Emërimi i drejtorëve në Baletin dhe Muzeun Kombëtar, MKRS nuk tregon kur do hapen konkurset

Miratimi i Buxhetit të Republikës së Kosovës për këtë vit nga ana e Kuvendit të Kosovës, i ka hapur rrugë Ministrisë së Kulturës, për të hapur konkurs për zgjedhjen e dy drejtorëve në dy prej institucioneve kulturore në vend.

Baleti Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës janë në pritje të zgjedhjes së drejtuesëve të rinj, pasi tashmë kanë muaj që janë pa drejtorë.

Zyrtarë të MKRS-së kanë pohuar për Kallxo.com se kjo ministri në planifikimin e vet lidhur me rekrutimin e burimeve njerëzore për vitin 2019, ka planifikuar edhe pozitat e lartëcekura.

“Të dy konkurset nga ana procedurale janë gati për t`u shpallur, por Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pritur aprovimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, si kushti kryesor për të ndjekur hapat ligjor për marrjen e aprovimit për shpalljen  e konkurseve”, ka thënë, Samir Hoxha, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.

Këshilltari Hoxha ka pohuar se konkurset për zgjedhjen e drejtorëve të BKK dhe MKK-së do të shpallen së shpejti, por pa dhënë kohën e saktë rreth hapjes së konkurseve për zgjedhjen e drejtorëve të këtyre institucioneve.