Dialogu në udhë qorre: Vuçiqi, nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Kosovën
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Kosovën, dhe këtë tash për tash nuk do ta bëjë në asnjë rrethanë. Të paktën, jo derisa ai për vetën e tij të mos ketë ndonjë lloj amnistie të siguruar ndërkombëtarisht. Këtë amnisti, po e kërkon me ngulm, por atë po e gjen vetëm te kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Vuçiq, është i padëshiruari i SHBA-së, e keqja e domosdoshme momentale e BE-së, i kërcënuar e i frikësuar nga Rusia e diktator në Serbi.
Bisedimet mes Kosovës e Serbisë, po organizohen për të arritur një marrëveshje mes dy shteteve, ndonëse Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, nuk e quan Kosovën shtet. Një marrëveshje e cila do kontribuonte në krijimin e një klime më të mirë politike, të sigurisë, zhvillimit e të integrimit edhe të rajonit.
Tash e dhjetë vjet, orvatjet janë bërë bajate dhe, shikuar nga këndi tërësisht neutral, pse Kosova dhe Serbia ende nuk po prekin finalen, faji i plotë i takon Serbisë, për të qenë më konkret, faji ka emër, quhet: Aleksandar Vuçiq.
Këtë e dinë edhe ndërmjetësuesit e BE-së, e edhe më mirë e di SHBA-ja.
Vuçiq është si Slobodan Millosheviç
Krahasim i rëndë? E keqja është se realiteti është edhe më i rëndë. Vuçiqi mbijeton në politikë vetëm duke pasur llogari të mëdha të hapura në rajon. Njëjtë siç mbijetoi Millosheviç. Me të përfunduar çështjet që lidhen me Kosovën, Vuçiqit mund t’i fundoset karriera politike e rruga e destinacionit e tmerron, sepse ajo afërisht do të jetë e njëjta me atë ish të shefit, që i shërbeu si ministër.
Ish-kasapi i Ballkanit, nis e sos, karrierën politike e ushqente duke hapur varre në rajon. E filloi në Slloveni, vijoi në Kroaci, shkaktoi gjenocid në Bonjë e Hercegovinë e nuk u ngop me masakra gjithandej nëpër Kosovë. Me të përfunduar ato, u mbyll dhunshëm edhe jeta e tij politike.
Sa Millosheviç ishte në pushtet, vasali i tij Vuçiq, për t’i mbajtur kredon dhe për të treguar tiparet e regjura kriminale, pati zgjedhur sallën e Kuvendit të Serbisë për të kërcënuar barbarisht se nëse vritet një serb në Bosnjë, ata do të vrasin 100 boshnjakë. Ky nuk mbeti vetëm një premtim. Njëqindëshi i viktimave u shumëzua me mijëra herë në shtetin boshnjak.
Është po ky Vuçiq, i cili tek fliste për Millosheviçin, pati thënë se ai nuk e kishte idenë e keqe, porse e gaboi strategjinë implementuese.
E njohur është edhe paraqitja e tij në krah të radikalit Vojislav Sheshel në Sarajevë, me rroba civile e Kallashnikov në dorë, sikur për të trimëruar forcat serbe që të pushtonin rajonet mbi Bosnjën e djegur cep më cep.
Sot në kohën e këtij njeriu, çdo ditë e më pak në Serbi ka demokraci. Minoritetet, humanikisht janë të parëndësishëm. Rajonet ku më shumë jetojnë shqiptarët, ka shumë vjet që zbrazën heshturazi masivisht.
Se mendësia e tij nuk ka ndryshuar, u dëshmua edhe ditë më parë në Bruksel. Ai refuzoi të marrë dy libra që flasin për llahtarinë e Serbisë që ka bërë kundër shqiptarëve në vitet 1878 -1884 dhe dhunimet ndaj mijërave grave shqiptare gjatë luftës më 1998-99. Nuk pranoi as listën e 1,133 fëmijëve të vrarë e të masakruar në këtë luftë. Para një liste të tillë, vetëm një kriminel gjakftohtë i stërvitur nuk dorëzohet. Ai madje e përbuzi dhe u tall me ‘dhuratën’ që deshi t’i bëjë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Këto, por jo vetëm, tregojnë se Vuçiq është një person pa gjasa për të qenë politikan normal e njeri me ndjeshmëri e qytetar evropian i shekullit të ri.
Këtë e di BE, e di edhe SHBA. Këtë e di edhe Kosova, ndonëse ulet me të dhe i jep shanse dialogut e marrëveshjes.
