Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Komuna e Kamenicës vendosi kritere diskriminuese për ndarjen e bursave për studentë

127 studentë të Komunës së Kamenicës janë eliminuar padrejtësisht nga përfitimi i bursës komunale, kjo për shkak se gjatë vlerësimit të aplikacioneve janë përdorur kritere shtesë të cilat nuk kanë qenë të publikuara në thirrjen publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2019 në komunën e Kamenicës ka gjetur se ndarja e 15 mijë eurove në formë të bursave për studentët e kësaj komune nuk është bërë në bazë të kritereve publike.

Sipas Auditorit, thirrja publike e cila kishte qëllim dhënien e bursave për studentët përcakton se dokumentet e nevojshme për aplikim janë: Dokumenti i identifikimit; Certifikata e notave (përveç për studentët e regjistruar në vitin akademik 2019/20); Certifikata e vitit kalendarik të studimeve; Certifikata e vendbanimit; Vërtetimi nga fakulteti se nuk është përfitues i bursës; dhe Konfirmimi nga banka për xhirollogarinë e aplikuesit.

Mirëpo për përzgjedhjen e kandidatëve Auditori ka gjetur  janë marrë parasysh edhe kritere të tjera shtesë të cilat nuk kanë qenë publike e që kanë ndikuar në përzgjedhjen e përfituesve.

“Gjatë testimit të kësaj lënde, në vlerë 15,000€ kemi gjetur se vlerësimi i aplikacioneve të kandidatëve ishte bërë duke përdorur kritere shtesë të cilat nuk ishin të shpallura në thirrjen publike, të tilla si; Nota mesatare, Drejtimi deficitar dhe Fakulteti publik, ku në bazë të këtyre kritereve shtesë të pashpallura, 127 studentë ishin eliminuar padrejtësisht nga përfitimi i bursës”, thuhet në raportin e auditorit.

Për përdorimin e kritereve shtesë nga zyrtarët komunal, Auditori ka theksuar se nuk ka marrë ndonjë sqarim shtesë.

Sipas Auditorit përdorimi i kritereve të cilat nuk kanë qenë të përcaktuara në Thirrjen Publike, dekurajon studentët që të aplikojnë për subvencione në të ardhmen, si dhe paraqet rrezik që kriteret e përdorura të jenë të përshtatura për një grup të caktuar të aplikantëve.

Në raportin e vitit 2019 për Komunën e Kamenicës, Auditori ka dhënë rekomandim për kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastrati.

“Kryetari duhet të sigurojë se vlerësimi i aplikacioneve të kandidatëve të behët sipas kritereve të vendosura në Thirrjen Publike, ndërsa përfitues të bursës të jenë të gjithë ata të cilët i plotësojnë këto kritere”, thuhet në raport.

Me këto të gjetura është pajtuar kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati duke mos dhënë ndonjë koment shtesë.