Drekat misterioze të Begzat Sinanit

Komuna e Kamenicës, që tash drejtohet nga Qëndron Kastrati i PSD-së nuk ka informacione për shpenzimet e ish kryetarit, Begzad Sinani.

Është hera e dytë që Komuna e Kamenicës thotë për KALLXO.com se nuk ka informacione se si është shpenzuar buxheti i Komunës së Kamenicës në vitin 2017.

Me 30 nëntor të vitit të kaluar, zyra e kryetarit Begzad Sinani kishte shpenzuar 107 euro në një drekë zyrtare me bashkëpunëtor.

Këta bashkëpunëtor, si në një rast tjetër mbeten misterioz. Komuna që tash qeveriset nga Qëndron Kastrati thotë se nuk e di se kush kanë qenë njerëzit që kanë mbajtur takim pune me kryetarin e Komunës.

“Fatura për të cilën keni pyetur gjithashtu është nga qeverisja e kaluar. As ne nuk kemi më shumë informacione për detajet e kësaj dreke. Si komunë, obligohemi që t’i shlyejmë të gjitha borxhet ndaj operatorëve, konkretisht edhe këtë faturë. Ashtu si në rastin e kaluar edhe kjo faturë është e vulosur dhe e nënshkruar nga ish kryetari Sinani”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Komunës së Kamenicës.

Në këtë drekë ishin porositur 3 mishra të furrës që kishin kushtuar 18 euro, dy specialitete të restorantin me vlerë totale prej 18 euro, mish të kombinuar me vlerë prej 18 euro.

Gjithashtu në këtë drekë të ish kryetarit ka pasur edhe shpenzime të tjera si Bërxollë pule, ujë, pije të gazuara e kafe.

Ish kryetari, Begzad Sinani tha për KALLXO.com se ka kaluar kohë e gjatë prej kur ai ka qenë kryetar.

“Për besë, tash kanë kaluar 1 vit e gjysmë, mundem me thanë që kam pas vizita të shpeshta të ministrave, zëvendësministrave, ambasadorëve, organizatave, donatorëve etj. Këto shpenzime janë bërë në kuadër të takimeve që kam pasur me delegacione”, tha Sinani për KALLXO.com

Sipas tij, fatura me mbishkrimin me bashkëpunëtorë mund të jetë ndonjë faturë me zyrtarët e tjerë të Komunës.

“Mundet me qenë naj faturë me bordin e drejtorëve, me delegatë të Kuvendit, a me komisione a diçka”, tha tutje ai.

Në përgjigjet e Komunës ku thuhet se janë të obliguar t’i paguajnë borxhet ndaj operatorëve, Sinani thotë se s’ka pasur borxhe.

““Unë e di që të gjitha obligimet ndaj operatorëve janë kryer. S’kam lanë obligime”, tha në mes tjerash ai.

Sinani, madje thotë se ka gjatë kohës së tij si kryetar ka qenë i lavdëruar për reduktimin e shpenzimeve.

“Unë e di që kam marrë lëvdata sa i përket reduktimit të shpenzimeve, deri në 60% të shpenzimeve janë reduktuar vit pas viti, krahasuar me mandatet e kaluara. Lëvdata kam marrë nga debatet publike me qytetarët, nga Kuvendi Komunal etj”, tha ish kryetari i Kamenicës.

KALLXO.com ka shkruar edhe për një faturë tjetër, për të cilën Komuna është në dijeni se kush kanë qenë personat të cilët kanë qenë të ftuar në drekën e punës së Kryetarit të Komunës.

https://kallxo.com/dosja/dreka-e-dyshimte-komuna-nuk-e-di-pse-u-shpenzua-buxheti-i-saj/

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare të kryetarëve të Komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Fatura e Komunes se Kamenices Foto: KALLXO.com

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.