithatë nëse i shohim lëvizjet e buxhetit në këtë kategori në mes të buxhetit fillestar dhe atij final, shohim se kjo kategori nuk ishte menaxhuar sipas Programit për Investime Publike (PIP) si dhe planit të rrjedhjes së parasë”, potencohet në raport.

Si rrjedhojë e mos shpenzimit të buxhetit, kjo kategori ishte reduktuar për 2,874,876 euro. Gjithashtu dinamika e shpenzimeve nuk ishte e njëjtë në gjithë vitin. Në tremujorin e fundit ishin shpenzuar rreth 69% e shpenzimeve totale, ndërsa nga kjo vetëm në muajin dhjetor ishin shpenzuar 59%.

Shkaktarët kryesor të mosrealizimit të projekteve ishin, mos aprovimi nga Kuvendi i Ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit si dhe anulimet e prokurimeve nga OSHP-ja.

“Ministri, duhet të siguroj se është bërë një vlerësim i arsyeve në lidhje me nivelin e dobët të planifikimit të buxhetit. Ai duhet të sigurojë se përgatitja e buxhetit paraprihet nga një analizë e detajuar e cila pasqyron në mënyrë të plotë informatat përfshirë shpenzimet e vitit të kaluar/ndryshimet e pritura të vitit, etj. Performanca e buxhetit duhet të monitorohet në baza mujore dhe të adresohen barrierat e identifikuara në ekzekutimin e niveleve të planifikuara të buxhetit me fokus të veçantë në projektet kapitale”, theksohet në raport.

Realizimi i buxhetit për investime kapitale ishte sfidë me të cilën është përballuar MFSK gjatë vitit 2017. Buxheti final për investime kapitale është realizuar rreth 97%. Megjithatë sipas Auditorit në këtë kategori ka lëvizje në mes të buxhetit fillestar dhe atij final, me një reduktim prej 14,489,823 euro.

Në raport thuhet se dinamika e shpenzimit të buxhetit nuk ishte në harmoni të plotë me planin e rrjedhës së parasë, pasi që rreth 50% e buxhetit për investime kapitale ishte shpenzuar në tremujorin e fundit.

“Ministri duhet të sigurojë që performanca buxhetore është monitoruar në mënyrë sistematike në baza mujore dhe që ky rishikim i identifikon dhe adreson barrierat për realizim të buxhetit në nivel të planifikuar për projektet kapitale”, thuhet në raport.

Rrustem Berisha, ministri aktual i FSK-së

Pasuritë

Pasuria e neto e MFSK-së përfshirë edhe FSK-në, sipas regjistrit kontabël, në vitin 2014 ishte në vlerë 139,393,109 euro. Ndërsa stoqet në fund të vitit 2014, sipas sistemit E-Pasuria ishin 1,322,095 euro.

Në vitin 2014, MFSK nuk kishte hartuar një udhëzues të brendshëm që do t’i paraprinte aktiviteteve të komisionit për inventarizim të pasurisë. Mungesa e një udhëzuesi të tillë ka sjellë vështirësi gjatë punës së komisionit të inventarizimit për hartimin e raportit përfundimtar në pajtim me rregulloren financiare. MFSK nuk kishte arritur ta hartojë një raport të tillë edhe pse ishte rekomandim i Auditorit në raportin e auditimit të PVF-ve të vitit 2013.

Sipas rregullores, hartimi i Udhëzuesit të brendshëm mbi inventarizimin e pasurisë duhet t’i paraprijë inventarizimit.

Auditori ka gjetur se MFSK në vitin 2014 nuk kishte arritur t’i evidentoj të gjitha automjetet në regjistrat e saj kontabël. Një pjesë të automjeteve të cilat ishin të trashëguara, nuk ishin të evidentuara në regjistrat kontabël. Pas identifikimit të çështjes, në raport thuhet se MFSK ka ndërmarr masa të menjëhershme dhe ka evidentuar të gjitha automjetet në regjistrat kontabël.

“Ministri duhet të siguroj se Komisioni i inventarizimit të pasurisë, për çdo vit bënë regjistrim fizik të pasurisë, i cili më pas duhet të harmonizohet plotësisht me regjistrat e pasurisë. Ky regjistër duhet të bëhet brenda afateve të përcaktuara ligjore, si dhe duhet t’i paraprijnë përgatitjes së PVF-ve dhe shpalosjes së tyre”, vazhdon raporti.

Në vitin 2015, pasuritë neto me vlerë mbi 1,000 euro të MFSK-së ishin 146,323,188 euro. Ndërsa në vitin 2016, vlera e pasurive jo financiare kapitale mbi 1,000 euro e paraqitur në PVF ishte 152,744,765 euro, ndërsa vlera e pasurive jo kapitale nën 1000 euro ishte 1,846,027 euro si dhe stoqet në vlerë prej 322,182 euro.

Në vitin 2017, vlera e pasurive jo financiare kapitale me vlera mbi 1,000 euro e paraqitur në PFV ishte 145,785,598 euro, vlera e pasurive jo kapitale me vlera nën 1000 euro ishte 1,531,792 euro, ndërsa vlera e stoqeve e shpalosur në PFV ishte 2,156,371 euro.

Pasuritë e MFSK-së nga viti 2014 deri në vitin 2017

Rënia e borxheve të MFSK-së

Pasqyra e obligimeve të papaguara në fund të vitit 2014 sipas raporteve te prezantuara në thesar ishte 421,363 euro. Auditori në vitin 2014 ka gjetur raportim pasaktësi tek obligimet e papaguara në raportet mujore. Fatura e pranuar me 8 maj 2012 me vlerë 2,318 euro nuk është prezantuar në raportet e obligimeve të papaguara. Sipas raportit të pagesave, kjo faturë ishte paguar më 11 dhjetor 2014, e ekzekutuar nga thesari për zbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Po ashtu disa fatura të pranuara në muajin nëntor në vlerë prej 9,769 euro euro nuk ishin prezantuar në raportin e obligimeve të të njëjtit muaj. Megjithatë këto obligime janë prezantuar në raportin e obligimeve të muajit dhjetor 2014.

“Ministri duhet që të ndërmerr masa të nevojshme për të identifikuar shkaqet e mos raportimit të drejtë të obligimeve të papaguara, dhe të sigurojë se vlera e saktë e obligimeve përcjellët nga muaji në muajin vijues në pajtueshmëri me kërkesat ligjore”, ka theksuar Auditori.

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2015 ishte 542,583 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2016.

“Pjesa me e madhe e tyre ndërlidheshin me mungesën e zotimit të mjeteve dhe vonesave në pranimin e faturave”, thuhet në raport.

Borxhet e MFSK-së nga viti 2014 deri në 2017

Vlera e obligimeve të shpalosura në PVF-të e vitit 2016 ishte 462,578 euro. Këto obligime janë bartur për t`u paguar në vitin 2017. Në raport me vitin 2015, MFSK ka treguar progres në menaxhimin e faturave të papaguar, duke reduktuar obligimet në fund të vitit për 17%.

Vlera e obligimeve ishte 196,066 euro, dhe se këto obligime janë bartur për t’u paguar në vitin 2018. Në raport me vitin 2016, MFSK ka treguar progres në menaxhimin e faturave të papaguara.