‘Bomba’ ekologjike në Mirash

Deponia e Mirashit vazhdon të mbetet një ‘bombë e ekologjike’ për shkak të rrezikut për kontaminimin e ujërave nëntokësore. Sado që krerët e institucioneve thonë se e kanë përmirësuar menaxhimin e deponisë, ata e pranojnë se rreziku mbetet evident për ujërat nëntokësore.

“Kompaktimi dhe mbulimi i mbeturinave është përmirësuar dukshëm dhe ndikimet negative në mjedis janë zvogëluar. Problemi i ujërave nga drenazhimi mbetet ende sepse laguna është e përmbytur”, thotë Valdete  Tahiri-Azemi, në emër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte bërë disa hulumtime që tregonin rrezikun që mbart kjo deponi në afërsi të kryeqytetit.

Deponia e Mirashit, Katastrofa Mjedisore në Prag të Derës

Ndërsa Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, në muajin maj të vitit 2018 ka transmetuar hulumtimin për ‘Deponinë e Mirashit në Obiliq’, që ka filluar të përbëjë kërcënim për jetën e qytetarëve që jetojnë në afërsi të saj për shkak të ndotjes në nivel të lartë.

https://kallxo.com/qeveria-mbyll-syte-ndaj-rrezikut-per-katastrofe-ambientale-ne-mirash/

Ekspertë të mjedisit për “Jeta në Kosovë”, kishin bërë të ditur se nëse ndotja nga Deponia e Mirashit nuk ndalet, do të shpërndahet në afërsi të lumit “Sitnica”, prej të cilit furnizohen shumë puse të rrafshit të Kosovës dhe se ndotja nga kjo deponi është gati t’i kontaminojë ujërat nëntokësore të asaj zone.

Lidhur me këtë gjendje, KALLXO.com ka kontaktuar sërish institucionet përgjegjëse për menaxhimin e deponive, Komunën e Obiliqit dhe Ministrinë  e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në ministrin e Mjedisit e pranojnë që rreziku për kontaminim të ujërave nëntokësore nuk është tekaluar.

Valdete  Tahiri-Azemi, në emër të MMPH, lidhur me këtë gjendje në deponi, thotë se presionet nga inspektorati janë të vazhdueshme, që gjendja të përmirësohet dhe ndikimet në mjedis të jenë sa më të ulëta.

KALLXO.com ka kontaktuar dy herë radhazi përmes postës elektronike edhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, por të njëjtit nuk ka kthyer përgjigje deri në publikim të këtij artikulli.

Fitore Hashani, drejtoreshë për Mbrojtje dhe Mjedis në Komunën e Obiliqit ka thënë për KALLXO.com se Deponia e Mirashit është duke u inspektuar në vazhdimësi.

“Në bazë të  monitorimit (Inspektimit) të vazhdueshëm  dhe të dhënave që ka Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, që prej fillimit të punës në këtë deponi e deri më tani Deponia Sanitare në Mirash është inspektuar në vazhdimësi dhe vazhdon të inspektohet në bazë të kompetencave që ka komuna”, thuhet në përgjigjen e saj.

Sipas Hashanit, falë inspektimeve të vazhdueshme dhe presionit të inspektoratit gjendja në deponi ka filluar të përmirësohet si në rrafshim, kompaktim dhe mbulim, megjithëse shton se ende ka rrezikshmëri për ndotjen e ujërave.

“Rreziku mbetet ende te trajtimi i ujërave i cili për shkak të konfiguracionit të terenit ka grumbulluar ujëra dhe deponinë e ka shndërruar në një  problem për ndotjen e mjedisit, ujit, tokës dhe mundësinë për rrezikimin e shëndetit publik të banorëve”, thuhet në përgjigjen e zyrtares komunale për KALLXO.com.

Hashani ka bërë të ditur se ka kërkuar që Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë të hartojë një plan të veprimit për sanimin e deponisë  në mënyrë që të garantojë një siguri dhe qëndrueshmëri në deponimin e mëtutjeshëm të mbeturinave.

“Plani duhet në mënyrë të qartë t’i përcaktoj obligimet dhe përgjegjësit për këto institucione: Ministria për Ekonomi dhe Financa, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ministria e Pushtetit Lokal,  ZRRUM-a dhe komunat; Prishtinë, Lipjan, Obiliq, Gllogoc, Fushë-Kosovë”, thotë drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Mjedis në Obiliq.

Për gjendjen e rëndë në Deponinë e Mirashit, në muajin maj 2018, ishte deklaruar për “Jeta në Kosovë”, edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë së Menaxhimit të Deponive në Kosovë, Abdullah Haxhiu.

Ai ka thënë se kishte propozuar mbylljen e deponisë së mbeturinave në Mirash.

Haxhiu ishte shprehur i vetëdijshëm lidhur me gjendjen dhe keq menaxhimin e deponisë që po shkakton rrezik për ambientin.

Për shkak të rrezikut nga Deponia e Mirashit, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e kishte vizituar lokacionin në fjalë dhe e kishte quajtur “shkelje të të drejtave të njeriut” ndotjen që e bën deponia rreth vendit ku operon.

Ekspertë të Organizatës Zhvillimore Gjermane – GIZ që vepron në Kosovë, pasi e kishin hulumtuar deponinë, kanë tërhequr vëmendjen se ka gjasa që Deponia e Mirashit të shndërrohet në katastrofë ambientale.