Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Në Deçan flitej se djali i gjyqtares Tolaj ‘kryente punë në Gjykatë’

Ka vazhduar edhe sot gjykimi ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj, djalit të saj, Fisnik Tolaj, dhe zyrtarit policor Granit Shehaj.

Duke qenë një rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave, Gjykata në Ferizaj ka caktuar pesë seanca në muajin maj për të dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.

Dëshminë në këtë gjykim e dhanë Visar Çekaj, Dardan Haskaj dhe Idriz Tolaj, të gjithë këta të ftuar si dëshmitarë nga Prokuroria.

Në dëshminë e tij, Visar Çekaj rrëfeu para trupit gjykues se si i kishte dhënë Fisnik Tolajt 800 euro për të përshpejtuar një lëndë të shkurorëzimit që kishte vëllai i tij tek ish-gjyqtarja Safete Tolaj, por që Fisnik Tolaj e “kishte mashtruar duke i dhënë një aktvendim të falsifikuar”.

Visar Çekaj rrëfeu se si kishte dëgjuar të flitej në Deçan se Fisnik Tolaj “kryente punë në gjykatë” dhe e kishte kontaktuar për të përshpejtuar lëndën e vëllait të tij.

“Njerëzit folnin në Deçan për Fisin që kryen punë në gjykatë, dhe qashtu jam ra në kontakt që me më kry punë me lëndën e vëllait edhe pse e disha që Fisi nuk punon kurrgjë”, tha dëshmitari Visar Çekaj.

Duke qenë se vëllait të dëshmitarit Visar Çekaj i duhej shpejt aktvendimi për shkurorëzim, dëshmitari ishte takuar me Fisnik Tolajn dhe ky i fundit i kishte kërkuar 1.000 euro për të shpejtuar lëndën, por që në fund e “kishin bërë pazar për 800 euro”.

“Në takim Fisniki më tha që mujmë me bo diçka për lëndën në Deçan. Më kërkoi njëherë 1.000 euro, por pastaj u morëm vesh për 800 euro. Në fillim ia kam dhënë 200 euro, e pjesën tjetër kur u kry puna, kur ma ka sjellë dokumentin që është bërë shkurorëzimi”, tha dëshmitari Visar Çekaj.

Pas një kohe, dëshmitari rrëfeu se Fisnik Tolaj i kishte dhënë një aktvendim për shkurorëzim, por që më vonë e kishte kuptuar se ai dokument ishte i falsifikuar dhe nuk ishte zyrtar.

“Kur e kam çu dokumentit për vërtetim në Ministri, pra t’i qitet vula apostille, më kanë thënë që ai dokument nuk është në rregull diçka. Edhe unë kam dyshu te nënshkrimet në dokument. Nënshkrimi në këtë dokument ka qenë nën emrin e gjykatëses Safete Tolaj dhe nje personi tjetër”.

Menjëherë pasi e merr vesh që dokumenti është i falsifikuar, vëllai i tij shkon të takohet me ish-gjyqtaren Safete Tolaj, të cilës ia tregon edhe dokumentin e falsifikuar. Sipas Visar Çekajt, vëllai i tij i kishte treguar se gjyqtarja Tolaj “ishte shqetësuar shumë se si një dokument është falsifikuar me emër të saj”.

“Vëllai e ka marrë dokumentin që ma ka dhënë Fisi dhe ka shku te gjyqtarja Safete Tolaj. Safetja i ka thënë që ‘shumë keq që është përdor emri i saj në këtë vendim’”, rrëfeu para Gjykatës, dëshmitari Visar Çekaj.

Pas një viti kur edhe zyrtarisht Gjykata kishte vendosur për shkurorëzimin e vëllait të tij, Visar Çekaj rrëfeu se si kishte shkuar në gjykatë për të kërkuar nga Safete Tolaj paratë që i kishte marrë djali i saj, Fisniku.

“Gjyqtares i tregova që vendimin e kam marrë prej Fisit dhe i tregova që kam pagu 800 euro, dhe ajo më tha që s’ka pasë nevojë me bisedu fare me Fisnikun por me i ndjek rrugët ligjore”, rrëfeu dëshmitari.

“Kur i thash qysh me i marrë unë paret e mija nga Fisi, gjyqtarja më tha që lirisht mundem me lajmëru rastin në Polici”, shtoi dëshmitari Visar Çekaj.

Pas këtij takimi me ish-gjyqtaren Safete Tolaj, dëshmitari ia kishte kërkuar paratë edhe Fisnik Tolajt, por ky i fundit asnjëherë nuk ia kishte kthyer ato.

