Foto: Atdhe Mulla

Për 37 parcela në Zonën Industriale të shfrytëzuara nga bizneset Komuna e Prishtinës nuk e merr asnjë cent

Të paktën 37 parcela me rreth 6 hektarë në Zonën Industriale të Prishtinës shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare vjetore të Komunës.

Sipas ZKA-së, Komuna ka humbje financiare për shkak se nuk inkason të hyra nga këto parcela që shfrytëzohen pa rentë.

Madje, nga Komuna nuk është ofruar ndonjë shpjegim konkret pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ta adresuar këtë çështje.

Auditori gjithashtu thekson se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal, në vitin 2007 ishin dhënë me qira 21 banesa për ish-këshilltarët komunalë. Ndërsa, me vendimin e komisionit për çështje banesore në vitin 2008 ishin dhënë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorët administrativë.

Në dy rastet, sipas kontratave, afati i shfrytëzimit ishte për periudhën 10-vjeçare.

Në raportin e ZKA-së potencohet se janë testuar katër raste dhe është gjetur se këto kontrata kanë skaduar dhe të njëjtat nuk janë vazhduar më, edhe pse qiramarrësit vazhdojnë ta shfrytëzojnë pronën publike/banesat.

Përveç kësaj edhe pse kompensimi ishte minimal (0,30 euro/m2 ) pagesa e qirasë nuk ishte bërë me kohë të rregullt dhe figuronin borxhe të akumuluara në vite në vlerë 15,874 euro.

Në raportin e auditimit thuhet se edhe përkundër rekomandimit të përsëritur për vite me radhë, menaxhmenti ende nuk kishte ndërmarrë masa. Sipas deklarimit të Komunës, aktualisht po zhvillohet procesi i evidentimit të gjendjes aktuale të këtyre pronave që më pas do të trajtohen sipas ligjit dhe rregullave në fuqi.