Foto: Richard Grenell /Instagram

Aktakuza e Speciales, tri ditë para takimit në Uashington për dialogun Kosovë-Serbi

Pas qindra intervistimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm, Gjykata Speciale pasditën e së mërkurës theu heshtjen duke ngritur aktakuzë për krime ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli – tash kryetar i PDK-së.

Publikimi i aktakuzës nga Dhomat e Specializuara u bë tri ditë para takimit të shumëdiskutuar në Uashington më 27 qershor mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të emisarit të Shtëpisë së Bardhë për këtë proces, Richard Grenell.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit, Thaçi e Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Presidenti Hashim Thaçi ka udhëhequr me dialogun që nga fillimi i këtij procesi në nivelin politik, në disa takime me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, fillimisht me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e më pas me të ShBA-së.

Para shkuarjes në ShBA, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti patën një takim në Prishtinë, nga i cili u tha se se kanë arritur pajtueshmëri të plotë.

Takimi i së shtunës në Amerikë nga zyrtarë amerikanë dhe vendor u tha se do të ketë në fokus ekonominë, ndonëse nuk u treguan detaje të tjera përfshirë as agjendën e takimit.

Por para këtij të 27 qershorit, më 25 qershor pritet të zhvillohet një takim në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se më 25 qershor në Bruksel do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen, kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në rrëmujë.

Duke përmendur udhëheqjen e dialogut nga Thaçi e presidenti serb Aleksandër Vuçiq pas zhvillimeve të fundit Bieber ka shtuar se Kushdo që mendon se një zgjidhje e qëndrueshme mund të gjendet me këta partnerë është një mashtrim.

“Dialogu Serbi-Kosovë është në rrëmujë. Një bashkëbisedues kryesor do të tregonte për krime lufte (për tu konfirmuar nga gjykata), tjetri qeverisës autokrat pa kundërshtim. Kushdo që mendon se një zgjidhje e qëndrueshme mund të gjendet me këta partnerë është seriozisht mashtrim”, ka shkruar ai  në Twitter.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate. Në atë kohë, kryeministërka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Gjykata “hibride”, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010.

Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së të përmendur në raportin e Martyt i kanë mohuar akuzat.

Në anën tjetër, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar që nga fundi i vitit 2018, kur në atë kohë Qeveria Haradinaj i vendosi tarifë 100 për qind produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pas fushatës kundër Kosovës nga ana serbe.

Tarifa 100 për qind u hoq nga Qeveria Kurti për t’u zëvendësuar me masa reciprocitetit, por këto të fundit u shfuqizuan nga Qeveria Hoti, duke u vlerësuar si pengesa për dialogun.