Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Auditori: MKRS bëri pagesa të jashtëligjshme për Stadiumin Kombëtar në Drenas

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur parregullsi në nënshkrimin e kontratës në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe një kompanie turke, për studimin e Fizibilitetit për Stadiumin Kombëtar të Futbollit në Drenas. 

Sipas Raportit të ZKA-së për pasqyrat finaciare vjetore të MKRS-së për 2019, (Çështja A4)  MKRS me datën 07.03.2019 kishte nënshkruar kontratë me një kompani turke, për studimin e Fizibilitetit për Stadiumin Kombëtar të Futbollit në Drenas në vlerë 1,440,000€, përderisa kjo kompani nuk kishte përcaktuar ndonjë përfaqësues fiskal në Republikën e Kosovës. 

Auditori konstaton më tutje se kontrata nuk ishte përpiluar në pajtueshmëri me Kornizën ligjore të LPP-së, pasi që tek neni 5.1 i kontratës, thuhet se të gjitha obligimet tatimore dhe doganore do të paguhen nga MKRS, përderisa sipas ligjit, thuhet më tej në raport operatori ekonomik është përgjegjës për të gjitha taksat në pajtim me kornizën ligjore. 

“Ministria gjatë vitit 2019 i kishte paguar drejtpërdrejt në llogari të kompanisë  turke shumën prej 864,000€ sipas Aneksit I të kontratës, në çmim nuk ishte  përfshirë edhe TVSh-ja. Gjatë fazës së auditimit nuk janë prezantuar dëshmi se operatori ekonomik ndërkombëtar ka njësi të përhershme apo përfaqësues fiskal, ku përmes të cilëve i ka përmbushur detyrimet tatimore ndaj ATK-së”, thuhet në raport. 

Por, më pas sipas auditorit, MKRS kishte ndërprerë pagesat e mëtejshme ndaj kompanisë me qëllim të korrigjimit të këtij gabimi dhe në fillim të vitit 2020, pati diskutime për korrigjimin e kontratës, por siç konstaton auditori, nuk kishte dakordim nga kompaia turke.   

 Për më tepër, më datë 03.06.2020 MKRS ka bërë kërkesë për padi, ku pretendon për të drejtën e saj në raport me palën kontraktuese. Shkaku i këtij gabimi sipas zyrtarëve të MKRS-së ishte mospërputhja ndërmjet dosjes për konkurset e projektimit dhe ligjit të ATK-së, dhe mungesa e një shablloni të kontratës tek dosja e konkursit të projektimit të hartuara nga KRPP”, konkludon auditori në raportime tij për PFV të MKRS-së për 2019.  

 Auditori konsideron se mos aplikimi i tarifës tatimore, mund të ndikojë në dëmtim të buxhetit dhe krijon paqartësi në zbatimin e projektit dhe kryerjes së pagesave ndaj OE. 

 “Ministri duhet të sigurojë se para realizimit të kontratës të kërkohet nga kompania ndërkombëtare që të themeloj përfaqësuesin fiskal në Kosovë, për të marrë siguri se kompania po i përmbush obligimet ligjore ndaj ATK-së. Më tej, për rastin konkret të kërkojë nga kompania fituese ndryshim të kontratës për t’i përmbushur kërkesat ligjore të ATK-së”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për PFV për MKRS-së për 2019.