Takimet e (mos) marrëveshjeve VV - LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës këtë fillimvit i kanë intensifikuar takimet në nivel të kryetarëve të partive, si përpjekje për një marrëveshje finale për bashkëqeverisje, ndonëse ende pa rezultat.

Në drejtim të fituesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, VV-së, përveç presionit publik është rritur edhe ai institucional, pas një letre që së fundi presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka dërguar kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për t’ia kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër.

Por, të dyja këto subjekte politike kanë bërë thirrje për durim deri në finalizimin e negociatave mes tyre, edhe pse kanë kaluar gati gjashtë muaj pas dorëheqjes së Ramush Haraidnajt nga pozita e kryeministrit dhe tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve.

Pas takimit të fundit një ditë më parë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i VV-së, Albin Kurti iu shmangën gazetarëve, për të mos dhënë asnjë deklaratë.

Pak orë më vonë, LDK përmes një njoftimi tha se i ka paraqitur VV-së ofertën për bashkëqeverisje, pa u specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, thuhej në reagimin e këtij subjekti politik.

Kurse, nga Lëvizjen Vetëvendosje po kërkohet durim në lidhje me marrëveshjen e mundshme me LDK-në.

Anëtarja e Kryesisë së VV-së, njëherësh deputete, Arbërie Nagavci  ka deklaruar se interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.

“Pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur. Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final. Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku”, ka bërë thirrje deputetja, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

Thirrje për durim ka bërë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili procesin e cilësoi si jo të lehtë.

“Nuk është proces i lehtë. Edhe për ne është bërë e tepërt. Nuk ka munguar vullneti i LDK-së për ta arritur marrëveshjen dhe nuk do të mungojë deri në pikën e fundit. Përderisa nuk ka një marrëveshje, duhet pasur durim”, ka thënë Haziri mbrëmjen e së enjtes në emisionin Rubikon të KTV-së.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi, të premten i shkroi letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ka treguar se është duke pritur nga ai emrin  e mandatarit për formimin e qeverisë.

Presidenti Thaçi ka shtuar se për shkak të vonesave është i obliguar veprime duke ndjekur rrugët ligjore.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi.

Thaçi e ka sugjeruar Kurtin që të ketë parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

“Në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të kandidatit/es, për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejtë sipas premtimit tuaj”, ka shkruar ndër të tjera Presidenti në letër.

Thaçi dhe Kurti të hënën e patën takimin historik zyrtar, i cili zgjati më pak se pesë minuta dhe u tha se ishte pa efekte juridike.

VV-ja si partia e parë nga zgjedhjet e vjeshtës së vitit 2019 dhe LDK-ja e pozicionuar në vend të dytë, nuk u morën vesh për koalicion para konstituimit të Kuvendit më 26 dhjetor të vitit të kaluar.

Kjo bëri që Glauk Konjufca të marr besimin e partisë së tij për t’u kandiduar për kryetar të Kuvendit, për ta marr pastaj përkrahjen edhe të deputetëve të LDK-së, ndonëse kjo e fundit më tej deklaroi se veprimi i VV-së ishte i njëanshëm.

Këto zhvillime, sollën një ‘ngërç’ të raporteve mes dy partive, për të kaluar javë pa u takuar.

Viti 2020 nisi me rikthimin e tyre në tavolinën e bisedimeve, pas së cilit partitë u shprehën se janë përafruar, por jo mjaftueshëm sa për ta nënshkruar bashkëqeverisjen.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!