Ilustrim - Banesa Sociale në Laplasellë, Graçanicë FOTO-Deniz Sllovinja/KALLXO.com
Çështjet mbi banimin social mbeten të neglizhuara në Kosovë
Në një debat të BIRN të transmetuar të hënën, zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues nga shoqëria civile ngritën shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e investimeve në banim social në Kosovë, mungesë kjo që i ka bërë të cenueshëm me mijëra njerëz të margjinalizuar.
Më shumë se 3,100 familje aktualisht po aplikojnë për banim social në Kosovë ndërkohë që ky numër është në rritje nga viti në vit sipas Ramë Hamzaj, udhëheqësi i Divizionit të Banimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, MMPH.
I ftuar në episodin e fundit të serisë KALLXOPernime të hënën në mbrëmje, Hamzaj pranoi se investimi publik në banimin social ka qenë minimal. “Nga viti 2003 deri në 2019, vetëm 20 milionë euro janë shpenzuar për banimin social,” tha ai
Sipas një raporti të vitit 2019 nga Komisioni Evropian, banimi social në Kosovë është shumë i kufizuar, me të dhëna të pakompletuara në MMPH që zbulojnë se një total prej 51 ndërtesash banimi ishin ndërtuar në të gjithë Kosovën midis viteve 2003 dhe 2018, e që përmbajnë vetëm 1,178 njësi banimi.
Gjatë debatit të së hënës, Driton Tafallari, drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Developing Together” ishte kritik për mungesë të investimeve, duke deklaruar se vetëm 0.3 përqind e banesave në Kosovë janë në dispozicion për banim social.
Tafallari e përshkroi situatën si “të tmerrshme” dhe si “alarm që duhet të ndërmarrë hapa konkretë në mënyrë që të përmirësohet kjo situatë”.
Ndërkohë që MMPH është përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit që siguron të drejtën për banim adekuat dhe mbikëqyrjen e strategjive kombëtare, sigurimi i banimit social është përgjegjësi e komunave të Kosovës.
Sidoqoftë, sipas Komisionit Evropian, në vitin 2019 vetëm 22 nga 38 komuna kishin kryer një vlerësim të nevojave për banim, ndërkohë që shumë sosh nuk kishin një zyrtar të caktuar për banim social.
Tafallari beson se situata nuk është përmirësuar, duke shtuar se vetëm Komunat e Gjakovës, Drenasit dhe Suharekës kanë zyra të dedikuara për banim social.
“Komunat nuk kanë staf të përshtatshëm për banimin social dhe shumë qytetarë nuk kanë një adresë për ngritjen e problemeve të tyre,” tha ai, duke shtuar se organizata e tij ka këshilluar komuna të shumta që të caktojnë një linjë të veçantë buxhetore për banimin social, si dhe personel të specializuar.
Ndërkohë, Violeta Thaçi, menaxhere e programit për banim në OJQ VORAE me qendër në Graçanicë, vuri në pah faktin se janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë ato që janë më shumë të cënuara nga dështimi i shtetit për të përmirësuar skemën e banimit social.
Njësitë e mëparshme të banimit të ndërtuara për këto komunitete, përfshirë ato në Plemetinë afër Obiliqit, janë kritikuar për cilësinë e dobët të ndërtimit dhe mungesë të mirëmbajtjes.
“Edhepse jetojmë në shekullin 21, ka familje në Kosovë që jetojnë me mungesë të banjove dhe nevojave bazë për këto familje,” tha Thaçi, duke shtuar se këto kushte të këqija prekin në veçanti gratë.
Një plan veprimi për miratimin e Strategjisë së Qeverisë së Kosovës për Përfshirjen e Komuniteteve Romë dhe Ashkalinj parashikonte ndërtimin e 100 shtëpive, si dhe 80 njësive të banimit social të alokuara për anëtarët e këtyre komuniteteve.
Sidoqoftë, Thaçi shtoi se përkundër ndihmës nga komunat dhe organizatat e shoqërisë civile, banimi social do të vazhdojë të jetë një çështje në këto komunitete. “Familjet po rriten dhe akoma po shtrohet pyetja: Ku do të rriten ata?”
Ndërkohë, në komunën me shumicë serbe të Graçanicës, një projekt që siguron banim social për çiftet e reja është tashmë në proces. Sipas Lazar Mitiq, zyrtar në Ministrinë për Qeverisje Lokale,”ndërtesa të reja janë duke u ndërtuar, megjithëse nuk e di se kur do të shpërndahen ato”.
Sidoqoftë, në Ferizaj, Basri Rexhepaj, nënkryetari i Zyrës për Komunitete në këtë komunë pranoi se 80 familje që aktualisht kanë aplikuar për banim social në qytetin e tretë më të madh të Kosovës nuk ishin në gjendje të plotësonin nevojat e tyre për shkak të mungesës së rezervave të banimit social.
Për Tafallarin, përveç ndërtimit të ndërtesave nga vetë ato, komunat duhet të jenë më kreative në marrjen e banesave sociale, përfshirë negocimin me kompanitë e ndërtimit.
“Unë jam i sigurt që sektori privat i industrisë së ndërtimit më parë do të jipte donacion më shumë banesa për komuna sesa të paguante tarifa për ndërtimin,” tha ai. “Në atë mënyrë, secila komunë mund të ketë qindra ose mijëra banesa.”
Drejtori i OJQ-së, Tafallari, shtoi se kjo gjendje banimi mund të përdoret për të ndihmuar ata që kërkojnë ndihmë sociale dhe çiftet e reja, si dhe viktimat e dhunës në familje dhe grupe të tjera të margjinalizuara. “Kjo do të na japë mundësinë që të marrim frymë më lehtësisht,” përfundoi ai
Ky shkrim fillimsht është publikuar në anglisht në Prishtina Insight
Përktheu-Nuhi Shala
Kjo seri debatesh për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).