Në fund të dëshmisë së tij, Visar Çekaj rrëfeu se si një i afërm i të akuzuarve Safete dhe Fisnik Tolaj i kishte shkuar dy herë në shtëpinë e tij, për ta pyetur lidhur me këtë rast, pasi që të akuzuarit ishin arrestuar nga policia për këtë rast.

“Njëfarë Arsim Tolaj, që është bashkëfshatar dhe i afërm i tyre, ka ardhë te shpija jem dhe më ka pyet se a më kanë ftuar organet rreth këtij rasti. Njëherë tjetër është interesuar se çka kam thënë në deklaratat e mia në Polici dhe në Prokurori”, tha në fund të dëshmisë së tij, Visar Çekaj.

Avokatët mbrojtës të Safete dhe Fisnik Tolajt kishin vërejtje në lidhje me këtë dëshmitar të ftuar nga Prokuroria, dhe dëshmitarit tjetër, Dardan Haskaj. Sipas tyre, këta dy dëshmitarë nuk përmenden askund në dispozitivët e aktakuzës me të cilën ngarkohen të mbrojturit e tyre dhe se ky dëshmitar nuk mund të dëgjohej në këtë gjykim.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku kundërshtoi këtë propozim të mbrojtësve të të akuzuarve duke thënë se “kundërshtimet ndaj provave janë refuzuar nga Gjykata në Ferizaj dhe nga Gjykata e Apelit” dhe se dëshmia e këtij dëshmitari është relevante në këtë gjykim.

Trupi gjykues vendosi që dëshmia e Visar Çekajt dhe Dardan Haskajt të dëgjohej në shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar si relevante dëshminë e tyre.

Dëshminë në këtë proces gjyqësor e dha edhe Dardan Haskaj, i cili pas disa vërejtjeve nga trupi gjykues, konfirmoi deklaratat e tij që kishte dhënë në Polici dhe Prokurori për këtë rast. Në ato deklarata, Dardan Haskaj kishte qenë në takimin ku Fisnik Tolaj i kishte kërkuar Visar Çekajt 1.000 euro për të shpejtuar lëndën e vëllait të këtij të fundit.

“Kam qenë në takimin ku Visari ka kërkuar që lënda e tij të shpejtohet dhe Fisi i ka kërkuar para në takim, pra 1.000 euro por pasi që unë e Fisi jemi prej një fshati janë marrë vesh me ja dhanë 800 euro. Por Visari i ka thënë Fisit që paret nuk t’i jap pa e rregullu punën”, tha në dëshminë e tij, Dardan Haskaj.

Zyrtari i Gjykatës së Deçanit, Idriz Tolaj, njëherit bashkëfshatar i dy prej të akuzuarve, dëshmoi në lidhje me një certifikatë të falsifikuar, e cila nuk ishte lëshuar zyrtarisht nga kjo Gjykatë.

Sipas dëshmitarit, një certifikatë nën hetime ishte lëshuar zyrtarisht për gruan e Fisnik Tolajt, Blerina Vishaj, por që ekzistonte edhe një certifikatë me të njëjtin numër të protokollit e lëshuar për një qytetar tjetër në formë të falsifikuar.

“Një certifikatë me numër të njëjtë të protokollit si ajo e lëshuar për Blerina Vishaj nuk është e lëshuar apo nënshkruar prej meje”, konfirmoi dëshmitari Idriz Tolaj, pasi që prokurori Maloku e njoftoi me dokumentin e dyshuar.

Më tej, Idriz Tolaj tregoi se askush nuk mund të merrte me vete kopje të paplotësuara të certifikatave nën hetime dhe se vetëm Zyra për lëndë penale kishte autorizimin për të lëshuar një certifikatë të tillë.

“Forma e paplotësuar e certifikatës nën hetime nuk mund të merret nga pala. Nuk ka shancë, dhe vetëm Zyra për lëndë penale është e autorizuar të lëshojë dhe ruajë këto certifikata”, tha dëshmitari Idriz Tolaj.

Megjithatë, në fund të dëshmisë së tij, Idriz Tolaj mohoi të ketë parë Fisnik Tolajn të hynte në këto zyre ku lëshoheshin certifikatat nën hetime.

Shqyrtimi gjyqësor për këtë rast do të vazhdojë më 23 maj, me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të ftuar nga Prokuroria.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësorë, i cili ka nisur pas aktakuzës së ngritur pas hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

16 Maj 2018 - 19:28

Arbër Kadriu 16/05/2018 - 19:28
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend