Cilat ishin porositë e delegacionit gjerman?

Tarifa është kundër CEFTA-s. Serbia duhet të arrijë marrëveshje me Kosovën për anëtarësim në BE. Këshilli i Evropës duhet të jep dritën jeshile për vizat. Për vizitë zyrtare në Prishtinë sot kanë qëndruar një delegacion nga Bundestagu gjerman.

Ata pas takimeve me deputet nga pushteti dhe opozita edhe një herë e kanë konfirmuar qëndrimin e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa theksuan se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative.

Kryetari i komitetit parlamentar të Bundestagut për Evropën Juglindore, Josip Juratoviq ka thënë se taksa që Kosova i ka vënë produkteve të Serbisë duhet të hiqet sepse është në kundërshtim me CEFTA-në.

“Vetëm për faktin se zonja Merkel nuk kërkoi nga Haradinaj që të bëj diçka rreth taksës, është diçka që ne nuk mund ta përshëndesim. Kjo çështje duhet të vendoset në dritën e duhur. Ne nuk përkrahim as qasjen e Serbisë që bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol, siç nuk përshëndesim as vendosjen e taksës sepse jo është kundër CEFTA-s”, ka thënë ai .

Juratoviq tutje ka shtuar se Serbia do të detyrohet të përmbushë kapitullin 35 për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, e cila e qon drejtë qëllimit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“Derisa ky problem të zgjidhet ne nuk mundemi të rrimë e të shohim se si rinia po ikë me të madhe nga këtu. Këshilli i Evropës duhet të jap dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.”, theksoi ai.