Sfidat e banimit social, cila komunë e Kosovës është për mashallah?

Skema për strehim social, strehim për të varfërit, personat me nevoja të veçanta, përfshirja e komuniteteve, kriteret dhe mënyra si ndahen banesat e banimit social, janë disa nga problemet me të cilat përballen banorët e çdo komune në Kosovë.

Raporti i Performancës së komunave nga Ministria e Pushtetit Lokal për këto kategori nuk ka renditje të mirë për pjesën më të madhe të tyre.

Në emisionin “KALLXO Përnime” Driton Tafallari nga OJQ ‘Developing together’ ka thënë se Drenasi është nga komunat që më së miri e ka të rregulluar banimin social.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai tha se komunat në përgjithësi nuk e trajtojnë sa duhet këtë temë si dhe faktin që ka mungesë të buxhetit.

Tafallari theksoi se mungesa e zyrtarëve për banim social e ka bërë gjendjen më të rënduar.

“Ne kemi bashkëpunuar me komunën e Drenasit dhe është ndër komunat me performancë shumë të mirë sa i përket banimit social. Komunat në përgjithësi nuk po e trajtojnë temën e banimit social edhe pse legjislatura është në nivel. Banimi social përballet edhe me probleme tjera sepse komunat nuk kanë zyrtarë për banim që të merren me këtë temë. Si shkak i kësaj, një numër i madh i qytetarëve nuk kanë ku ta adresojnë problemin e tyre, atyre vetëm u ofrohen disa formulare ku për kërkesën e tyre krijohen disa komisione ad-hoc,” ka thënë Tafallari.

Tafallari tutje shtoi se kanë kërkuar nga komunat që të angazhojnë staf që të merren me banim social, duke përmendur edhe komunat që tashmë i kanë personat që merren me këtë problem.

“Ajo që kemi bërë me komunat është se kemi kërkuar që stafi që janë pak më të lirë të ju shtohet edhe detyra e banimit social. Deri tani Drenasi e ka, Prizreni e ka pasur por jo më. Në Kosovë janë afër 1,400 njësi banesore të dedikuara për banim social,” shtoi ai.

Basri Rexhepaj nga Zyra për komunitete në Ferizaj, tha se atyre u mungojnë pronat pasi i kanë shitur gjatë luftës ose nuk kanë fare në disponim.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se kanë bërë kërkesë për banesë kolektive në Ferizaj, por që nuk është përkrahur nga Asambleja.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Sa i përket komuniteteve në komunën e Ferizajt kemi raste që nuk kanë prona pasi gjatë kohës së luftës i kanë shitur ose nuk kanë fare në disponim. Kjo është paraqitur në komunë, por nuk është aprovuar nga asambleja komunale që një pronë të dedikohet për banesë kolektive,” tha ai.

Rexhepaj tutje theksoi se shumë prej familjeve që banojnë me qera, paguajnë vetëm shërbimet e operatorëve, kurse qeranë jo.

“Në komunitetin tonë janë rreth 30 familje që nuk disponojnë banim, ata banojnë me qera, paguajnë vetëm shërbimet publike jo qeranë. Komuna e Ferizajt e ka bërë një ndërtim kolektiv në fshatin Dubravë, por aty nuk janë strehuar familjet e kthyera,” shtoi tutje Rexhepaj.

Violeta Thaçi nga OJQ ‘Vorar’ tha se qëllimi i tyre është të përmirësojnë kushtet e banimit për këto kategori që kanë mungesë të banimit.

“Programi i organizatës tonë ka qenë i bazuar në një model më ndryshe se ai i banimit social, pasi nga viti 2010-2019, qëllimi ynë ka qenë përmirësimi i kushteve të banimit.Tani kemi synim t’i përfshijmë edhe grupet e margjinalizuara, përfshirë komunitetet,” tha ajo.

Ajo tutje shtoi se në Kosovë ende ka famije që nuk kanë banjo nëpër shtëpitë e tyre.

