Ministrja Gërvalla pret në takim homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanin

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim bilateral në Prishtinë z.Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilin kanë zhvilluar edhe konferencë të përbashkët për media.

Ministrja Gërvalla, ka falënderuar z.Osmani për vizitën e tij në Kosovë, dhe bashkërisht kanë vlerësuar se Republika e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut, janë dy shtete fqinje shembull për fqinjësi, bashkëpunim dhe partnerit të mirë. Në të njëjtën kohë, raportet mes të dy vendeve në nivel të marrëveshjeve bilaterale i kanë vlerësuar të shkëlqyera dhe kanë diskutuar konkretisht për thellim të tyre.

Palët kanë shkëmbyer përvojat lidhur me çështjen e pandemisë Covid-19 dhe mënyrën e menaxhimit të situatës.
Në takim është shprehur përkushtimi i të dyja palëve që të shtyhen përpara planet dhe marrëveshjet e përbashkëta dhe të iniciohen hapa konkret në drejtim të bashkëpunimit tregtar, në sektorin e energjisë si dhe në krijimin e një pakoje turistike të përbashkët.

Po ashtu u theksua nevoja e krijimit të pikave të përbashkëta të kontrolleve në vendkalime kufitare sipas konceptit ‘One Stop Shop’.
Ministri Osmani tregoi se janë duke përmbyllur autostradën Shkup- Bllacë përderisa po punohet në projektin strategjik për finalizim të “Korridori 8” apo autostradës Shkup-Ohër-Strugë-Qafë Thanë.
Gjithashtu ministri Osmani, shprehu përkushtimin e shtetit të tij ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe në shkëmbim të përvojave për anëtarësim në NATO.