Nënkryetari i Mitrovicës shpjegon arsyet e devijimit të buxhetit për rrugën e Shalës së Bajgorës

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka ka shpjeguar para asamblistëve të Kuvendit Komunal arsyen e devijimit të buxhetit për rrugën për Shalë të Bajgorës.

Ky devijim është bërë nga 50 mijë euro sa kanë qenë të parashikuara në 150 mijë euro për realizimin e rrugës alternative.

Mujka ka deklaruar se bëhet fjalë për kohën kur ka pasur bllokim të rrugës mbi Trepçë për shkak të kushteve atmosferike, kur nuk ka pasur qarkullim për disa ditë. Ai ka thënë se rruga Mitrovicë – Bare – Bajgorë nuk ka qenë e qarkullueshme dhe është dashur të krijohet një rrugë alternative.

Nënkryetari Mujka ka thënë se kjo rrugë ka qenë kërkesë e qytetarëve të asaj ane dhe për këtë arsye është bërë edhe devijimi i buxhetit.

“Rruga alternative nëpërmjet Melenicës me dalje në Vedishiq për me mujtë me dalë në Bare dhe norma që pasi që e tërë Bajgora ka qenë e ndarë nga Mitrovica dhe ka shfrytëzu rrugën alternative nga rruga e Vushtrrisë, ka qenë kërkesë emergjente nga ta hapja e kësaj rruge dhe pasi që nuk ka qenë në planifikim normal që është dashtë me marrë buxhet nga projekte të tjera që nuk kanë qenë emergjente dhe kjo e Bajgores ka qenë kontratë kornizë për tri vjet dhe pastaj është shty për vitin tjetër”, është shprehur Mujka.

Më tej ai ka thënë se edhe pse është bërë shkelje, ajo është bërë në të mirë të qytetarëve.

“Mirëpo para kësaj shkelje që normal nuk është e mirë por para kësaj shkelje më me rëndësi është nevoja urgjente e qytetarëve, kështu që ndërmjet përzgjedhjes së dy të këqijave gjithmonë është ajo në favor të qytetarit”, ka përfunduar Mujka.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta lexoni KËTU

Pas Komunës së Mitrovicës së Jugut, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Live: Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 10 décembre 2019