Koha për SHBA, një Borrell i njëanshëm e i hidhëruar, nuk bën punë

Josef Borrell, nuk është një ndërmjetësues neutral, si pasojë as i duhuri. Ai mban anë kur flitet për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ishte e panjohur kjo, por edhe për dritë të diellit u vërtetua pas takimit që pati të martën në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin bënë arenën e dyluftimit verbal edhe në konferencën për media. Ai i kërkoi Kurtit, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar këtë çështje mbi çështjet – më të rëndësishmen gjë – edhe përkundër se nga 33 marrëveshjet e bëra në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, shumica dërmuese nuk respektohen nga Serbia.

Ky presion pos i dëmshëm për Kosovën e marrëdhënien e nesërme që duhet ta ketë me shtetin fqinj verior, nuk bëhet si kundërpeshë edhe ndaj Serbisë. Për asgjë, qoftë marrëveshjet e arritura më parë mes dy shteteve e moszbatimit të tyre nga Serbia, qoftë edhe për probleme tjera të rëndësishme, Borrell nuk nxjerrë zë. Megjithatë ideja e tij ngulmuese, nuk dukej e as nuk është një prodhim i tij origjinal. Saktësisht, fjalët që tha diplomati spanjoll, janë refrenet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, të llomotitura me besnikërinë e citatit nga kryeshefi i BE-së, mosnjohësi i Republikës së Kosovës.

Politikani me përvojë Borrell, nuk ka mandat të jetë i njëanshëm. Nën hijen e tij, është dukur vazhdimisht, një trajtim prej njerkës dhe nënës që ka e kishe karshi Kosovës e Serbisë. Porse, përvoja nuk e tradhtonte dhe e mbante, të paktën publikisht disi, brenda një kornize neutraliteti të rrejshëm.

Megjithatë, siç e vërteta di të shfaqet haptazi e shpesh edhe atëherë kur më së paku është e dobishme për ndrydhësin e saj, Borrell tregoi vet, pa e pyetur kush, se ka barel të lartë presioni mbi Kosovën, Republikën të cilën shpesh e quan një vend, e fare rrallë i përmend emrin.

Përvoja nuk duket ta ketë mësuar deri më tash shefin e BE-së, se presioni mbi të dëmtuarin, që në këtë rast është Kosova, dhe krejt bota e di, nuk sjellë drejtësi e aq më pak marrëveshje që garanton qëndrueshmëri paqësore mes palëve e perspektivë evropiane.

Për t’i hequr hijen mbrojtëse e zhveshur pelerinën e neutralitetit, u dashtë që kryeministri Kurti, të mos pajtohet publikisht me të, me siguri e bërë me qëllim nga ai sepse të gjithë kanë nevojë të shohin Borrellin e qasjen e BE-së prej vërteti, e për të shpërfaqur haptazi ndërdijen e burokratit evropian, se çfarë synon tek sa flet për marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

Ai kërkoi publikisht, si asnjëherë më parë jashtë katër mureve të zyrave komode të BE-së, jetiken për të: Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë të popullatës serbe në Kosovë. Me çdo kusht, si çështjen alfa të rrethanave, qoftë edhe, siç la të kuptohet, me opsionin e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës. Të adaptohet një asociacion, sipas dizajnimit të Serbisë, pa gajlen e madhe se çfarë në të vërtetë do të thoshte një gjendje e tillë për funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe pavarësisht që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, marrëveshjen për krijimin e saj, e ka gjetur agresore të kushtetutshmërisë. Për fat të keq, por tërësisht natyrshëm, ky duket të jetë një ultimatum që Borrell ka marrë nga Vuçiq, ndoshta edhe me kërcënimin se bisedimet nuk do vazhdojnë nëse ky asociacion nuk bëhet. E ndalja e bisedimeve, do jetë shpullë në fytyrën e përvojës së Borrell, që dëshiron karrierën ta rrumbullakoj me një trofe, nëse jo më përfundim të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, të paktën me një rezultat në terren, pale që ai do ishte defunksional për veten e edhe shtetin e Kosovës. E rëndësishme të ishte për të, një medalje krekosëse diku në fund të CV-së së tij.

