Mustafa: Deri në fund të javës të arrihet marrëveshja ose të konstatohet dështimi

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të ulen të bisedojnë për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, deri në fund të kësaj jave.

Në të kundërten, Mustafa tha se duhet të konstatohet se nuk ka kushte për t’u arritur koalicioni.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për marrëveshje, mirëpo e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, prandaj ne do ta respektojmë këtë. Marrëveshja duhet të qet në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin me votë, neve me 28 dhe LVV-së me 29 deputetë. Kemi dhënë një propozim që kemi vlerësuar se është i balancuar dhe LVV-ja duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë. Dhe mbesim të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë dhe ato të kenë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte të bëhet dhe që të jetë në dobi të qytetarëve dhe vlerëson peshën politike”, ka thënë kryetari Mustafa në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Ndërkaq, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se marrëveshja e fundit e propozuar nga LDK-ja e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së trajtoi situatën politike të krijuar pas manditimit nga ana e presidentit të kandidatit për kryeministër. LDK-ja vlerëson se vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike meqë tash implementimi i vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, në bazë të dispozitave kushtetuese është i afatizuar. LDK-ja edhe njëherë shpreh vullnetin për marrëveshje politike të balancuar me LVV-në që do të reflektonte ne tërësi rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

“LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësi për të formuar institucionet e reja që të veprojë shpejtë dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë për diskutuar për mundësinë e formimit të koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen.

Me 15 janar, LDK i kishte dërguar një ofertë LVV-së.

Propozimet e tyre janë:

  1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
  2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
  3. a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
  4. b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
  5. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.
  6. Si rezultat i kësaj marrëveshje:
  7. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
  • VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
  • LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
  1. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
  • VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
  • LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
  1. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.