Jeta në Prishtinë

Jeta në Kosovë flet për jetën në kryeqytet

18 mars 2009   Këtë të enjte, në emisionin "Jeta në Kosovë" do të mund ta ndiqni debatin komunal me kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafën.

Në një debat të gjerë, Mustafa do te flet për përmbushjen e premtimeve të dhëna në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2007.

Përballë tij, pos moderatores së emisionit, Jeta Xharrës, do të jenë qytetarët e Prishtinës dhe një panel i përbërë nga:

Abdyl Selami Shkodra, nga AKR;
Visar Krasniqi, gazetar në të përditshmen "Lajm";
Igballe Rogova, nga Rrjeti i Grave;
Nehat Bllacaku, nga OJQ Mileniumi i Ri;
Arianit Osmani, nga OSBE.

Cilat janë problemet në administratën publike dhe në aplikimin e planeve urbanistike me të cilat po ballafaqohet komuna e Prishtinës dhe kryetari Mustafa? Sa përmbushen nevojat e qytetarëve me shërbimet e ujit të pishëm, mbeturinave, ashensorëve dhe ngrohjes qendrore?

Sa është problematik trafiku i ngarkuar dhe çfarë është bërë për ta tejkaluar problemin e mungesës së parkingjeve? Sa duhet të pres një qytetar në ndërtesën e komunës për
t’u pajisur me çertifikatë të lindjes? Cili do të jetë fati i ndërtesave ilegale pronë e njerëzve të
strukturës politike?

Ç’është bërë për zgjerimin e hapësirave të gjelbra në Prishtinë? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që do ta sfidojnë kryetarin e kryeqytetit të Kosovës.

Po ashtu, gjatë debatit, BIRN do të transmetojë edhe pyetjet e qytetarëve të xhiruara në sheshin Nëna Terezë, së bashku me pyetjet që arritën në redaksinë tonë përmes telefonit dhe internetit.

Pas debatit, Arif Muharremi në rubrikën e kulturës do të flet për koncertin e Trio Haydn nga Austrisa të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare si dhe për hapjen e librarisë Dit’ e Nat’ në Prishtinë.