Të gjitha çfarë ka bërë dhe ka thënë Vuçiq, janë detyra të kryera me sukses edhe nga tash kryetari i Parlamentit të këtij vendi, Ivica Daçiq.
Duke e ditur BE se kush në të vërtetë janë eksponentët që udhëheqin Serbinë, ajo nuk mund t’ia lejojë vetes që brenda të fusë një shtet që drejtohet nga politikanë me precedan të dëshmuar kriminal. Vuçiq këtë të vërtetë e bartë me vete. E ka të njohur edhe nga fati i paraardhësit siamez politik të tij, Millosheviç.
Sa për kujtesë, me arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit (1995), Millosheviç u quajt njeri i paqes. Gjashtë vjet më vonë, i kalonte netët aty ku e kishte vendin, në burgun e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Aty vdiq. Duke e pasuar me besnikëri modelin politik të kryekriminelit Millosheviç, nxënësi Vuçiq, si kartë të fundit të stampimit në pushtet, përdorë agresionin verbal, meqë atë fizik nuk mund ta bëjë mbi Kosovën. Në të kundërtën, po të mos ishte NATO në Kosovë, do provonte të parkonte tanket e ushtrisë serbe para objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, pa ndërruar asgjë nga plani millosheviqian.
A ka një gjasë për marrëveshje me Vuçiqin në pushtet?
Po, megjithatë ka. Dhe ajo ka dy mundësi që të ndodhë. E para, është modeli i shkopit. Vuçiq të shtrëngohet seriozisht nga ndërkombëtarët, në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe e dyta, karrota. Të shpërblehet Vuçiq. Ndërsa shpërblimi që ai do, nuk është ndonjë pjesë e Kosovës për Serbinë, nuk është as ndonjë avancim i të drejtave të serbëve të Kosovë, as i shumëpërfoluri Asociacion i komunave me shumicë serbe. Është krejtësisht dhe zhveshur interesi i tij puro personal i mbijetesës në politikë dhe qetësisë që kërkon të sigurojë.
Një version tjetër të mundshëm për marrëveshje, bazuar në gjithë atë që ka prodhuar e kaluara e tij personale dhe një dekadë e bisedimeve me Kosovën, nuk shihet. Kosova, fatkeqësisht ka besuar se mund të bëjë marrëveshje edhe me një njeri ekstra joparimor, super egocentrik e radikal si Vuçiqi dhe ka vijuar takimet maratonike e kompromiset, duke besuar në marrëveshje të njohjes së ndërsjellë. Shumëçka doli nëpër tavolinat e BE-së si propozim, madje edhe ndarja e mundshme e Kosovës. U investua edhe nga pala e Kosovës për këtë, duke menduar se do ishte njëfarë sihariqi ky, dhe sado i dhimbshëm, do krijonte marrëdhënien e re mes dy shteteve. U nënshkrua edhe një marrëveshje për Asociacionin, e cila u zhvlerësua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por, edhe po të ndodhnin të dyja këto, Vuçiq do gjente edhe qindra arsye të dilte refuzues. Do kërkonte edhe më tepër, edhe shumë më tepër mbi Kosovën, e ndoshta edhe krejt Kosovën. Dhe prapë, edhe po t’i ipej, nuk do ishte e mjaftueshme për të, në rast se kjo nuk do nënkuptonte edhe pastrim të këmishës së tij politike. Atij i intereson një marrëveshje që e çliron Vuçiqin, që e bën të pranueshëm atë, jo një marrëveshje që e çliron vendin e tij Serbinë, që e çliron Kosovën dhe e çliron gjithë rajonin.
Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si mundësi e tretë, mund të jetë nëse ky njeri nuk do ketë fuqi politike në Serbi. Për një skenar të tillë, gjasat janë më të vogla, pasi mbështetja elektorale, sipas rezultateve të zgjedhjeve, që ai ka, është e madhe.
Përveç prangave të së kaluarës, Vuçiqin përbrenda e shtrëngojnë fortë edhe lidhjet e tij të ngushta më krimin e organizuar e bandat e nëntokës në Serbi.
Normalisht për të shkruar për një profil politikani me të kaluar gri, e cila e mban peng edhe nëse ai tenton t’i shmanget hijes së vet, nuk janë të mjaftueshme disa rreshta.
Sidoqoftë, edhe po të mos kishim një raport tashmë të etabluar të marrëdhënieve të këqija me Serbinë dhe kurthit të ndërtuar nga BE-ja, që synonte e synon një dakordancë mes dy vendeve, fakti që ne e kemi një shtet fqinj që udhëhiqet nga eminenca e errët politike, do të ishte mjaftueshëm shqetësuese dhe e nevojshme të merreshim me të.