Avokati i Popullit alarmon për shkeljen e të drejtave të fëmijëve në rrugë

Avokati i Popullit përmes një komunikate për media ka njoftuar së ka publikuar raportin lidhur me çështjen e fëmijëve në situatë rruge.

Ky institucion vëren se situata aktuale e fëmijëve në situatë rruge në Kosovë përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut, në këtë rast të të drejtave të fëmijëve.

Si rrjedhojë, Avokati i Popullit konsideron se institucionet e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë për ta parandaluar, trajtuar dhe adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge, me që gjatë viteve ky fenomen nuk ka pësuar rënie.

“Avokati i Popullit nga rishikimi i dokumenteve përkatëse ligjore, informatave dhe të dhënave me të cilat posedon, vëren se përkundër përpjekjeve të bërë për të mbrojtur dhe ndihmuar fëmijët në situatë rruge përgjatë viteve, gjendja nuk ka shënuar përmirësime të dukshme. Për më tepër, tani më shumë se kurrë në rrugë shohim fëmijë, përveç tjerash, duke pastruar xhamat e automjeteve, duke shitur gjësende të imta, duke kërkuar lëmoshë apo nëpër kontejnerë. Ata jetojnë në kushte jo te mira fizike, sociale, psikologjike, përballen me mungesë të ushqimit, veshmbathjes, pa kujdesin e duhur higjienik dhe shëndetësor. Ata e kanë të pamundur të ndjekin shkollën dhe me vetë faktin se gjenden në rrugë,  janë të pambrojtur dhe në rrezik të përhershëm për abuzim dhe shfrytëzim”, ka bërë të ditur Avokati i Popullit në komunikatën për media.

Ndërkaq, Avokati i Popullit në raportin e publikuar i rekomandon  Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, “që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive ligjore të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar, trajtuar dhe për ta adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge”.

Raportin me rekomandime lidhur me situatën e fëmijëve në rrugë që Avokati i Popullit ka publikuar mund ta gjeni këtu.

23 Maj 2019 - 16:13

Xheneta Murtezaj 23/05/2019 - 16:13
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend