Auditori: Trainkos bëri biznes me naftë

Raporti i Auditorit për ndërmarrjen publike ‘Hekurudhat e Kosovës’-Trainkos Sh.A, në mes tjerash, evidenton se ndërmarrje kishte realizuar të hyra nga shitja e naftës përkundër se ishte jashtë statutit dhe planit të biznesit.

“Trainkos gjatë vitin 2019, ka realizuar të hyra tjera duke shitur naftë ndërmarrjes publike Infrakos sh.a në shumë prej 37,527€. Këto të hyra Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj, rrjedhimisht edhe jashtë planit të biznesit. Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a. të datës 16.04.2019. Për më tepër Trainkos naftën ia shet Infrakos sh.a me çmim të furnizimit pa aplikuar ndonjë tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori vlerëson se aktivitetet të cilat zhvillohen në kundërshtim me statutin dhe planin e biznesit ndikojnë në zvogëlimin e vëmendjes në fushat kryesore ku gjenerohen të hyrat.

Për më tepër gjenerimi i të hyrave jashtë mandatit statutor, sipas Auditorit, rrezikon të sanksionohet nga autoritetet kompetente për mbikëqyrjen e tregut.

Trainkos me statut ka përcaktuar që aktivitetet e saj të jenë: menaxhimi, operimi dhe ofrimi i shërbimeve për transportin për udhëtar dhe mallra, pastaj ofrimi i shërbimeve të mirëmbajtjes dhe renovimit të të gjitha mjeteve lëvizëse për institucionet tjera jashtë hekurudhës. Nga këto aktivitete Trainkos duhet të gjenerojë të hyra.

Bordi të drejtorëve iu rekomandua të siguroj se ofrimi i shërbimeve bëhet vetëm për ato veprimtari të cilat janë të përcaktuara me statut dhe të marr masat e duhura për ndërprerjen e shitjes së naftës ndaj ndërmarrjes tjetër.

Po ashtu të rishikojë marrëveshjen duke i përjashtuar të gjitha ato punë dhe shërbime që mund të ofrohen direkt nga operator tjerë ekonomik dhe që nuk janë veprimtari statutore e ndërmarrjes.

Auditori kishte gjetur lëshime edhe sa i përket menaxhimit të stoqeve të naftës. Komisioni për numërimin e stoqeve në fund të vitit kishte bërë regjistrimin e sasisë së naftës në depon qendrore, duke konstatuar se kishte më shumë naftë në stoqe se sa që figuronte në letra.

Ishin identifikuar 4,672 litra naftë më shumë apo në vlerë 3,831€ krahasuar me shënimet kontabël.

Pas këtij idenfitikimi të bërë, Trainkosit i kishte rritur të hyrat në mënyrë fiktive për 3 mijë e 831 euro aq sa ishte vlera e naftës në stoqe.

“Sipas zyrtarit kryesor të depos, kjo situatë ka ndodhur si shkak i mungesës së aparaturës adekuate për matje të sasisë së naftës pasi që aparaturat aktuale janë shumë të vjetruara dhe nuk kanë saktësinë e duhur gjatë procesit të matjes së naftës“, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, mos harmonizimi i gjendjes fizike të stokut të naftës dhe shënimeve kontabël reflekton me pasqyrim të gjendjes jo reale të pasurisë në pasqyrën e pozicionit financiar të kompanisë.

Bordi të drejtorëve iu rekomandua se duhet të sigurojë që bëhet harmonizimi i sasisë fizike të naftës me regjistrat kontabël, për të siguruar saktësinë e vlerës së naftës, të stoqeve dhe rrjedhimisht të pasurive të prezantuar në pasqyrat financiare.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit është pajtuar menaxhmenti i ndërmarrjes.

Tutje, përmes letërkonfimimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, konfirmoj  se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Ndërmarrjes Publike “Hekurudha e Kosovës”-Tranikos Sh.A.