Albulena Haxhiu flet për koalicionin, Rugovën, PSD-në dhe Listën Serbe

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një intervistë për KALLXO.com flet për zhvillimet në bisedimet për koalicion ndërmjet partisë së saj dhe LDK-së të cilat ditëve të fundit kanë përjetuar një ngërç.

Në këtë intervistë ajo flet për qëndrimin e VV-së dhe kërkesat e LDK-së. Haxhiu gjithashtu tregon nëse vet do të bëhet ministre e Drejtësisë, për qëndrimet e VV-së ndaj Listës Serbe dhe për zhvillimet e fundit në PSD pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit dhe zgjedhjes së Dardan Molliqajt në postin e kryetarit.

KALLXO.com: Çfarë është duke ndodhur me takimet për koalicionin qeverisës, edhe sa duhet të presin qytetarët që të dilni me një marrëveshje konkrete?

Albulena Haxhiu: Ne menjëherë nisëm kontaktet, komunikimet dhe angazhime tona për një koalicion qeverisës në vazhdimësi kemi thënë që partneri jonë është LDK-ja dhe kështu kemi vijuar është për t’u vlerësuar fakti që për herë të parë në Kosovë po flitet për programin qeverisës së pari. Ju e dini që së pari kemi formuar grupet punuese për të harmonizuar programin qeverisës dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse është një mendësi tjetër që nuk e kemi parë asnjëherë, pra të gjitha koalicionet janë bërë në Kosovë, janë bërë brenda natës. Prandaj ne kemi instaluar një mendësi tjetër që është për t’u vlerësuar, presidenti Thaçi ka shfrytëzuar ditët maksimale për seancën konstituive dhe ne kemi kohë deri nesër para orës 3 që të finalizojmë marrëveshjen nëse ka vullnet.

KALLXO.com: A tregon kjo zhagitje mungesë besimi mes jush dhe LDK-së dhe a besoni se në rast se arrini marrëveshje bashkëqeverisjeje do të reflektohet në punën e koalicionit?

Albulena Haxhiu: Ne si subjekt politik veprojmë në bazë të rrethanave dhe duke pasur parasysh që edhe vet qytetarët e Republikës përmes vullnetit të shprehur në zgjedhjet e gjashtë tetorit e kanë dashur këtë koalicion, ne jemi angazhuar me të gjitha forcat tona për të arritur koalicion. Unë nuk e shohë që ka mungesë besimi por ka kërkesa joracionale dhe jo të drejta që i ka parashtruar tash së fundi LDK-ja. Në fakt kur jemi lëshuar për të folur për përgjegjësitë qeverisës ka dalë edhe kërkesa që LDK-ja të ketë kandidatin për president, pra nuk shohë që ka një mungesë besimi, por ka kërkesa të cilat për Vetëvendosjen janë të pakapërcyeshme dhe të papranueshme.

KALLXO.com: Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu disa herë në deklarime publike ka thënë që VV-së nuk mund t’i takojë edhe presidenti edhe kryeministri. A e keni kërkuar ndonjëherë postin e presidentit?

 

Albulena Haxhiu: Kjo është manipulim me opinionin publik, VV-ja asnjëherë nuk e ka kërkuar që ta ketë kandidatin për president, përkundrazi ne kemi theksuar që kjo çështje nuk duhet të përfshihet fare në marrëveshje madje publikisht por edhe në takimet tona që i kemi pasur me përfaqësuesit e LDK-së kemi thënë që kandidati për president nuk duhet të jetë as nga radhët e LDK-së as nga radhët e VV-së. Për shkak se konsiderojmë që nuk është në frymën e kushtetutës nëse vendosim një person partiak për president të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Ju si koalicion më LDK, plus minoritet jo serbe, i keni 67 vota. Ku do t’i merrni edhe 13 vota të tjera për ta votuar presidentin konsensual që po e përmendni?

Albulena Haxhiu: Pikërisht për këtë ne kemi kërkuar edhe sqarime nga përfaqësuesit e LDK-së se ku do t’i merrni votat duke pasur parasysh që nevojiten 2/3 por nuk kanë shpjeguar asnjëherë se ku do t’i marrin votat, një gjë duhet ta kenë që qartë, që ua kemi thënë edhe në forma të ndryshme, duke pasur parasysh përvojat e hidhura që kemi pasur deri më tani, ku për votën për president janë dhënë terminale doganore, janë bërë ambasadorë, ne jua kemi shprehur qartazi që VV-ja as nuk jep terminale doganore as nuk bënë ambasadorë, as nuk bënë favore për votën për president, ne do të instalojmë mendësi tjetër, do të veprojmë në bazë të ligjit dhe në bazë të përgjegjësive, prandaj është shumë legjitime kjo pyetje, sepse ne si VV nuk e dimë duke pasur parasysh që nevojiten2/3. Nëse është kandidat konsensual është shumë me e lehtë sepse ne do të mund të propozonim një personalitet që ka integritet moral dhe tek qytetarët dhe kjo anë duket më e lehtë sepse do të ishte i pranueshëm edhe nga subjektet tjera opozitare.

KALLXO.com: Po e shohim se posti i presidentit është bërë mollë sherri për arritjen e koalicionit. Cila është zgjidhja që VV e ofron për të dalë nga kjo gjendje?

Albulena Haxhiu: E vetmja pengesë, sepse ka pas propaganda të shumta në media të cilat nuk kanë qëndruar, e vetmja pengesë që nuk po arrimë ta nënshkruajmë marrëveshjen për koalicionin qeverisës është kërkesa e LDK-së për presidentin. Ne kemi pasur dy propozime, e para që të mos flasim  fare për presidentin dhe të ndajmë përgjegjësitë në nivelin qeverisës dhe Kuvendin e Kosovës dhe kur t’i vijë koha, të flasim për kandidatin për president, por kjo ka qenë e papranueshme nga përfaqësuesin e LDK-së madje janë shprehur se nëse nuk pranon që LDK-ja të ketë të drejtën për president ne shkojmë në opozitë. Por nuk mund të shkojnë në opozitë sepse nëse nuk ka koalicion, ka zgjedhje. Por me që nuk e kanë pranuar, ne kemi propozuar një paragraf neutral që palët dakordohen që të propozojnë një kandidat për president një person që ka integritet, pra as këtë se kanë pranuar. Na ndajnë shumë pak orë, vullnetin e kemi maksimal për koalicion me LDK-në, e para për ta jetësuar vullnetin e popullit, dhe e dyta për shkak se vendi përballet me probleme jashtëzakonisht të mëdha.

KALLXO.com: I gjithë ky ngërç, a i jep goditje përfundimtare një bashkëqeverisje të gjatë, për të cilën kanë folur të dyja partitë për një kohë të gjatë?

Albulena Haxhiu: Jemi jashtëzakonisht të interesuar që ta bëjmë këtë, por tani për tani nuk po varet nga LVV, nuk është çështja se po shtyhemi për pozita, është çështja që po refuzojmë që ta mirëmbajmë një mendësi që ka qenë deri tani, ku vendoset dhe kush ku do jetë, ku nuk i ipet prioritet çështjeve qeverisëse dhe interesave të qytetarëve, por ambicieve individuale të personave të caktuar, prandaj nuk po varet nga VV-ja, ne e kemi bërë të pamundurën, kemi bërë edhe koncesione.

KALLXO.com: Me çfarë çmimi VV-ja ia lë LDK-së postin e presidentit, krye parlamentarin si dhe MPB-në?

Albulena Haxhiu: Nëse kjo do të ishte e pranueshme për VV-në do të nënshkruhej dhe marrëveshja, por ne konsiderojmë që kjo nuk është e drejtë dhe nuk është kërkesë racionale,

KALLXO.com: Udhëheqja e MPB-së prej LDK-së a e rrezikon planin e VV-së  për dekriminalizimin e strukturave te sigurisë?

Albulena Haxhiu: Secili ministër i qeverisë Kurti, do të jetë i obliguar që të zbatoj programin qeverisës të qeverisë Kurti, pavarësisht a është nga radhët e LDK-së, pavarësisht a është nga radhët e VV-së, dhe pavarësisht a është nga radhët e përqafuesve të minoriteteve jo shumicë në Kosovë sepse dy ministri do t’i takojnë atyre. Pra janë të obliguar ta zbatojnë atë, ne e kemi programin qeverisës që është vetingu në polici, prokurori, gjykata, do të nisim me procedurat për procesin e vetingut në Republikën e Kosovës, duke filluar nga prokuroria, policia, AKI-ja, doganat, prandaj ata ose ato që nuk i zbatojnë këto parime, nuk kanë vend në qeveri.

KALLXO.com: Sa ka përgjegjësi LDK-ja që strukturat e sigurisë janë në gjendjë të tillë?

Albulena Haxhiu: Unë besoj që përgjegjësinë më të madhe e ka PDK-ja për shkak se e njëjta e ka kapur shtetin dhe nuk i ka lënë të veprojnë as organet e drejtësisë e as të sigurisë. Por natyrisht të gjitha subjektet e tjera politike të cilat kanë qenë në qeverisje kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën është Republika e Kosovës.

