Arkiv - Albin Kurti - Isa Mustafa
Epilogu 'me dështim' i negociatave VV-LDK?
Veprimet e fundit të Lëvizës Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kanë përjashtuar dështimin e marrëveshjes përfundimtare mes tyre, duke lënë të hapura kështu opsione të tjera politike për formimin e qeverisë.
Këtë javë VV-ja zhbllokoi ngërçin politik, duke dërguar emrin e mandatarin për kryeministër Albin Kurtit në Zyrën e Presidentit, përderisa kreu i shtetit Hashim Thaçi e mandatoi kandidatin e tyre për ta formuar qeverinë e re.
Derisa partisë fituese të zgjedhjeve i kanë mbetur më pak se dy javë në dispozicion për ta formuar ekzekutivin, për të cilën gjë duhet votuar Kuvendi i Kosovës, partia e dytë nga zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-ja një ditë më parë ka kërkuar që çështjes mes tyre t’i vihet epilog gjatë kësaj jave.
Megjithëkëtë, asnjëra prej tyre nuk ka lëshuar pe në “ofertat” që i kanë propozuar njëra-tjetrës gjatë këtyre ditëve.
Në anën tjetër, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhje drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se VV dhe LDK janë duke shprehur gatishmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje, por edhe në të njëjtën kohë, sipas saj, janë duke e theksuar edhe mundësinë që një marrëveshje mes tyre të mos arrihet.
“Ajo çfarë kemi parë që nga momenti që është votuar kryetari i Kuvendit, z. Konjufca, të dyja partitë kanë filluar ti diskutojnë çështjet e koalicionit në publik duke dëmtuar edhe besimin e ndërsjellët mes njëra-tjetrës, dhe e kemi parë që të dyja subjektet janë duke u munduar t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës në rast se nuk do të kishte një arritje të një koalicioni qeverisës”, shprehet ajo.
Sipas Krasniqit, partitë duhet të ulen sa më parë dhe të gjejnë një modalitet që të arrihet deri tek një marrëveshje dhe të formohet qeverisa më parë.
“Këto modalitete duhet të jenë në përputhje me normat kushtetuese dhe me interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve”, thotë ajo.
Kurse, analisti politik Bekim Baliqi vlerëson se brenda kësaj jave duhet të vendoset lidhur me koalicionin.
“Duhet të qartësohet kjo situatë. Nuk është e nevojshme të pritet më shumë se dy javë ditë. Mes opsioneve të tjera, si shkuarja në zgjedhje apo qeverisë së pakicës është edhe t’i lihet mandati tjetrit. Edhe ky është opsioni, që nëse si i parë nuk funksionon, i takon të dytit”, tha ai për Gazetën JnK.
Se ekziston mundësia e shkuarjes në zgjedhje të sërishme e thotë edhe Jeta Krasniqi (KDI).
“Partitë duhet të gjejnë çdo mënyrë që ta evitojnë këtë opsion pasi mund të futemi në krizë institucionale, jemi duke funksionuar me qeverinë në dorëheqje për më shumë se 6 muaj. Ekzistojnë të gjitha këto opsione, duhet të jenë paritë politike të cilat duhet të na tregojnë vendimin tyre se në cilin drejtim duan të ecin. Qytetarët e kanë shprehur vullnetin e tyre politik”, thekson ajo.
Lëmshi i negociatave
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj pas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit dhe më tepër se 6 muaj nga dorëheqja e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja ende nuk janë marrë vesh për koalicionin qeverisës.
Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit me 26 dhejtor 2019, gjendja ndërroi edhe në raportet ndërmjet të dyja partive politike.
Në fund të vitit 2019, liderët e tyre, Albin Kurti e Isa Mustafa komunikonin nga distanca, ndërsa takimeve iu rikthyen në fillim të 2020-s. Por as takimet e fundit mes tyre nuk prodhuan marrëveshje.
Paraprakisht në kohën kur LDK-ja insistonte ta kishte të drejtën për të propozuar emrin e presidentit të ardhshëm, Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar kategorikisht këtë kërkesë.
Por së fundi, Partia e Albin Kurtit ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re.
Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë VV-së e 6 LDK-së.
Edhe për çështjen e Presidentit, VV-ja ka lëshuar dorë.
Sipas propozimit, Zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë VV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit.
Tash, negociatat kanë mbërri në një fazë të re.
Kurti nuk e ka pranuar propozimin e LDK-së dhe i ka ftuar ata në një takim të fundit, i cili do të përfundonte vetëm atëherë kur lidhjet marrëveshja e koalicionit.
Aktualisht veç dakordimeve për ministri, LDK-ja po kërkon edhe pozitën e kryeparlamentarit, kurse për VV-në kjo po konsiderohet e papranueshme, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti i ka në dispozicion 2 javë që të arrijë marrëveshje me partitë parlamentare në vend për të krijuar shumicën brenda legjislativit.
“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në Nenin 95 Kushtetutes së Kosovës.
Kurti të hënën në një video-mesazh njoftoi se ka dërguar në Zyrën e Presidentit, emrin e mandatarit, si dhe ftoi sërish LDK-në për diskutimet për lidhjen e koalicionit qeverisës.
Kurse, LDK-ja pas mbledhjes së kryesisë u deklarua se lidhur me këtë duhet të vendoset gjatë kësaj jave.
“Mbesim të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë dhe ato të kenë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte të bëhet dhe që të jetë në dobi të qytetarëve dhe vlerëson peshën politike”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të martën.