Spitaleve u tepron buxheti për produkte ushqimore

Spitalit të Gjakovës dhe Pejës ju ka tepru buxheti i ndarë për blerjen e produkteve ushqimore. Këto dy spitale kanë shpenzuar më pak mjete se sa shumat e ndara për furnizim me gjera ushqimore.

Madje, disa prej produkteve që ishin kontraktuar nuk janë porositur asnjëherë përkundër që të dy spitalet i kanë përfshi në listën e produkteve për të cilat kanë kërkuar oferta nga bizneset, në dy tendera të ndarë.

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka nënshkruar kontratën një vjeçare për “Furnizim me gjëra ushqimore” në muajin maj të vitit 2018. Me kontratën në vlerë 29,798.11 euro është shpërblyer kompania “A&B Market”. Kjo kompani ka dalë fituese me ofertën e tyre që përmban 34 produkte, ndërsa kontrata njëvjecare ka hyrë në fuqi më 11 maj 2018.

Gazeta JnK ka kërkuar qasje në të gjitha faturat dhe produktet që janë porositur nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës gjatë periudhës një vjeçare (deri me 11 maj 2019), në kuadër të kontratës “Furnizim me gjëra ushqimore”.

Në 30 faturat, në të cilat Gazetës JnK i është ofruar qasje, është parë që Spitali i Gjakovës ka porositur produkte në vlerë 7,169 euro më pak se sa ka qenë e parashikuar me kontratë.

Vlera totale e kontratës ka qenë 29,798.11 euro ndërsa përgjatë kohës sa ka qenë kontrata në fuqi, Spitali i Gjakovës ka porositur produkte në vlerë 22,629.06 euro.

Duke iu referuar Ligjit të prokurimit publik, autoritetet kontraktuese, në këtë rast Spitali i Pejës ka të drejtë të bëjë porosi 30 % më pak ose më shumë se sa vlera e kontratës kornizë.

Në bazë të faturave del që Spitali i Gjakovës i ka shpenzuar vetëm 75.95% të totalit të kontratës për blerjen e produkteve ushqimore, apo brenda 30 për qindëshit të lejuar me ligj.

Nga 34 produkte, Spitali i Gjakovës ka blerë 28 produkte më pak se sasia e ofertuar nga kompania “A&B Market”.

Spitali i Gjakovës ka porositur 3,082 lëngje 250 mililitra më pak se sa ishin ofertuar. Në ofertën e kompanisë kanë qenë 15,840 copë ndërsa janë porositur 12,758 copë. Edhe mjalta është njëri prej produkteve që është porositur më pak se sa është ofertuar. Kompania “A&B Market” ka ofertuar me 6,300 paketime të vogla të mjaltës ndërsa ka porositur 4,765 copë.

Pesë produkte të tjera, si salca e domateve, piperi i zi, piperi i kuq, sodë bikarboni dhe gotat e plastikës, janë porositur në sasi më të mëdha se sa kanë qenë në ofertë.

Piperi i zi në ofertë ka qenë 900 copë, ndërsa nga Spitali i Gjakovës janë porositur 1,450 copë, apo 550 paketime të pipereve të zi më shumë.

Edhe soda e bikarbonit bën pjesë te produktet që janë porositur më shumë se sa kanë qenë në ofertë. Kompania “A&B Market” ka ofertuar me 800 copë ndërsa Spitali i Gjakovës ka porositur 1,100 copë.

Disa prej produkteve që janë porositur në çdonjërën nga 30 faturat e këtij tenderi, janë: sheqeri, vaji i lulediellit dhe orizi. Përkundër që ishin porosit në secilën faturë, prapë sasia totale e blerë nga komuna ishte më e vogël se sa sasia e planifikuar në fillim.

Ndërsa dy prej produkteve që janë ofertuar por nuk janë porositur asnjëherë janë shpagetat dhe sallata e përzier e konservuar. Në ofertën e kompanisë “A&B Market” janë ofertuar 1600 paketime të shpagetave, me një çmim total prej 704 eurove dhe 400 paketime të sallatës së përzier të konservuar, me një çmim prej 165.20 euro. Por gjatë periudhës një vjeçare sa ka qenë në fuqi kjo kontratë, Spitali i Gjakovës nuk e ka porositur asnjëherë këto dy produkte.

Ndërrimi i qumështit

Gazeta JnK e ka analizuar edhe kontratën e nënshkruar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë për “Furnizim me artikuj ushqimor”. Kjo kontratë ishte nënshkruar me 15 prill të vitit 2018 me kompaninë N.T.P “Blendi-Sh” dhe kishte një vlerë prej 86,739 euro.

