Ilustrimi: Trembelat

‘Strofullat e prishura' të Shpend Ahmetit

Pas marrjes së besimit për të qeverisur me kryeqytetin e Kosovës si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, rruga politike e Shpend Ahmetit ka devijuar drejtimeve të ndryshme, por pa ndonjë triumf.

Ndonëse i ktheu shpinën VV-së, për të aderuar në Partinë Socialdemokrate përmes së cilës pati edhe aspirata për të drejtuar dialogun me Serbinë, të dielën e 15 dhjetorit ai njoftoi për dorëheqjen si kryetar i PSD-së, duke mos kandiduar në asnjë pozitë tjetër.

Goditja më e madhe ndaj partisë së Shpend Ahmetit, ishte humbja në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në të cilat garoi në një listë të përbashkët me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt.

Megjithëse partia e ish-kryeministrit arriti të hyjë në Kuvendin e Kosovës, e njëjta nuk ndodhi me PSD-në, e cila i kishte përkrahur disa ligje të qeverisë në legjislaturën e fundit, për të nënshkruar më pas koalicion parazgjedhor me AAK-në, nën sloganin “100% Kosovë”.

Rezultati zhgënjyes i zgjedhjeve, e shtyri Ahmetin të dorëhiqet nga PSD-ja, për t’u përcaktuar plotësisht në siç tha, përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017 për prishtinasit.

Nga ‘paqja në luftë’ me ish-partinë

Personi i dytë më i votuar dikur, Shpend Ahmeti i ndau rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje në mars të vitit të kaluar bashkë me 12 ish-deputetë të tjerë të këtij subjekti politik.

Fillimisht, ai bashkë me Glauk Konjufcën (VV), ishin angazhuar për të sanuar përçarjet brenda VV-së që dolën në publik përmes disa publikimeve të bisedave brenda anëtarëve të saj, por që misioni i tyre doli të jetë i pasuksesshëm.

Kohë më pas, përmes një letre zyrtare, Ahmeti dha dorëheqje nga VV-ja, duke deklaruar se motivi i vendimit për t’u larguar është se arsyeja për të cilën ai kishte hyrë në këtë parti “nuk është më”.

“Solidariteti, programi dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për kauzën dhe për njëri tjetrin ishin shtyllat më të fuqishme të aktivizmit politik të LVV”, kishte shkruar ai në këtë letër.

Javë më vonë, Ahmeti mori drejtimin e PSD-së, parti kjo e themeluar në vitet 1990 nga Kaqusha Jashari.

Kryetarit të ri të partisë, iu bashkuan edhe 12 deputetë të VV-së atë kohë, për ta formuar grupin e tyre parlamentar.

Pozicioni i tyre në Kuvendin e Kosovës dallonte nga ai i partive opozitare LDK-VV, pasi mes shumë kritikave PSD-ja vazhdonte përkrahjen e disa ligjeve qeveritare, në emër të ‘kushtëzimeve’ siç i quanin, për të mirën e vendit.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet dhe akuzat me ish-partinë e tij e detyruan Shpend Ahmetin t’i drejtohet edhe gjykatës.

Në shkurt të këtij viti, ai e paditi për shpifje Lëvizjen Vetëvendosje, duke deklaruar se prapa akuzave për një tender për furnizimin e shkollave në Prishtinë me qumësht fshihet lideri i VV-së, Albin Kurti.

“Ai e hedh gurin dhe e fsheh dorën… Do të ishte mirë të dilnim përballë në debat për të gjitha temat dhe të mos fshihej pas të tjerëve”, ishte shprehur Ahmeti.

Përpjekja antikushtetuese e Shpend Ahmetit për ta drejtuar dialogun Kosovë – Serbi

Më 15 dhjetor të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës u miratua një rezolutë e Partisë Socialdemokrate për dialogun Kosovë – Serbi, e cila përfshinte edhe formimin e të ashtuquajturit ekipi negociator për këto bisedime.

Udhëheqjen e këtij ekipi e morën Shpend Ahmeti (PSD) dhe Fatmir Limaj (Nisma), por me kundërshtimin e ashpër të opozitës (VV-LDK), ligji për dialogun përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit, në qershor të këtij viti konstatoi se delegacioni ishte antikushtetues.

Kushtetuesja kishte gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Shpend Ahmeti më pas e kishte pranuar vendimin.

“Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenesë ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurfarë rëndësie ligjore”, ishte shprehu ai.

Në anën tjetër, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve është pezulluar pas vendosjes së taksës 100 përqind nga Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Dështimi në zgjedhje i PSD-së

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit e përmbysën qeverisjen nga partitë që deri më tani kanë qenë në pushtet duke ia lënë rendin opozitës së deritashme.

Ndërkaq, nga votimet e vjeshtës së këtij viti, shumë deputetë nuk arritën të sigurojnë ulëse edhe për një mandat.

Një gjë e tillë i ndodhi edhe kandidatëve të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët nuk do të kenë asnjë përfaqësues në legjislaturën e shtatë të Kuvendit.

PSD-ja e cila në zgjedhje garoi bashkë me AAK-në, morën 96,872 vota apo 11.515 përqind.

Kurse, dy muaj pas zgjedhjeve, PSD-ja mblodhi kuvendin e brendshëm zgjedhor për të caktuar strukturat e reja të partisë.

Dardan Molliqaj u zgjodh kryetar i partisë me 83 përqind të votave.

Zgjedhja e tij në krye të PSD-së, erdhi pasi Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga kjo pozitë.