Bizneset Fillojnë Zbatimin e TVSH-së me Dy Nivele

Ka filluar së zbatuari ligji për TVSH-në si pjesë e pakos së re fiskale. Tatimi mbi Vlerën Shtuar përcakton dy norma të TVSH-së: norma standarde për 18 për qind dhe norma e reduktuar me 8 për qind, secila sipas produkteve të posaçme të përcaktuara me ligj.

Për blerjen e realizuar në një nga marketet e Prishtinës nga KALLXO.com, në kuponin fiskal ka artikuj që u përkasin të dyja normave të TVSH-së. Me ç’rast vërehet se në kuponin fiskal për artikuj të caktuar janë aplikuar norma të ndryshme të TVSH-së, siç parashikon ligji.

Të gjitha bizneset deklaruese të TVSH-së kanë qenë të obliguara që para datës 1 shtator t’i bëjnë rregullimet në programet e tyre, si dhe t’i vendosin normat e reja të TVSH-së në pajisjet elektronike fiskale.

Është ende herët për të vlerësuar nëse ndryshimet në TVSH po zbatohen nga të gjitha bizneset që operojnë me kasa të rregullta fiskale konfrom ligjit, por fakt është që të paktën disa prej tyre po e zbatojnë atë.

KALLXO.com raportoi për hyrjen në fuqi të masave të reja fiskale, një ditë para zbatimit efektiv të ndryshimeve ligjore.