Oferta kësaj kompanie përmban 45 produkte kurse kohëzgjatja e kontratës ka qenë një vit, dhe ka skaduar më 15 prill 2019.

Gazeta JnK ka kërkuar qasje në të gjitha faturat dhe produktet që janë porositur nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës gjatë kësaj periudhe në kuadër të kontratës “Furnizim me artikuj ushqimor”.

Gjatë periudhës 1 vjeçare, në 12 faturat në të cilat Gazetës JnK i është dhënë qasje, është vërejtur që Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka porositur produkte në vlerë prej 22,370.6 euro më pak se sa vlera e kontratës.

Derisa kontrata mes Spitalit të Përgjithshëm të Pejës dhe kompanisë N.T.P “Blendi-Sh” është nënshkruar për 86,739 euro, Spitali ka shpenzuar vetëm produkte në vlerë 64,369.4 euro për blerjen e produkteve ushqimore.

Duke iu referuar Ligjit të prokurimit publik, autoritetet kontraktuese, në këtë rast Spitali i Pejës ka të drejtë të bëjë porosi 30 % më pak ose më shumë se sa vlera e kontratës.

Në bazë të faturave del që Spitali i Pejës ka blerë në minimum të kërkesave ligjore. Spitali i Pejës ka blerë 74.2%, apo në përputhje me limitin prej më pak se 30 për qindëshi i lejuar me ligj.

Spitali i përgjithshëm i Pejës nuk ka porositur asnjë nga këto produkte me rastin e hapjes së tenderit kishte kërkuar oferta nga bizneset edhe për margarinë, bishtaja, miell të tipit 400, limontoz, file pule dhe torte 30 gram. Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Spitali i përgjithshëm i Pejës nuk ka porositur asnjë nga këto produkte pasi e ka nënshkruar kontratën për furnizim me gjera ushqimore.

Në mesin e 45 produkteve, Spitali i Pejës kishte kërkuar oferta edhe për blerjen e 100 copa margarinë, 300 bishtaja, 500 kg miell të tipit 400, 500 limontozë, 300 file pule dhe 200 torte 30 gram.

Në ofertën kompanisë fituese, që ishin përfshirë edhe në kontratë, margarina kishte çmimin prej 40 centë, bishtajat ishin ofertuar me 1.8 euro, mielli i tipit 400 me vlerën 25 centë, limontozi është ofertuar me 5 centë, file pule mban çmimin 3 euro, ndërsa tortat 30 gramëshe mbanin çmimin prej 10 centë.

Në total, të gjitha këto produkte të pa porositura kushtojnë 1,650 euro, por asnjëra nga to nuk është porositur asnjëherë.

Nga 45 produktet e ofertuara në tenderin “Furnizim me artikuj ushqimor”, 43 prej tyre janë porositur më pak se sa janë ofertuar.

Marmelatë ‘ABI’ ishin ofertuar 60,000 copë, me çmim prej 10 centë ndërsa janë porositur 40,750 copë më pak. Pra Spitali i përgjithshëm i Pejës ka porositur gjithsej 19,250 marmelatë ‘ABI’.

Edhe kripa industriale në ofertën fituese ishte në sasinë 20,000 kg por gjatë kohëzgjatjes së kontratës për “Furnizim me artikuj ushqimor”, Spitali i Pejës ka porositur gjithsej 3,000 kg krip industriale ose 17 mijë kilogram më pak se sa oferta.

Përpos 42 produkteve që janë porositur më pak, ka edhe produkte që janë porositur më shumë se sa që janë ofertuar. Dy produktet që janë porositur më shumë se sa janë ofertuar janë peshku ‘Sardina’ dhe lëngjet me pip ‘Tango’.

Në ofertë ishin paraparë 5 mijë peshk ‘Sardina’ por janë porositur 5,800 dhe 16 mijë lëngje me pip ‘Tango’ por nga Spitali i Pejës janë porositur 308 copa më shumë, saktësisht 16,308.

Kompania N.T.P “Blendi-Sh” kishte ofertuar vetëm me qumësht ‘Megle’. Kurse në porosinë e Spitalit të Pejës, përveç qumështit ‘Megle’ kishte edhe qumësht ‘Vita’. Oferta ka qenë 70 mijë qumësht ‘Megle’ të sasisë 200 ml, ndërsa Spitali ka porositur 38 mijë paketime të këtij qumështi.

Në mes të kontratës, Spitali i Pejës nuk është furnizuar më me qumësht ‘Megle’ por ka filluar të furnizohet me qumësht ‘Vita’, të paketimit 1 litër. Nga fillimi i këtij furnizimi deri në fund të kontratës, Spitali është furnizuar me 4,500 paketime të qumështit ‘Vita’, edhe pse ato nuk kanë qenë në ofertën e kompanisë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.