Përkundër qasjes negative shtypëse të Borrell, ky ishte ndër takimet e dobishme për ecurinë e të ardhmes mes Kosovës dhe Serbisë. Në radhë të parë shpalosi Borrellin e njëanshëm para atyre që mund të kenë interes të ndjekin shfaqjet bajate të këtyre takimeve, e së dyti, tregoi paaftësinë e tij e të BE-së për ta mbyllur me meritokraci sagën e bisedimeve mes dy shteteve.

Por shfaqja, kishte edhe të keqen e saj. Me retorikën e kësisojt, Borrell po ushqen fort ambiciet e pashëruara të Serbisë dhe liderit të saj hegjemon, për defunksionalizim të shtetit të Kosovës në njërën anë dhe ndarjes së saj, si mundësi në anën tjetër. Serbia nuk e fsheh, Kosovën e sheh si tortën në tavolinë, të cilës medoemos duhet t’i shkëpus një copë, sa më të madhe dhe më të mirë të mundshme, e pjesën tjetër, sa më keqas ta shkarravisë. Edhe ndarje, edhe asociacion institucional të fuqishëm, është synimi i saj.

Meqë ky meç Kurti – Borrell, në të cilin ky i fundit dukej edhe i hidhëruar, tashmë s’ka shumë të panjohura, pritjet për një përfundim të bisedimeve, siç thuhet nga BE me një “marrëveshje ligjërisht obligative” (thua se marrëveshjet e deritashme që Serbia nuk i respekton, nuk ishin ligjërisht obligative), nuk jetojnë më as te optimistët më të mëdhenj. Borrell, si edhe paraardhësit në pozitën e shefit të BE-së, s’kanë kaçik politik, diplomatik, detyrues e ndoshta as dëshirë të njëmendë që hesapet mes dy vendeve të marrin epilog të drejtë përfundimtar, kur të dyja vendet do ta njihnin subjektivitetin shtetëror të njëra tjetrës. Madje BE as nuk e kërkon njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, sepse Borell, klika e kaluar e as e tashmja e Bashkimit Evropian, nuk bën ndonjë gjë që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet anëtare të bllokut, e madje as nuk po japin shpresë për qarkullim të lirë të qytetarëve të Kosovës – heqjen e regjimit të vizave, përkundër 95 kushteve të vëna e tashmë të plotësuara.

Andaj është e nevojshme, është koha dhe e vetmja mundësi për të zhbllokuar ngërçin dhe kapur shpejtë një marrëveshje meritore, e cila do mbështetej në gjendjen faktike statusore e nuk do të cungonte territorialisht vendin nga jashtë e as sakatonte nivelin e pushteteve përbrenda, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin situatën në dorë.

Për dallim nga BE, SHBA si gjithnjë, tregohet eksplicite. Edhe për bisedimet Kosovë – Serbi, ata kanë një trase të qartë. Ndonëse e kërkojnë krijimin e Asociacionit, një trup e paraparë dhe përfshirë edhe në pakon e ish ndërmjetësuesit për statusin e Kosovës Martti Ahtisari, ata thonë që njohja mes dy vendeve është parakusht. Ndërsa për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, asnjëherë nuk kanë përmendur nevojën për ndryshime të Kushtetutës së Kosovës.

Në një nga prononcimet e shumta, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer i dërguar special i SHBA-së, thotë se Kosova duhet të gjejë mekanizma që ta zbatoj Asociacionin duke respektuar Kushtetutën e saj.

Pa amerikanët në krye të procesit dialogues, do vijojnë takimet e herë pas hershme në Bruksel, pa një cak e pa një prerje të drejtë, derisa të stërshteret nevoja për to, sepse tashmë duket se ato janë shterur dhe s’prodhojnë asnjë gjë, pos humbje të kohës, eventualisht rrëzime kryeministrash kosovar, cilido qoftë ai, sot Kurti apo nesër dikush tjetër, meqë s’do pranojnë rehabilitimin e aspiratave pushtuese të Serbisë të cilat paketohen, mirëmbahen e lansohen nga disa zyrtar të Brukselit.