FOTO ARKIV: Arrestimi i Marko Gjuriqit - Foto: KALLXO.com

Ndërhyrja e Policisë në Veri, Nga Prangosja te Deportimi i Marko Gjuriqit

Pas urdhrit për t’u poziciomuar në Veri për të penguar hyrjen e Marko Gjuriqit dhe Aleksandar Vulinit në Kosovë, policët e Njësisë Speciale intervenuan atje, ku pasdite arrestuan shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, të cilin e sollën në Prishtinë dhe më pas e deportuan në Serbi.

I gjithë operacioni nisi me vendosjen e autoblindave të Policisë në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut, në pritje të urdhrit për t’u nisur drejt veriut.

Pasi morën urdhrin,  Policia e Kosovës u nis drejt veriut për ta zbatuar vendimin e MPJ-së.

Njësitet policore u dislokuan në  veri të vendit, për ta implementuar këtë vendim.

Njësiti Special Intervenues i Policisë së Kosovës ishte vendosur në veriun e Kosovës, në afërsi të rrugës që çon në fshatrat Boletin, Zhazhë e Kelmend.

Pjesëtarët dhe autoblindat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës ishin stacionuar në fshatin Banjska të Zveçanit.

Në lidhje me këtë situatë në veri të Kosovës, KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila nuk dha koment.

Këshilltari i ministrit Flamur Sefaj, Kastriot Muqolli tha se nuk e komenton situatën në veri.

E derisa MPB nuk komentonte, secili automjet që hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë kontrollohej në detaje.

Në anën tjetër, shefi  i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli tha se arsyeja pse përfaqësuesve të Qeverisë serbe, Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriq, u është ndaluar hyrja në Kosovës për shkak të nxitjes së urrejtjes.

Derisa Policia ishte stacionuar në veri e po bëheshin deklarata nga politikanët, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte hyrë në Kosovë.

E pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) ishin parë duke patrulluar këmbë kodrinave afër kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ata vëzhgonin situatën nga kodrat afër Zvecanit.

Pas lajmit që Gjuriq kishte hyrë nën Kosovë, intervenuan njësia speciale për ta penguar një tubim në Mitrovicën e Veriut në të cilin po merrte pjesë edhe një delegacion nga Qeveria e Serbisë. Aty Marko Gjuriq u arrestua. Arrestimi ndodhi në vendin ku po mbahej takimi.

Madje gjatë arrestimit të tij, PK përdori edhe shok bombat.

Pas arrestimit, ai nën përcjelljen e autoblindave të Policisë së Kosovës, u nis drejt Prishtinës.

KALLXO.com përcolli live ardhjen e Gjuriqit në Prishtinë, i cili u soll në stacionin e policisë në qendër të kryeqytetit.

I përcjellë nga forca të shumta policore, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u soll në stacionin e policisë në Prishtinë.

Pasi u mor në pyetje, institucionet e Kosovës kanë vendosën ta deportojnë Marko Gjuriq përmes pikës kufitare të Merdares.

E derisa në Prishtinë merrej vendimi për të, tek ura kryesore e Ibrit në Veri raportohej se ende vazhdonte alarmi dhe se qytetarët serb ishin mbledhur afër urës.

Nehat Thaçi, komandant i Policisë së Kosovës për Regjionin e Mitrovicës, , ftoi qytetarët të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Pas sjelljes së Gjuriqit në Kosovë, reagoi ministri i MBP-së, Flamur Sefaj. Ai tha se Policia e Kosovës e ka përmbyllur në mënyrë profesionale planin operacional për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serb në Kosovë.

Më pas reagoi edhe BE.  Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kocijançiq, tha për BIRN se thirrja e BE-së për autoritetet e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, është që të tregojnë përmbajtjen dhe maturinë e nevojshme në mënyrë që situata në teren në Kosovë të mos eskalojë më shumë.

E MPJ përmes një komunikate ka kërkuar nga shtetet e Kuintit, BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjnë thirrje Serbisë të distancohet nga veprimet provokuese

E më pas reagoi edhe SHBA. Në një postim në Twitter, Greg Delawie tha se nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut Kosovë-Serbi dhe se u shpreh i shqetësuar nga ngjarjet e sotme në Mitrovicë.

Përfundimisht Policia e Kosovës largoi Marko Gjuriqin nga Kosova.

Më pas, PK tha se përkundër rezistencës, ishte e vendosur ta zbatojë urdhrin e Qeverisë.

E pas kësaj, qytetarët të cilët ishin mbledhur, u shpërndanë dhe alarmi i cili ishte i ndezur u ndal.

Krejt në fund, Lista Serbe njoftoi ka miratuar nismën për largimin nga Qeveria e Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje nga Qeveria e Kosovës, për ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve tona.

KALLXO.com ju sjell galerinë e rrugëtimit të Gjuriqit të prangosur drejt Prishtinës.