Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Facebook

Flamur Sefaj Jep Dorëheqje

Flamur Sefaj ka pranuar kërkesën e Kryeministrit Ramush Haradinaj për lirim të detyrës dhe sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e ministrit.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të AKR-së.

“Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme që vjen nga radhët e AKR-së, z.Flamur Sefaj i është përgjigjur Kryeministrit të Kosovës në kërkesën për lirimin e detyrës, që i është drejtuar para disa ditësh dhe i ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e Ministrit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Aleanca Kosova e Re.

Megjithatë, AKR thotë se Flamur Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës për deportimin e shtetasve turq, por se vetëm e ka zbatuar ligjin.

“Për hir të opinionit bëjmë me dije se ministri Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së, institucion ky i cili sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKR-së.

Sipas komunikatës së AKR-së, Sefaj s’ka qenë në dijeni se kush janë ata persona, por vetëm ka zbatur ligjin.

“Ministri Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AKI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e AKR-së.

Partia e Sefajt e kanë vlerësuar punën dhe angazhimin e ministrit të Punëve të Brendshme.