“Projektin e kemi zhvilluar në katër komuna, Ferizaj me 127 aplikimeve dhe nga kjo listë 65 familje kanë qenë në nevojë, sot në Kosovë ka familje që jetojnë në banim pa banjo,” tha ajo.

“Edhe pse komunat kanë dhënë kontribut, shumica e këtyre familjeve janë duke u rritur dhe tani shtrohet pyetja se ku do shkojnë këta të rinj që kanë krijuar familje,” theksoi tutje Thaçi.

Islam Elshani, aktivist, tha se në Prizren janë ndërtuar banesa sociale që nga paslufta por që pjesa më e madhe që kanë përfituar janë veteranë të luftës.

“Në Prizen nga paslufta janë ndërtuar banesa sociale, por pjesa dërmuese e përfituesëve kanë qenë kryesisht veteranë të luftës, invalidë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë nga radhët e komuniteteve. Drejtoria e mirëqenies sociale në Prizren çdo vit hap thirrje për qytetarët në tri kategori, atë të kulemeve, renovimit dhe ndërtimit të shtëpive,” tha ai.

Elshani tutje shtoi se problemi qëndron edhe tek numri i famijeve që nuk kanë fare pronë për t’u ndërtuar objekt banimi.

“Kemi përmirësim sa i përket gjendjes së banimit të këtyre komuniteteve por, problemi më i madh është me mbi 80 familje që nuk kanë pronë,” tha ai.

Ramë Hamzaj nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, tha se që nga viti 2003 merren me banimin social.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ka moskoordinim mes nivelit lokal e qendror sa i përket banimit social.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Problemet e banimit social datojnë që nga paslufta pasi ka qenë faza e rindërtimit të vendit nga dëmet e luftës dhe shkëputja nga një ish sistem që më herët ka qenë fond banesor. Ministria që nga viti 2003 është duke u marr me banimin social. Ka moskoordinim në nivelin lokal dhe qendror sa i përket banimit social,” tha ai.

Tutje sipas tij Ministria ka ndarë më shumë buxhet për banim deri në vitin 20017 sesa nga shpallja e pavarësisë.

Ai poashtu përmendi edhe një memorandum që kanë nënshkruar shtatë ministri por, sipas tij është vazhduar me praktikën e vjetër.

“Në vitin 2016 është nënshkruar një memorandum nga shtatë sekretarë të ministrive ku është menduar të bëhet një bashkëkoordinim në fushën e banimit social, kurse në praktikë ende ka vazhduar avazi ku secila komunë investon në fushën e banimit social sipas kritereve dhe buxheteve që planifikojnë. Ministria e planifikimit hapësinor nga viti 2003-1007 ka investuar mbi 5 milionë euro në këtë fushë, kurse pas pavarësisë ka investuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale mbi 3 milionë euro. Nga viti 2003-2019 janë investuar mbi 20 milionë eruo për banim social,” shtoi tutje Hamzaj.

Hamzaj tha se në bazë të listave që kanë edhe nga komunat, në listë të pritjes janë 3,142 familje që presin mbështetje për banim social.

Ndërsa Llazar Mitiq nga MAPL, theksoi poashtu renditjen jo të mirë të komunave sa i përket raportit të performancës për banimin social.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Sa i përket vlerësimit të perfomancës së komunave në bazë të dhënave tona, ato kanë renditje jo të mirë. Këto të dhëna ne i marrim nga komunat. Ka edhe komuna që kanë rezultat të mirë si, Deçani, Ferizaj, Fushë Kosova, Kaçaniku, Skënderaj,” tha ai.

Mitiq tha se në Graçanicë mundesi banimi u është ofruar çifteve të reja.

“Modeli i Graçanicës është se komuna u ka mundësuar çifteve të reja banimin, ndërtesat janë bërë dhe tani pritet të ndahen,” shtoi tutje ai.

Sfidat e banimit social – LIVE