Dreka e dyshimtë: Komuna nuk e di pse u shpenzua buxheti i saj

Ish kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani kishte shpenzuar 82 euro për një drekë në restorant Planeti në Gjilan.

Ai këtë drekë e kishte ngrënë me mysafirë nga Prishtina, pak javë para se të mbaheshin zgjedhjet komunale.

Dreka ishte ngrënë më 30 shtator të vitit 2017.

Në faturë nuk është i bashkangjitur edhe kuponi fiskal ku tregohet se për çfarë produktesh janë shpenzuar 82 euro.

Se çfarë kanë ngrënë dhe kush kanë qenë mysafirët nga Prishtina nuk e dinë as në Komunën e Kamenicës, e cila tani udhëhiqet prej Qëndron Kastratit të PSD-së.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për informim e Komunës së Kamenicës thotë se nuk ka informacione për detaje të tjera të faturës.

“Këtë faturë e kemi të trashëguar nga qeverisja e kaluar, pra nuk është e këtij mandati qeverisës. Ne si komunë obligohemi t’i shlyejmë të gjitha borxhet ndaj operatoreve, rrjedhimisht edhe këtë faturë.  Fatura në fjalë është e vulosur dhe e nënshkruar nga ish kryetari Sinani. Për detajet e kësaj fature ne nuk kemi informacione të tjera”, thuhet në përgjigjen e Komunës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare të kryetarëve të Komuanve dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.

Fatura e drekes fantome te Kamenices