Rreth tri javë në Fushë Kosovë nuk ka teste për COVID-19, ende nuk dihet data e furnizimit

Në derën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, në lagjen “Dardania”, në një fletë shkruan: “Nuk ka teste për COVID”.

Ky njoftim e ka shqetësuar banoren e kësaj lagje, S.O. e cila thotë se ka rreth 10 ditë rresht që shkon për t’u testuar për COVID – 19, por përgjigja i përsëritet edhe nga stafi shëndetësor: “Nuk ka teste”.

“Qe 10 ditë jam tu ardh rregullisht me bo testin për COVID dhe këtu kanë than nuk ka, deri sa e mora vesh, qe tri javë nuk ka teste për COVID”, tha ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com, ka vizituar këtë Qendër të Mjekësisë Familjare dhe ka marr konfirmim zyrtar se nga data 9 shtator, qendra nuk ka teste për të bërë testimin për virusin dominant  të kohës.

Osman Maxhera, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, thotë për KALLXO.com, se kërkesën për t’u furnizuar e kanë drejtuar në Ministri të Shëndetësisë dhe në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunë.

“Prej datës 9 shtator nuk ka teste. Ne e kemi pas një sasi të testeve që jemi furnizuar prej Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Maxhera.

Ai tha se paraprakisht kërkesën e kanë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, por kanë marr përgjigje se Ministria nuk ka pasur teste në stok. E paralel kërkesës drejtuar MSH-së, ata i kanë shkruar edhe komunës së Fushë Kosovës.

“Paralel ju kemi drejtuar edhe Drejtorisë së Shëndetësisë së Komunës. E kemi bo kërkesën për një furnizim sa më të shpejtë me procedura sa më të shkurtuara me sasi prej 3 mijë teste deri sa të shohim se çka do të ndodh prej anës së MSh-së”, tha ai.

Maxhera tha diku para rreth 10 ditësh, e kanë drejtuar kërkesën në MSh. Ndërkaq, tha se nga Komuna kanë marr premtim që për një periudhë deri 10 ditore do të mund të furnizohen.

KALLXO.com, ka marr përgjigje edhe nga zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës Ali Topalli. Ai tha se me furnizimin me teste merret Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria është kompetente për mi furnizu QKMF-të me material”, tha ai duke shtuar se edhe Komuna ka filluar me procedurat e prokurimit.

“Procedurat e prokurimit kanë filluar, por akoma janë në procesin e ofertimit, merr kohë, por është procedurë që duhet me u respektu”, tha ai.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Ndërkaq, sipas drejtorit të QKMF-së, që nga 19 shkurti në Fushë Kosovë bëhen këto testime për COVID – 19. Nga kjo datë sipas tij, kanë qenë të furnizuar me mbi 9 mijë teste nga Ministria.

Vetëm në muajin gusht sipas Maxherës janë bërë rreth 3 mijë e 400 teste në QMF.

Maxhera tha se pacientët që kanë nevojë për testim në bazë të simptomave ose kontaktit të afërt ata udhëzohen për në IKShPK ose në ndonjë Qendër të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.