Përfundon takimi Thaçi-Hoti, thonë se kanë pajtueshmëri të plotë për takimin e 27 qershorit

Brenda një jave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar dy herë.

Sot, ata u takuan para nisjes për në Uashington ku do të priten nga i deleguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ata nuk u deklaruan për media, ndërsa përmes një njoftimi Presidenca tha se dy krerët shtetëror u pajtuan për vizionin e përbashkët mbi takimin në Shtëpinë e Bardhë.

“Sot, para udhëtimit për në SHBA, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti janë takuar dhe i kanë harmonizuar qëndrimet për një përfaqësim sa më të mirë të Republikës së Kosovës në këtë takim të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Presidencës.

“Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë vizion të qartë dhe pajtueshmëri të plotë për një përfaqësim shtetëror sa më dinjitoz në rifillimin e dialogut, i cili pritet të jetë i vështirë”, thuhet në njoftim.

Thaçi dhe Hoti pritet të shkojnë në takim në Uashington më 27 qershor, ndërsa vetëm dy ditë përpara kësaj, kryeministri kosovar është ftuar në takim lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel.