Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Ferizaj: Babai dënohet për plagosjen e djalit

Gjykata në Ferizaj e ka gjetur fajtor dhe dënuar me 8 muaj burg dhe 500 euro gjobë të akuzuarin se qëlloi djalin e tij me revole në këmbë.

Deri tek ky vendim ka ardhur pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar për këtë rast.

R.M akuzohej se më 16 prill të këtij viti në fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje i ka shkaktuar lëndime trupore djalit të tij  duke shtënë nga një distancës 1-2 metra në drejtim të këmbëve të tij, me ç ‘rast një predhë e godet në këmbën e djathtë.

“Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprat penale me të cilën e ngarkon akuza, të njëjtin e shpalli fajtor dhe gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 8 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.

 Ndaj këtij vednimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.