KALLXO.com: E keni uruar LDK për 30 vjetorin e themelimit. A po ndryshon VV-ja në shikimin e historisë pasi më herët VV-ja asnjëherë nuk e ka uruar LDK-në dhe për më tepër ka folur kundër politikave pacifiste të LDK-së në vitet e 90-ta. A është ky ndryshim diskursi apo vetëm një pragmatizëm i ri i Vetëvendosjes?

Albulena Haxhiu: Unë besoj që sa i përket qëndrimit tonë ne në vazhdimësi e kemi shprehur sa herë jemi pyetur nga mediat. Pra ne kemi vlerësuar figurën e Ibrahim Rugovës gjatë atyre viteve për të cilat edhe është shkruar komunikata, por natyrisht kemi pasur qëndrime të ndryshme pas asaj periudhe, pak para luftës e gjatë luftës dhe pas luftës, pra komunikata jonë flet për vitet kur është themeluar LDK.

KALLXO.com: Mirëpo kritikët po e shohin si sjellje me shumë si joshje të partnerit potencial për koalicion sesa urim të sinqertë. Si i shihni ju këto kritika?

Albulena Haxhiu: Ka pasur jashtëzakonisht propagandë kënddrejte LVV-së gjatë kësaj kohe, kësaj periudhe por pavarësisht kësaj ne vazhdojmë. Sepse jemi bërë imun ndaj propagandave.

KALLXO.com: A frikësohet Vetëvendosje të tjetërsohet nga pushteti dhe cilat janë rreziqet kryesore qe i shihni në këtë kohe për partinë tuaj?

Albulena Haxhiu: Pushtetit nuk ia kemi frikën, asnjëherë, për faktin se do të punojmë më nderë me vullnet për ta quar përpara, së pari programin me të cilin na kanë votuar qytetarët dhe do t’i përfaqësojmë sa më mirë interesat e qytetarëve

KALLXO.com: Kryetari Mustafa në një nga deklarimet e tij, ka thënë që me VV-në nuk është problem posti i presidentit por besimi në të,  sa i besoni ju partnerit tuaj të koalicionit, dhe a do të ju paraqes problem në të ardhmen ky mosbesim?

Albulena Haxhiu: Ne kemi pasur dy vite si opozitë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë më LDK-në, vetëm si opozitë kemi arritur të ndalim projekte të dëmshme, pra aty ka nisur krijimi i besimi, besimi nuk ndërtohet për një ditë e as për një javë, pra nevojitet një kohë e gjatë për të pasur besim ndaj njëri tjetrit. Besimi duhet të na prijë për të pasur sukses, prandaj unë jam optimiste që në qoftë se edhe besimi ndërtohet.

KALLXO.com: Ju se fundmi keni porositur edhe një sondazh. Pse u dashtë me bo sondazh për zgjedhje ?

Albulena Haxhiu: Organizata e cila e ka bërë sondazhin, për aq sa kam pasur informacione nga Besnik Bislimi, ajo bënë sondazhe të vazhdueshme, çdo tre muaj, për çështje të ndryshme në Republikën e Kosovës, Ne kemi dërguar pyetje tek kjo organizatë, pra kemi pyetur për rrethanat aktuale, dhe mesa keni parë VV-ja ka rritje jashtëzakonisht të madhe dhe unë besoj që kjo rritje është reale marrë parasysh faktin që ne kemi takime të vazhdueshme me qytetarët

KALLXO.com: A e keni publikuar sondazhin për t’i bere presion LDK?

Albulena Haxhiu: Nuk ka qenë qëllimi për të bërë presion, por atë ditë ka dalë sondazhi dhe ne e kemi konsideruar që është e drejtë që qytetarët e Kosovës ta shohin rezultatin. Nuk pajtohemi që të veprojmë me presione sepse kjo nuk është në të mirë të askujt.

KALLXO.com: Çfarë do të prisnit nga zgjedhjet e reja eventuale dhe pse besoni se do te përfitonit ne një skenar të tillë ju si Vetëvendosje?

Albulena Haxhiu: Sa i përket qëndrimit të Vetëvendosjes për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme, pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme ne nuk jemi fare të interesuar që të shkojmë në zgjedhje, pra interesi jonë maksimal dhe angazhimi jonë është për të arritur marrëveshjen me LDK-në.

KALLXO.com Sa do të ishte Vetëvendosje përgjegjëse për vazhdimin e qeverisjes Haradinaj dhe abuzimet qe janë raportuar edhe ditëve te fundit?

