Drejtori i Spitalit të Gjilanit kërkonte para për tender

 

Aktakuza e ngritur nga prokurori komunal, Esat Ademi, e ngarkon Hajdarin se ia kishte kërkuar Selvije Demollit, pronare e kompanisë “Toni”, shumën prej 2 000 eurosh, që mos t’ia ndërpriste kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve të spitalit.

“Ke marrë tender pa dhënë diçka… E ke fituar tenderin, duhet të kesh para, përndryshe të shkëputet kontrata”, ka treguar e dëmtuara Selvije Demolli t’i ketë thënë drejtori, pasi e kishte fituar tenderin. Fillimisht, ai kishte kërkuar që pagesa të bëhej në këste nga 500 euro në muaj e pastaj ishin marrë vesh nga 200 euro në muaj.

Një javë para se të drejtori të arrestohej në flagrancë nga policia, Selvija tha se vajza e saj i kishte ardhur në zyrë duke qarë. “Ajo më tha se drejtori ia kishte mbyllur derën e zyrës dhe i kishte thënë: ‘Nëse don me fitu tenderin, hajde me mua’. Pas bisedës me vajzën, kanë vendosur që rastin ta lajmërojnë në polici, “sepse para nuk kemi mundësi me dhanë”. Kur e kanë lajmëruar rastin, një polic iu ka thënë se paratë do t’ua siguronin ata.

“E kam thirrë në telefon të akuzuarin dhe i kam thënë: ‘A po takohemi në zyrë, a diku tjetër. Me propozimin tim jemi takuar në restorant ‘Bujana’. Kam shkuar në këtë restorant dhe drejtori ishte duke ngrënë bukë. Jam ulur dhe i kam thënë: ‘Drejtor t’i kam sjellë paratë’. Ai më ka pyetur se a e di vajza për ‘këtë punë’… Paratë nuk ja kam dhënë në prezencë të vajzës, sepse i akuzuari ka kërkuar një gjë të tillë. Por, vajza e ka ditur se paratë kam me ia dhënë”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Abdylaziz Sadiku, Selvija ka treguar se më 18 korrik i ka dërguar një mesazh në telefon drejtorit ku i ka treguar se paratë i ka siguruar. Selvija tha se kur e ka dërguar mesazhin është bazuar në marrëveshjen që ka pasur me policinë. Njëra prej arsyeve pse ia kishte dhënë paratë, tha se ishte që drejtori mos t’ia ngucë vajzën, por edhe për shkak të tenderit.

Bashkim Vranja, mbikëqyrës i Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion për rajonin e Gjilanit, ishte dëshmitari radhës në këtë gjykim. Ai tregoi në mënyrë kronologjike arrestimin e të akuzuarit. Ai tha se kanë pasur informata se në Spitalin e Gjilanit, nga disa mjekë dhe vetë drejtori ka shpërdorim detyre.

E dëmtuara i kishte dhënë 1 000 euro kur e kishte fituar tenderin e parë, tha polici. 

Në marrëveshje me prokurorin, është vendosur që të aplikohet “simulimi i veprës penale”. Bankënotat janë fotokopjuar para se t’i jepeshin Selvijes.

Në tarracën e “Bujanës” ka qenë ish-shefi i Njësisë së Antikorrupsionit, i cili vazhdimisht e ka vëzhguar ngjarjen. Ai ka parë kur të hollat janë dhënë nën tavolinë dhe drejtori i ka marrë dhe futur në xhepin e majtë të këmishës. Pastaj vëzhguesi e kishte njoftuar se vepra është kryer.

Pas 10 minutash, drejtori ishte çuar nga tavolina dhe ishte nisur në drejtim të daljes. Afër shkallëve e kishin përshëndetur meqë njiheshin nga më herët. Drejtori i kishte thënë: “Më fal se po ngutem se kam një takim në parti, më duhet të shkoj”. Por, polici Vranja i kishte thënë se nuk mund të largohej, pasi është i dyshuar për marrje ryshfeti.

Pasi e fusin në veturë, ia gjejnë paratë. Kur e kishin pyetur nga këto para. Ai iu kishte thënë se e Selvija ia kishte pasur borxh. “Pas kësaj, ia kishin vënë prangat nga ana e përparme dhe e kemi dërguar në stacionin e policisë”, ka përfunduar rrëfimin Bashkim Vranja. 

Avokati Kadri Syla i propozoi gjykatës që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Dr. Zijadin Hasani dhe Rrahim Rashiti, punëtorë në Spitalin e Gjilanit, të cilët sipas tij, kanë njohuri se Selvija ia ka pasur borxh të akuzuarit shumën prej 2 000 eurosh. Gjykata e aprovoi këtë propozim.

 

Hajdari i cili ishte arrestuar më 19 korrik kishte qëndruar dy ditë në paraburgim dhe nga data 21 korrik deri më 27 shtator, në arrest shtëpiak. Gjykimi ishte caktuar të niste më 27 shtator, por ishte shtyrë. Avokatët mbrojtës paraqitën para fillimit të gjykimit një raport mjekësor, sipas të cilit i akuzuari ishte i sëmurë dhe nuk mund të paraqitej në gjykim.

Seanca e radhës vazhdon më 9 nëntor, kur do të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja.