Pamje nga debati. Foto: MKRS

Debati për kinematografinë, kineastët akuzojnë Qendrën Kinematografike për keqpërdorim fondesh

Kineastët kosovarë e kanë akuzuar menaxhmentin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për keqpërdorim të fondeve publike që ndahen për filmin dhe favorizime për produksione të caktuara gjatë ndarjes së fondeve për projektet.

Këto akuza filmbërësit i shpalosën gjatë debatit të mbajtur të mërkurën në ‘Kino Armata’ në Prishtinë, nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku me filmbërësit kosovarë.

Vërejtje të shumta u bën edhe ndaj politikave të MKRS-së lidhur me mënyrën e draftimit të projektligjit të ri për kinematografinë dhe shpalljen e filmit si fushë e interesit të veçantë publik.

Kineastët e akuzuan MKRS-në për favorizim të një grupi të caktuar gjatë zgjedhjes së grupit punues të projektligjit për kinematografinë. Akuza këto që nuk u pritën mirë nga ministri Çeku.

Vërejtjet dhe akuzat e kineastëve  

Regjisorja Flutura Zymi ka kundërshtuar vendimin për futjen e filmit si sektor i interesit të veçantë publik.

“Propozimi vjen nga vetë përfituesit, që për mua është absurde. Është me rëndësi të dihet se mbi çfarë baze do të merret vendimi për shpalljen e filmit fushë me interes të veçantë që do të thotë edhe buxhet më të madhe, pasi duhet dimë se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve”, ka thënë Zymi.

Ajo e ka quajtur edhe si shqetësuese prezantimin e filmave kosovarë që në fokus kanë femrën kosovare dhe po prezantohen në festivale ndërkombëtare.

“Imazhi i gruas që po paraqitet përmes këtyre filmave në vendet tjera është shqetësuese për mua. Këto tema duhet të trajtohen brenda, nuk është me rendësi për mua që më me ditë jashtë më rrahë apo jo burri im, është me rëndësi me ditë kryeministri im dhe me zgjedh problemin”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar edhe llogaridhënie nga ministri Çeku për mos qasje në dokumente publike dhe sqarime lidhur me pagesat që QKK-ja i bën për lobimin e filmave kosovarë në festivale ndërkombëtare.

Ndërsa, regjisori Agim Sopi ka akuzuar MKRS-së se ka favorizuar, siç ka thënë ai, një klan të caktuar për draftimin e ligjit të ri për kinematografinë.

“Është një gënjeshtër e madhe sepse komuniteti është i përjashtuar. Unë jam pjesëtar i një shoqate me traditë pjesë e së cilës janë edhe shumë emrat të dëshmuar të kinematografisë dhe ata nuk janë ftuar. Kush është ai komunitet, veç nëse është ai komunitet që e ka mbajtur peng QKK-në për 10 vjet dhe ka zhvatur para publike deri në çmendi. Nuk kisha dashur që një klan vazhdon ta manipulon me MKRS-në”, ka thënë ai.

Kurse, Jeton Ahmetaj, regjisor, ka thënë se ministria duhet të hetojë mënyrën se si janë ndarë fondet nga QKK-ja, për gati një dekadë.

“Ministria duhet të hetojë pse janë përjashtuar për 10 vjet me radhë nga mbështetja emrat më eminent të kinematografisë në Kosovë dhe mënyrën se si janë ndarë fondet pë 10 vjet meradhë”, ka thënë Ahmetaj.

Pamje nga debati. Foto: MKRS

Premtimet e ministrit

Duke u përgjigjur akuzave, ministri Çeku ka thënë se MKRS  do të jetë e hapur për diskutuar me gjitha shoqata e interesuara qoftë për projektligjin për kinematografinë, llogaridhënien, apo çështjet tjera të ngritur gjatë debatit, sidomos çështjen e drejtorit të QKK-së.

“Sa i përket akuzave për keqpërdorime në QKK dhe tashmë ne kemi dërguar lëndë në prokurori dhe polici për të hetimn, ndërsa, pas përfundimit të proceduarve administrative ndaj ish- drejtorit, ne do të hapim konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri të QKK-së”, ka thënë ai.

Ministri ka thënë se kineastë duhet ta lexojnë projektligjin që tashmë është publikuar për diskutim publik, dhe të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

“Në projektligj mund të gjeni arsyen lidhur me shfaqjen e filmit sektor me interes të veçantë, rritjen e kuotës për financimin e filmave, kinemave dhe llogaridhënie”, ka thënë Çeku, ndër të tjerash gjatë debatit.

Gjatë këtij debati u ngrit edhe çështja e borxhit të QKK-së ndaj produksioneve, borxhe të cilat sipas ministrit Çeku janë duke u bërë. Deri më tani MKRS-ja produksioneve u ka borxh 22 mijë euro nga vitet e kaluar, ndërsa për 2021 borxhet e QKK-së ndaj produksioneve janë 96 mijë euro.

Po ashtu gjatë debati u tha se projekt ligji i ri parashikon edhe rritje të kuotës për mbështetjes së projekteve filmike deri në 80 % dhe lehtësira për financuesit e jashtëm të projekteve filmike..