Albulena Haxhiu: Ne nuk mund për faktin se ne nuk mund të bëjmë qeverinë pa konstituimin të Kuvendit, pra ka një rrjedhë të ngjarjeve dhe veprimeve që duhet të bëhen deri tek qeveria e ardhshme. Ne nuk mund të jemi përgjegjës për sa kohë dikush po bënë shkelje. Po të kishim institucione të pavarura të drejtësisë natyrisht që do të duhej të merrnin menjëherë me këto shkelje dhe të mos e presin qeverinë e ardhshme por të ndalen tani

KALLXO.com: Një ndër emrat e përmendur në publik për postin e ministrisë së drejtësisë jeni edhe ju, a do ta pranon këtë post?

Albulena Haxhiu: Ndoshta fakti se jam marrë shumë me çështjet e drejtësisë, tashmë edhe është përmendur emri imë, janë përmendur shumë emra për ministri, ende nuk është që kemi definuar se kush do të jetë në krye të ministrive, ajo çfarë mund të deklaroj tani është se unë do të jem e gatshme të jap kontributin tim kudo që kryesia e Vetëvendosjes, kryetari i VV-së e sheh të arsyeshme, pra qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në ekzekutiv, pra unë do të mundohem të jap kontributin tim për çështjet që i kam mbuluar dhe të tjera ku kam njohuri

KALLXO.com: Duke marrë parasysh faktin që Listës Serbe, do t’i takojë një ministri në qeverinë e re, cili do të jetë bashkëpunimi që VV-ja do ta ketë me këtë parti?

Albulena Haxhiu: Është e vërtetë që në qoftë se ka një ministër nga radhët e personave që nuk është deputet i Kuvendit, kërkohet edhe një miratim formal nga përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës, ne jemi duke parë mundësitë sesi të mbërrimë tek një person i cili përfaqëson qytetarët serb që jetojnë në Republikën e Kosovës. Nuk jemi të interesuar fare që të bëjmë shkelje kushtetuese në fillim të mandatit, por po e shohim se cilat do të jenë rrethanat të cilat do të mund të na sjellin te situata për të pasur një ministër që do ta ketë pëlqimin formal. Por nëse kjo do të jetë e pamundur sepse nëse ka në anën tjetër nga LS një tendencë për të penguar, atëherë kjo nuk mund ta pengoj qeverinë Kurti por po shohim edhe gjatë këtyre ditëve sesi mund ta arrijmë këtë.

A do të ketë apo jo një komunikim me përfaqësuesit gjegjësisht me deputet e LS nuk është që e kemi diskutuar e vendosur por padyshim që nuk jemi të interesuar të shkojmë më shkelje kushtetuese, por jemi të interesuar që ministri ose ministrja, të jetë një preson që e njeh Republikën e Kosovës, punoni për interesat e qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë dhe natyrisht nuk dirigjohet nga Beogradi.

KALLXO.com: A do ta bëni publik programin e harmonizuar me LDK-ne dhe pse gjithë kjo mbyllje ndaj publikut. A nuk është Vetëvendosje transparente siç ka proklamuar gjithnjë?

Albulena Haxhiu: E kam parë dhe përcjellë kërkesat e përfaqësuesve të shoqërisë civile për publikimin e programit qeverisës. Po ne do të veprojmë në bazë të transparencës padyshim, kemi qenë transparent, në secilin takim të grupit punues ne kemi dal kemi fol për aq sa jemi pajtuar që duhet flasim. Arsyeja se pse nuk e kemi publikuar deri tani është për faktin se nuk e dimë me siguri që do të arrihet marrëveshja, pra unë sot nuk mund të them me garracë që marrëveshja do të arrihet, ç ‘kuptim ka që të publikohet një dokument e pastaj të mos arrihet marrëveshja. Nëse arrihet marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së padyshim që ky dokument do të bëhet publik.

KALLXO.com: Dorëheqja e Shpend Ahmetit nga PSD ka kaluar në heshtje nga VV. Si i keni parë këto zhvillime dhe zgjedhjen e Dardan Molliqaj në postin e kryetarit?

Albulena Haxhiu: Mesazhin më të mirë që e kanë marrë ky subjekt politik është mesazhi i qytetarëve të Republikës së Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, çfarëdo që unë sot them është e tepërt, qytetarët e kanë vlerësuar, prandaj nuk mund të them diçka tjetër.

KALLXO.com: A ka VV ndonjë qasje të re ndaj atyre që u larguan dy vite më parë dhe kaluan në PSD? A do ta pranonit kthimin në VV të ndonjërit prej tyre?

Albulena Haxhiu: As nuk është që e kemi diskutuar në Lëvizjen Vetëvendosje e as nuk kemi ndonjë interes që të merremi me ata të cilët kanë ikur nga Vetëvendosja dhe e kanë pasur qëllim që të ta dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosjen.