ATK u Bën Thirrje Bizneseve të Mos Ecin me Çmime “Paushalle”

Aktualiteti ekonomik i ditëve të fundit që ka të bëjë me politikën fiskale ishte arsyeja e takimit të thirrur nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

Kreu i Odës, Safet Gërxhaliu, tha se efektet e pakos së re fiskale nuk janë të menjëhershme

“Duhet të kuptohet se efektet e tilla, nuk mund të bëjnë, do të thotë efekte pozitive që sot. Kur flitet për ngritjen e çmimit, kur flitet për shportën e konsumatorit pse nuk e kemi durimin ta presim kalimin e muajit shtator, kur Agjencioni i Statistikave do ta bëjë analizën e indeksit të çmimeve dhe tek atëherë do të vërehet nëse ka pas ulje”, vërejti ai.

Nahit Sharku, drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kërkoi nga bizneset që të përcaktojnë çmimet bazuar në pakon e re.

“Jam shumë dakord me kryetarin se duhet të presim efektet, por kërkoj nga të gjithë kompanitë tatimpaguesit që të lexojnë me kujdes pakon e re fiskale që mos të ecin me çmime paushalle në treg por të bazohen në fakte që parashihen në pakon fiskale”, theksoi Sharku.

Ai kërkoi që ata të bëjnë përllogaritjet përkatëse dhe të dalin me çmime ashtu siç parashihen brenda pakos fiskale.

“Jam i bindur se ata nuk do të dalin me çmime më të larta por pakoja fiskale i mundëson të gjitha bizneseve të dalin në treg më të lirë dhe më konkurrent, sepse mbi të gjitha edhe kjo ishte edhe qëllimi i vetë pako fiskale”, shtoi kreu i ATK.

Përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, foli për një nga objektivat më të rëndësishëm të pakos së re.

“Për doganën besoj që edhe për institucionet e tjera dhe për Kosovën në përgjithësi pjesa më e rëndësishme e këtij ligji është lirimi i linjave të prodhimit, lirimi i lëndës së parë, lirimi i pajisjeve të IT-së”, tha Stavileci.

Bujar Krasniqi nga Instituti KAF tha se ky është ligji më i mirë që ekziston deri më tani edhe pse nuk është i perfeksionuar.

Se cilat janë efektet e Pakos së re Fiskale mbetet të shihet deri në fund të shtatorit kur Agjencioni i Statistikave të Kosovës do të bëjë analizën e indeksit të çmimeve.

Më herët këtë javë KALLXO.com raportoi se ndërsa disa biznese kishin zbatuar pakon e re fiskale me dy norma të TVSH-së – 8% dhe 18% – sipas produkteve dhe shërbimeve të përcaktuara, të tjera nuk i kishin futur ende në fuqi ndryshimet duke bërë që konsumatorët të paguanin vlera të ndryshme për të njëjtin produkt.